Pretendimet për sulm nga zyrtarët policorë në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës i ka shpalosur në detaje drejtori i organizatës jo-qeveritare “Aktiv”, Miodrag Milliçeviq.
Në një konferencë për media në Prishtinë, udhëheqësi i organizatës me seli në Mitrovicë të Veriut, ka shpjeguar ngjarjen e 14 nëntorit.
Tha se ishte duke shkuar me veturë në Sarajevë për një konferencë ndërkombëtare, ndërsa policia e ndali rreth një kilometër larg pikës kufitare dhe e keqtrajtoi.
“Shpjegova se ku punoj me vetëm një fjalë, duke u thënë se punoj në një organizatë joqeveritare e pas të cilës ka pasuar komenti cinik: ‘Në organizatë joqeveritare?’. Bukfalisht me këtë ton. Thash ‘po’. E pse atëherë nuk ke dokumentacione kosovare, u them: ‘I keni njerëz dokumentet valide te ju’. Përndryshe targat që unë i kam, ngas veturë me targa të Beogradit dhe të Vrajes, shkaku i lëvizjes më të lehtë në mbarë rajonin, e jo vetëm brenda Kosovës. Thash se këto janë dokumente valide dhe se janë të vetmet që unë i posedoj në këtë moment. Më urdhëruan që të kthehem shoqëruar me bërtimën: ‘Kjo është Kosovë’. E pas kësaj, polici shikoi në anën e majtë e pastaj në të djathtë, duke shikuar qartë nëse ka dëshmitar, dhe më goditi me grusht në anën e majtë”, theksoi Milliçeviq.
Një prej qëllimeve të konferencës, siç ka thënë ai, është ta paralajmërojë një linjë emergjente për komunitetin serb në veri, në mënyrë që t’i ndihmojë në raportimin e rasteve të ngjashme.
“Pse hapëm linjën telefonike emergjente? Nuk është përpjekje për t’i zëvendësuar institucionet zyrtare, por për të ofruar një linjë të çfarëdollojshme për qytetarët ku mund të raportojnë incidente të këtilla dhe shqetësimet e tyre e ku mund të marrin këshilla prej një pjese të stafit tonë, kë dhe ku ta thërrasin saktësisht për ta raportuar incidentit… Ka shumë incidente që mbesin të paraportuara dhe ky është informacioni, nuk dua të spekuloj, por e dimë nga ndërveprimi me komunitetin në të cilin jetojmë, njerëzit hezitojnë t’i raportojnë shkeljet apo të njësisë speciale zyrtare, po flas vetëm për njësinë speciale”, deklaroi Milliçeviq.
Trajtim mjekësor ka thënë se ka marrë në Novi Pazar të Serbisë, e deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka quajtur kontradiktore.
Javën e kaluar, edhe Policia e Kosovës e edhe Ministria e Punëve të Brendshme përmes dy komunikatave të ndryshme kishin kundërshtuar pretendimet e Miliçeviqit.
Të dyja këto institucione në sqarimet e tyre, deklaruan se një gjë të tillë e ka mohuar edhe pala serbe.
E Inspektorati Policor nuk ka dhënë detaje për rastin, pasi zyrtarët e saj kanë thënë se është duke u bërë hetim fillestar, pas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’i verifikuar pretendimet e ankuesit.
Lidhur me pretendimet e Milliçeviqit kanë reaguar shoqëria civile e veriut, e Serbisë dhe një numër i vogël i pjesëtarëve të shoqërisë civile në Kosovë.
E ambasadori i BE-së në Kosovë pati thënë se ndihet i shqetësuar me raportimin për sulm ndaj Milliçeviqit.
(koha.net, 17/11/2022)