Tashmë disa herë kam shkruar për problemin e migrimit nga Kosova, kështu që tamam po mendoj se kam përfunduar me këtë temë, dalin statistika që janë të habitshme. Të gjitha vendet e Ballkanit kanë probleme se si të ndalin migrimet e popullsisë, e mund të thuhet që situata në Kosovë është tmerruese. Edhe pse shumë politikanë nuk e shohin këtë kështu apo kjo nuk i pengon. Gjithnjë e më shumë të rinj po largohen apo kanë dëshirë të braktisin Kosovën. Standardi i ulët jetësor, papunësia, nepotizmi, korrupsioni, krimi dhe shumë faktorë tjerë ndikojnë në atë që qytetarët të marrin vendimin të shkojnë në vende të jashtme – kryesisht ky është perëndimi, vendet e Bashkimit Evropian. Si analistët shqiptarë ashtu edhe ata serbë në Kosovë pajtohen që ky trend po vazhdon qe një kohë të gjatë dhe nuk po i shihet fundi.
T’i kthehem statistikave të përmendura më lart që duken alarmante, edhe pse mostra është prej një numri të vogël qytetarësh. Sipas hulumtimit të Institutit për studime politike (PIPOS) nga Prishtina, i cili u prezantua në emisionin Rubikon, nga 1,050 qytetarë të anketuar, vetëm 28 përqind kanë deklaruar që nuk do të emigronin edhe nëse do t’iu ofrohej mundësia, 11.4 përqind nuk janë të sigurtë, derisa 5.6 përqind kanë refuzuar të përgjigjen. Më të interesuarit për t’u larguar nga Kosova janë të rinjtë e grupmoshës prej 18 deri 25 vjeç – madje 73 përqind e tyre janë shprehur të gatshëm për të emigruar – derisa vetëm 16 përqind prej tyre nuk do të largoheshin edhe po t’u ofrohej mundësia. Gatishmërinë për të shkuar në Perëndim e kanë shprehur 62 përqind e të anketuarve të grupmoshës prej 26 deri 35 vjeç, kurse në grupmoshën prej 36 deri 45 vjeç kjo shifër është 61 përqind. Gjysma e të anketuarve në grupmoshën prej 46 deri 55 vjeç janë të gatshëm të shkojnë jashtë vendit. Përqindja e të anketuarve që janë përgjigjur se do të emigronin nëse do të kishin mundësi bie në 38 përqind në grupmoshën prej 56 deri 65 vjeç dhe në 30 përqind në grupmoshën mbi 65 vjeç.
Ky është tregues se shoqëria kosovare gjendet në një situatë tejet të vështirë, sado që njerëzit në pushtet do të dëshironin të zbusnin këtë tablo. Tendenca për t’u larguar do të vazhdojë – thjesht, nuk shoh mënyrë se si pushteti me këtë politikë do t’a mbajë popullin këtu. Përshtypjen e fuqishme të të dhënave të mësipërme nuk e bëjnë të rinjtë që do të largoheshin në mënyrë masive, por përqindja e njerëzve mbi 65 vjeç. Ata janë njerëzit mosha e punës e të cilëve ka kaluar e përkundër kësaj do të donin që ta braktisnin Kosovën, që pleqërinë ta kalojnë në një vend të huaj. Kjo e dhënë është e trishtueshme, shkatërruese.
Migrimet, një çështje e ngutshme që do zgjidhje, e asnjë Qeveri në Kosovë nuk ka pasur një qasje serioze ndaj këtij problemi, nuk ka vendosmëri që të ballafaqohet me këtë problem. Politikanët, pa ide, janë të vetëdijshëm se nuk mund ta ndalin një gjë të tillë. Kryesisht po largohen shqiptarët, por edhe serbët po i ndjekin pas, e edhe pakicat e tjera. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, kërkesë për vizë pune në Gjermani dhe Zvicër kanë dorëzuar mbi 117,000 qytetarë të Kosovës, siç transmetoi portali kosovar, Reporteri. Nga këta, me qindra vetë janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Për numrin e madh të pjesëtarëve të FSK-së që duan të largohen nga Kosova, ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, e ka informuar ministrin e mbrojtjes, Armend Mehaj.
Çfarë ardhmërie ka Kosova, në qoftë se nuk ndërpritet ky trend? Sa njerëz do të mbeten këtu? Përveç shqiptarëve, po largohen edhe serbët dhe pakicat tjera dhe kush si të mund të gjendet atje, e sa gjaku është derdhur për këtë territor. Mund të marr me mend se çka do të ndodhte me liberalizim të vizave ose nëse Kosova bëhet anëtare e BE-së. Do të shohim një eksod të popullatës në qoftë se Evropa do të ketë mëshirë. Është një gjë e mirë që kjo nuk do të ndodh së shpejti, e ndërkohë mbase diçka do të ndryshojë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.