Mladić, Serbia dhe Kosova

Çështja e pajtimit ndëretnik mes shqiptarëve e serbëve nuk mund të bëhet pa një ndërhyrje të ashpër në narrativë. Pa një futje të një perspektive individuale nga e cila gjërat duken më ndryshe – dhe jo vetëm bardh e zi siç është e prirur të shoh turma. Dremitja e shoqërisë shqiptare dhe asaj serbe do të mbarojë sapo të arrijmë të ndërtojmë një narracion më të qarkullueshëm, më të problematizuar, e po ashtu, më njerëzor.

0
1548

Tribunali i Hagës e dënoi Ratko Mladićin me burgim të përjetshëm. Atë që ndodhi në pesë ditë vere të vitit 1995, e cilësoi si gjenocid. E prapë, Mladić vazhdon të konsiderohet nga një numër i madh njerëzish në Serbi si hero lufte. Fotografinë e tij e sheh të varur në kafene të ndryshme, nëpër zyre të njerëzve, ndërsa emri i tij – siç bën të ditur Ed Vulliamy – thirret në kor nga tifozë futbolli.

Sidoqoftë, ky shkrim nuk është një shfryrje patetike zemërimi. Unë nuk jam një ndër humanistët e shumtë organik. Prandaj, ky shkrim përbën thjesht një përpjekje për të kuptuar arsyen sesi përvidhet në mendjen e një shoqërie heroizimi i kriminelëve dhe legjitimimi i akteve kriminale.

Së pari, duhet të kuptojmë që kemi të bëjmë me një narrativë të caktuar. Të marrim si shembull një kryevepër të letërsisë ruse të shekullit XIX, “Krim e ndëshkim”. Në romanin në fjalë, kryepersonazhi lëngon për t’u bërë dikushi dhe kësisoj del nga nënshtrueshmëria morale. Për të, çdo gjë është e lejueshme: ka napoleonë, të cilët bëjnë gjëra të mëdha, dhe njerëz të nënshtruar moralisht. Prandaj, ai e vret një fajdexheshë bashkë me vajzën e saj, dhe i vjedhë pasurinë. Por, narrativa e Dostojevskit na rrëmben dhe lexuesi e shfajëson krimin e tmerrshëm. Ai bëhet një me subjektin. Madje, krimi të cilin e kryen Raskolnikovi, pra personazhi, vetëm sa e forcon dhe e bën më intim atë relacion virtual. Vetë lexuesi vuan bashkë me personazhin, ikë bashkë me të, dhe shpreson që rrethanat t’i japin një fat shpëtues. Raskolnikovi është kriminel, ama punë-e-madhe, kjo nuk e pengon të përkthehet edhe në hero të lexuesit. Pikërisht diçka e tillë ndodh edhe me anti-heronjtë e letërsisë moderne. Ata në fakt janë heronj që kundrojnë e veprojnë nga një perspektivë individuale. Dhe edhe lexuesi, vetëm nga kjo perspektivë i heroizon dhe identifikohet me ta. Nga një perspektivë kolektive ndodh tjetër çka.

Jo, unë nuk po them që Mladić është tamam si Raskolnikovi. As kriminelët shqiptarë të luftës nuk janë si ai. Dallimi është se kryepersonazhi i trilluar nuk është i vegëlzuar nga kolektivi. Ai nuk vepron në emër të tij. Dhe natyrshëm, i kthyer në perspektivën kolektive, ai dështon të ndjellë empati e prandaj e humbet statusin e heroit duke u bërë një kriminel i rëndomtë, me motive individuale. Ndërkohë, të bëjmë diçka tjetër: të shohim Mladićin nga perspektiva e një individi. Del se ndodh po e njëjta gjë. Edhe ai, si individ, është një kriminel i thjeshtë, një shërbyes i egër i një kolektivi, pa ndërgjegjje e pa dilema të brendshme – e prandaj, as që bëhet fjalë për empati. Sepse, po, si individë e kemi një armik me të cilin jemi të shtrënguar të bashkëpunojmë: shoqërinë.

Dostojevski është ndër autorët e parë që e qiti kriminalitetin në ligjërim. I dha fjalën. Deri atëherë, kriminaliteti ishte i shpërfillur, monologues. Por, me kalimin e kohës ai u bë gjithnjë e më i zëshëm duke e bërë të qartë se është krejtësisht njerëzor dhe pjesë ontologjike e fatit tonë që nga koha e vrasjes së Abelit nga Kaini. Lexuesi ose shikuesi, sërish arrin të lidhet emocionalisht me individët/personazhe. Por, jo me ata që e shndërrojnë veten në vegla pushteti. Dhe në shërbim të diçkaje tjetër, jashtë vetes, ishte edhe Ratko Mladić. Dhe të tillë janë edhe kriminelët e tjerë të luftës.

Natyrisht, shoqëri të caktuara të cilat kanë përftuar një vetëdije pak më të kthjellët mbi veten, bëjnë ndonjëherë ndërmarrje progresive. Por, huqjet e mëdha kolektive janë të pranishme gjithandej edhe sot. Ta zëmë, populizmi gjithnjë në rritje. Trumpi. Brexiti. Katalonja. Politika feministe e ‘të besuarit në të gjitha gratë’ që akuzojnë njerëz të rëndësishëm si ngacmues seksual. Etj.

Çështja e pajtimit ndëretnik mes shqiptarëve e serbëve nuk mund të bëhet pa një ndërhyrje të ashpër në narrativë. Pa një futje të një perspektive individuale nga e cila gjërat duken më ndryshe – dhe jo vetëm bardh e zi siç është e prirur të shoh turma. Dremitja e shoqërisë shqiptare dhe asaj serbe do të mbarojë sapo të arrijmë të ndërtojmë një narracion më të qarkullueshëm, më të problematizuar, e po ashtu, më njerëzor. Kjo nuk nënkupton shfajësimin e të gjitha krimeve. E as fajësimin en bloc të tyre. Kjo e imponon një këndshikim të ri nga i cili do të arrinim atë që është e dobishme, dhe atë që është e padobishme për shoqëritë tona.

Por, natyrisht, është një mision tepër i vështirë që të bësh mendjen dembele kolektive që t’i thellojë mendimet, t’i bëj logjike veprimet dhe që t’i heqë paragjykimet.