Muaj pas muaji (maj)

I humbur në stagnim, pak përparim. Këto ishin fjalët që i huazova herën e fundit që u ula pranë tastierës që të shprehja disa mendime për uebsajtin New Perspektiva.

0
1144

I humbur në stagnim, pak përparim. Këto ishin fjalët që i huazova herën e fundit që u ula pranë tastierës që të shprehja disa mendime për uebsajtin New Perspektiva.

Kjo ishte menjëherë pas publikimit të raportit të dytë të monitorimit Big Deal nga BIRN mbi Marrëveshjen e Brukselit. Kjo ishte vetëm gjashtë javë më parë, dhe edhepse unë do të preferoja që të ketë një përshpejtim më të madh të ritmit, ka pasur një momentum, një lëvizje. Momentum, që jo gjithmonë njihet, pjesërisht për shkak se palët fatkeqësisht kanë arsyet e tyre për të mos e njohur. Politizimi i procesit nënkupton se lidershipi më me dëshirë do t’i shtyjë qytetarëve të tyre çështje të tilla të supozuara si Shqipëria e Madhe apo çuarja përpara e procesit të gjenocidit.

Kryeministrat Mustafa e Vučić u takuan përsëri në Bruksel megjithëse ishte vetëm hera e dytë. Nuk pati rezultate të veçanta nga ky takim. Vetë takimet janë të rëndësishme pasi ato ofrojnë socializimin, siç e përshkruajti njëri nga blogerët tanë, që është thelbësor për çfarëdo progresi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe takime të tjera teknike mbi aspektet e dialogut kane vazhduar me rezultate të luhatshme edhepse duket se më në fund ka marrëveshje mbi çështjet e telekomunikacionit përderisa duket se ka pasur një zënkë sa i përketë energjisë.

Ne si NP gjithmonë kemi qenë më shumë të preokupuar me atë se çfarë sjellë ky proces për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve në Kosovë, posaçërisht të atyre në veri të lumit Ibër tek të cilët më së shumti kanë efekt marrëveshjet e normalizimit të 2013-s e të cilët nuk janë përfshirë në negociata. Siç shkroi njëri nga autorët tanë, Krenar Gashi, muajin e kaluar: “Çdo hap tjetër drejt dialogut duhet të ketë në qendër qytetarët e Kosovës dhe interesin e tyre, individual dhe grupor, në mënyrë që ky proces të ketë kuptim përtej dyerve të mbyllura të zyreve në Bruksel”. Në prill, Kryeministri Mustafa u takua me katër kryetarët e komunave veriore dhe u arrit pajtimi që ata të dorëzojnë projektbuxhetin në pajtim me ligjet e Kosovës e në anën tjetër ata do të merrnin fondet që ishin bllokuar që nga marsi i këtij viti. Ky ishte një takim i rëndësishëm sepse dëshmoi se përkundër gjithë retorikës politike rreth gjoja njohjes së Kosovës, të dy palët u takuan dhe biseduan në nivelin më të lartë. Nuk mund të besoj se kjo ka pasur ndonjë efekt negativ në jetën e njerëzve në veri por ju lutem me tregoni nëse ka pasur.

Ky takim ishte domethënës jo vetëm se i zhbllokoi financat por sepse është një çështje që i përket sundimit të ligjit. Kjo deri diku u ilustrua në tekstin e Violeta Hyseni Kelmendit në fillim të prillit kur raportoi se çfarë i kishte thënë një mësues në veri: “ky mësimdhënës mendon se krahas pagës nga Serbia, meriton të paguhet edhe nga Kosova. Vlerëson se në 16 vjetët e fundit serbët kanë qenë të diskriminuar nga institucionet e Kosovës dhe kanë jetuar në kushte të vështira sociale dhe ekonomike. Pavarësisht se Beogradi disa herë i kishte porositur që të mos marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke i paralajmëruar se do të mund të ndëshkoheshin për këtë me ndërprerje të pagave nga buxheti i Serbisë, bashkëbiseduesi ynë thotë se ai dhe shumë kolegë të tij e kanë shpërfillur këtë porosi.” Shumica e ndryshimeve në veri do të jenë jo të rehatshme dhe të vështira për veriorët por jam e sigurtë se ata e dinë se kanë qenë duke funksionuar me një vakum virtual ligjor të përkrahur nga qeveria e Beogradit dhe është ditur se kjo nuk është e qëndrueshme.

