‘A mos po shkojmë me tren drejt murit?’

Në hapësirat e Mitrovica Social Club-it u mbajt një debat i hapur për rastin e ashtuquajtur 'Treni'', me një vështrim të shkurtër edhe mbi temën po ashtu aktuale të murit të kontestueshëm në Mitrovicë. Pjesëmarrës në debatin “A mos po shkojmë me tren drejt murit?’ ishin gazetarë të televizioneve lokale por edhe korrespondentë të jashtëm në Kosovë. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesë të sektorit joqeveritar që funksionojnë në veri të Kosovës, të cilët me pyetjet dhe sugjerimet e tyre kontribuan që të paraqiten sa më shumë qëndrime dhe fakte.

0
1119

Para disa ditëve në hapësirat e Mitrovica Social Club-it u mbajt një debat i hapur me temën e cila gjatë 20 e ca ditëve të fundit është tejet aktuale dhe e cila me rëndësinë e saj la në hije të gjitha ato që kanë ndodhur disa muajt e fundit. Natyrisht, bëhet fjalë për rastin e ashtuquajtur ‘Treni”, me një vështrim të shkurtër edhe mbi temën po ashtu aktuale të murit të kontestueshëm në Mitrovicë. Pjesëmarrës në debatin “A mos po shkojmë me tren drejt murit?’ ishin gazetarë të televizioneve lokale por edhe korrespondentë të huaj në Kosovë. Folësit kryesor ishin Sanja Sovrlić, përfaqësuese e RTV MIR nga Leposaviqi, Željko Tvrdišić, korrespondenti i Tanjug-ut, dhe Maja Fićović, korrespondente e Evropës së Lirë. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesë të sektorit joqeveritar që funksionojnë në veri të Kosovës, të cilët me pyetjet dhe sugjerimet e tyre kontribuan që të paraqiten sa më shumë qëndrime dhe fakte. 


Tema e parë për të cilën folën folësit e përmendur ishte tema e cila e trenit të kontestueshëm i cili ishte dashur që gjatë natës së 14 janarit të fillojë linjën e tij të re nga Beogradi për në Mitrovicë. Të gjithë pjesëmarrësit në debat, si dhe të pranishmit, përveç disa prej tyre, u pajtuan që dukja vizuele e trenit ishte shkaktari kryesor për reagimin e Prishtinës, i cili, siç u pajtuan të gjithë, ishte thënë më së buti i tepruar dhe si i tillë ka mundur të bëhet shkak për ndonjë konflikt më të madh në vetë vendkalimin në Jarinje. Pjesëmarrësit e lartëpërmendur u morën si reprezentativ për arsyen se të gjithë ata individualisht u ndodhën në vende të ndryshme gjatë të gjitha ngjarjeve të përmendura. Gazetarja e RTV MIR nga Leposaviqi, Sanja Sovrlić, në kohën e të gjitha zhvillimeve ishte brenda në trenin që ishte ndalur në Rashkë; reporteri i Tanjug-ut, zoti Tvrdišić, ishte në vendkalimin administrativ në Jarinje, ku treni duhej të hynte në territorin e Kosovës; derisa zonja Fićović gjendej në Mitrovicë, ku ishte destinacioni i fundit i trenit të përmendur. Me paraqitjen e qëndrimeve të tyre personale, ishte interesante të dëgjosh nga dora e parë për të gjitha ngjarjet nga vetë pjesëmarrësit në tërë këtë, të cilët i bartën vëzhgimet e tyre personale si dhe atë që në mënyrë adekuate ua treguan të pranishmëve tërë rrjedhën e situatës e cila ndodhi atë ditë. Siç thanë ata, brenda në tren ishte vërejtur pasiguri dhe frikë, por edhe një vetëdije e plotë se treni, i tillë siç ishte, nuk do të kalonte vijën administrative, kështu që të gjithë kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për këtë që nga fillimi i të gjitha ndodhive. Siç e theksoi zonjusha Sovrlić, madje edhe disa udhëtarë të trenit të përmendur patën vërejtje për vetë dukjen e trenit, d.m.th për dekorimin e tij vizuel me freska dhe motive religjioze. Mbishkrimet Kosova është Serbi në pjesën e jashtme të trenit ishin problematike që nga fillimi madje edhe për disa prej udhëtarëve, jo për arsye se nuk pajtohen me atë qëndrim, por për arsye se ishin të vetëdijshëm që kjo mund të jetë shkak i problemeve të përmasave shumë më të gjera.   