Më në fund ka pasur, megjithatë, përparim në Fondin e Zhvillimit për Veriun të cilit duket se nuk i është bërë ndonjë publicitet. Disa herë më parë e kam theksuar dështimin e këtij Fondi për Veriun për të shkuar përtej inkasimit të të ardhurave. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në raportin e saj të marsit e pa këtë si pjesë të suksesshme të procesit pasi që po grumbullonte më shumë para, rreth 5 milionë euro. Kah mesi i majit shuma kishte arritur në 6 milionë euro por kjo shumë po rrinte e painvestuar diku në kasaforta të një banke. Bordi i këtij Fondi u takua këtë muaj dhe kryetarëve të katër komunave, me të cilat ka të bëjë ky fond, u është kërkuar që t’i paraqesin propozimet e tyre tek Bordi i Fondit për Zhvillim deri më 15 qershor. Secila komunë do të ketë rreth 1.4 milionë euro për të promovuar zhvillim socioekonomik dhe në dobi të popullatës lokale që do të ofrojnë shërbime publike të përmirësuara për qytetarët e tyre. Efektshmërisht kjo do të thotë se vetëm nga ky fond disa nga këto katër komuna do të marrin rreth 100% rritje të të ardhurave. Shpresojmë se banorët do të sigurojnë që përfaqësuesit e tyre të mos humbin kohë ose para për këtë çështje. Paratë janë për ta.

Përderisa ky hov i ngadalshëm përpara po vazhdon që disa muaj, dhe unë nuk e kam shkruar blogun tim përmbledhës, blogerët në uebsajt nuk janë ndalur duke shprehur zhgënjimet dhe qëndrimet e tyre me në sfond politizimin e vazhdueshëm i cili në asnjë mënyrë nuk lehtëson besimin apo mirëkuptimin e ndërsjellë. Siç shkroi Milenko Todorović: “Vitet po kalojnë, ne po rrimë këtu që të shërojmë frustracionet tona, të ëndërrojmë një jetë më të mirë. Të gjitha ato që na ndajnë – urat, besimi, luftërat, diversiteti, ideologjia që shumë kohë më parë është mbjellur në ne, do të na shkaktojnë probleme që të bëhemi vetëm një gjë – njerëz.”

Duke iu referuar këtij politizimi Verka Jovanović tregoi për diskutimet e logjikshme mes anëtarëve kosovarë, serbë dhe zviceran të lëvizjes së Helsinkit: “Tema e nacionalizmit dhe e perceptimit të të tjerëve është diskutuar në kuadër të nocioneve ‘Serbia e Madhe’ dhe ‘Shqipëria e Madhe’, për të cilat u nxor konkludimi se këto ekzistojnë vetëm si koncepte të kërcënimit të njërës palë ndaj tjetrës, por në të vërtetë as nuk janë plane reale, as plane të realizueshme të asnjërit nga komunitetet.” Shumica do të pajtoheshin tani se Shqipëria e Madhe është një gogol, BE-ja e di këtë. Ajo praktikisht nuk ka përkrahje dhe është diçka që nxirret nga kapela (magjike) për arsye politike pa marrë parasysh faktin që nuk do t’i frikësojë ata të cilëve u drejtohet në BE që e kanë lexuar këtë në mënyrën e duhur. Më me dëshirë nuk do të diskutoja se cili mund te jetë konteksti i vetëm për këtë.

Artisti Milosh Aleksić, në një blog nga Violeta Hyseni Kelmendi, e adresoi çështjen e dallime kulturore duke e kujtuar të kaluarën dhe duke i bërë jehonë asaj që herë pasherë e them unë: “Bashkëpunimi në radhë të parë ndërmjet të rinjëve është i rëndësishëm dhe i nevojshëm. Në fakt për shumë vite, gjatë Jugosllavisë komuniste, ka pasur disa lidhje, disa kontakte dhe bashkëpunim, që thjesht u ndërpre për shkak të ngjarjeve të viteve të nëntëdhjeta. Kultura serbe dhe ajo shqiptare ishin të ngjashme në shumë aspekte, ishin të ndërlidhura mes vete, traditat poashtu.” Mbase kjo do t’u ketë dhënë të tjerëve pak shkas për të menduar.

Një tjetër vërejtje e veçantë që më rri në mendje nga ato që është shkruar në tre muajt e fundit në uebsajtin e NP-së edhepse më është dashur që ta lexojë deri në paragrafin e fundit për të gjetur atë mesazhin më të vlefshëm. Ky ishte rasti me tekstin e Nexhmedin Spahiut, i cili është nga Mitrovica, që shkruan: “Pajtimi qenësor mes ballkanasve, megjithëkëtë nuk mund të bëhet vetëm me lëvizje politike të krerëve të shteteve, por me ballafaqimin me të vërtetën historike dhe kërkimfalje jo vetëm mes kombeve ballkanike, por edhe brenda vet këtyre kombeve.”

Gjatë këtyre muajve është vërejtur siç duket një rritje e thyerjeve të, siç njoftohet, shtëpive të serbëve në Klinë dhe Istog. Mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm se si i raportojmë dhe si ilexojmë këto incidente sepse ka tendenca që këto të raportohen ndoshta në mënyrë të panevojshme në kontekstin etnik por pa raportuar më tutje se çfarë ka ndodhur pas ndërhyrjes së policisë dhe a kishte ndonji padi. Zakonisht thuhet se këto raste nuk janë zgjidhur. Më në fund sot duket se ka pasur një përgjigje në lidhje me incidentin e Klinës dhe ato të ngjashme me të, ku shtatë persona janë arrestuar pas këtyre vjedhjeve dhe ata nuk ishin të gjithë shqiptarë. Është shenjë e mirë që ka një reagim por kjo sigurisht është një çështje për median, që duhet të ndalet së trajtuari këto çështje si etnike, në mënyrë që të luajë më mirë rolin e vet si shtyllë e katërt qytetare. Pa marrë parasysh trashëgiminë kombëtare të njerëzve ata jetojnë në Kosovë dhe është koha që ata tanimë të trajtohen si qytetar të Kosovës. Shpresoj që edhe ky të jetë një ndryshim i ngadalshëm dhe përparim.

E përfundova viziten time më të fundit trijavore në Kosovë menjëherë pas Ditës së Evropës kur e mora deklaratën e përbashkët të bërë për këtë përvjetor, i shtatëdhjeti që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, nga Këshilli i Evropës, e lexuar nga kryesuesi i tij Donald Tusk. Ju rekomandoj që t’i dëgjoni ato fjalë në http://tvnewsroom.consilium.europa.eu/video/video-message-by-donald-tusk-on-europe-day. Po e përmendi këtë në mënyrë specifike pasi Tusk e citon Deklaratën e Robert Schuman-it dhe mendoj se duhet t’i kthehemi dhe të kujtojmë frymëzimin për dhe të menduarit prapa lëvizjes evropiane në në situatë tjetër të tmerrshme post konfliktuale. Tusk thekson: “… se vetëm duke ndërprerë ciklin e dhunës dhe të hakmarrjes shoqëritë tona do të mund të ndërtojnë siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm së bashku, vetëm të bashkuar…”

(21 maj 2015)