Zoti Tvrdišić gjatë këtyre zhvillimeve që nga fillimi gjendej në kalimin administrativ Jarinje dhe me këtë ishte dëshmitarë i ardhjes së njësisë speciale dhe sjelljes së tyre ndaj banorëve të tubuar por edhe ndaj përfaqësuesve të pushtetit lokal të cilët që nga fillimi e kanë ndjekur situatën në vend të ngjarjes. Sipas pohimeve të tij, sjellja e njësive speciale (mes të cilëve pati, siç tha ai, edhe pjesëtarë të komunitetit serb) ndaj të tubuarve ishte korrekt, por asnjë nga të tubuarit nuk kishte dyshime në gatishmërinë e tyre për të reaguar edhe ndryshe, vetëm nëse do të merrnin ndonjë urdhër të tillë. Po ashtu u shpreh edhe qëndrimi se sjellja e përfaqësuesve të pushtetit ndaj përfaqësuesve të shtëpive mediale ishte tejet korrekt ku në veçanti u theksua qëndrimi pozitiv ndaj kryetarit të organit të përkohshëm të komunës së Leposaviqit, Zoran Todić-it, i cili me qëndrimin e tij të qetë dhe qasjes së përgjegjshme ndaj kësaj situate të përgjithshme kontribuoi në uljen e gjakërave midis të tubuarve e me vetë këtë që të mos vijë deri tek ndonjë lëvizje e pamenduar që do të ishte shkak për konflikt. 

Korrespondentja e Radios Evropa e Lirë, znj. Fićović ishte gjatë gjithë asaj kohe në Mitrovicë dhe i ka ndjekur ngjarjet në rrugët e Mitrovicës por edhe në media, të cilat, siç u pajtuan të gjithë pjesëmarrësit në debat, për shkak të informatave jo të plota në një mënyrë kontribuan që shkalla e panikut të ngrihet në kufijtë e të padurueshmes. Përveç kësaj, edhe deklaratat e zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina ishin të tilla që i kontribuan edhe më shumë kësaj.

Si temë e debatit ishte edhe muri i kontestueshëm i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës si pjesë e ndërtimit të zonës për këmbësorë në ish-rrugën Mbreti Petar, i cili gjithashtu është objekt kontesti midis Beogradit dhe Prishtinës. Në lidhje me këtë temë nuk u shprehën shumë qëndrime të reja, porse të gjithë pjesëmarrësit në debat u pajtuan se ky është një problem që duhet të ulet në nivelin e qeverive lokale dhe në këtë nivel të zgjidhet problemi i lartpërmendur. Megjithatë u shpreh një qëndrim tejet negativ ndaj sjelljes së kryetarit të pjesës jugore të Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, i cili disa herë, i shoqëruar nga media, ka kaluar urën dhe tek muri i lartpërmendur ka dhënë deklarata në lidhje me rrëzimin e tij dhe me këtë i ka kontribuar rritjes së tensioneve sa i përket kësaj çështjeje. Natyrisht, duhet të theksohet se gjatë këtyre kalimeve nuk është njoftuar askush nga institucionet e vetëqeverisjes lokale në veri, e as përfaqësuesit e mediave në gjuhën serbe. U konstatua që z. Bahtiri kështu ka shkelur rëndë kompetencat që i ka si kryetar i pjesës jugore të qytetit.

Gjatë debatit u konstatua se edhe vetë Kuvendi i Kosovës ka shkelur një numër të ligjeve kur miratoi rezolutën për murin në fjalë, sepse ka ndërhyrë në veprimtarinë e cila nuk është brenda juridiksionit të saj, por është nën juridiksionin e qyteteve dhe komunave sepse bëhet fjalë për Ligjin mbi planifikimin hapësinor, zbatimi i të cilit është në juridiksion ekskluziv të qeverive lokale. Po ashtu u shtrua çështja se planin hapësinor të pjesës veriore të Mitrovicës, në të cilën është i përfshirë edhe muri i lartpërmendur i kontestueshëm, e ka miratuar ministria dhe se tani nga e njëjta ministri po ngulin këmbë në rrëzimin e tij.

Debati u mbyll me qëndrimet e dakorduara të të gjithë pjesëmarrësve dhe me bindjen se debate të kësaj natyre duhet të mbahen më shpesh për shkak se është më se e nevojshme të  dëgjohet edhe qëndrimi i sektorit joqeveritar, si dhe të profesionit të gazetarisë i cili është dëshmitar i të gjitha ngjarjeve që në masë të madhe ndikojnë në jetën e qytetarëve në veri të Kosovës. Përveç kësaj, debati solli shumë fakte që ishin pak të njohura për opinionin e gjerë e të cilat në masë të madhe kanë mundur të ndikojnë në qetësimin e situatës dhe të kuptuarit më adekuat të tërë asaj që u përmend më lart.