Muaj pas muaji (shkurt)

Procesit të normalizimit iu dha një shtytje e re në muajin shkurt kur Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini e rihapi dialogun. Në këto bisedime morën pjesë kryeministrat dhe ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë. Këta të fundit, autorët e Marrëveshjes për Normalizim të 2013-ës. Hashim Thaçi dhe Ivica Dačić, nga të qenit udhëheqës të qeverive të vendeve të tyre tani kanë marrë përsipër portofolët respektivë të politikës së jashtme.

0
1141

Procesit të normalizimit iu dha një shtytje e re në muajin shkurt kur Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini e rihapi dialogun. Në këto bisedime morën pjesë kryeministrat dhe ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë. Këta të fundit, autorët e Marrëveshjes për Normalizim të 2013-ës. Hashim Thaçi dhe Ivica Dačić, nga të qenit udhëheqës të qeverive të vendeve të tyre tani kanë marrë përsipër portofolët respektivë të politikës së jashtme.

Bisedimet, edhepse dikur vonë në mbrëmje, në fund nxorën një marrëveshje mbi gjykatat, ose siq quhet ndryshe Marrëveshje mbi drejtësinë. Kjo është një arritje e rëndësishme pasi sjellë një sistem ligjor të zbatueshëm në tërë territorin e Kosovës. Nuk zbatohet më ndonjë sistem paralel ose i jashtëm në Kosovën e pavarur. Ne të gjithë mund të kemi mospajtime rreth asaj se si është formuluar kjo marrëveshje dhe kontekstit etnik që i është dhënë por ky sistem ligjor si i vetmi i zbatueshëm është një progres i qartë. Sigurisht se përbën çështje dështimi për të ofruar mundësi të barabarta për qytetarët e Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, gjë të cilën e ka gjeneruar Marrëveshja, si dhe modifikimi nga ana e saj i formulimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin më shumë në një mënyrë etnike se sa qytetare. Është për të ardhur keq që nuk i është dhënë një lloj konteksti përkohësie pasi me kalimin e kohës të gjithë këta njerëz të punësuar në gjykata duhet të kenë shtetësinë e Kosovës edhe nëse mbajnë edhe ndonjë tjetër shtetësi.

Marrëveshja për drejtësinë vërtetë ka nënvizuar nevojën për implementimin e marrëveshjes së vitit 2011 mbi diplomat universitare pasi pa të nuk do të ketë barazi të mundësive dhe të ndarjes së vendeve të punës për të gjithë të diplomuarit që vijnë nga universitetet dhe fakultetet e drejtësisë që ekzistojnë në Kosovë. Kjo në anën tjetër do të ketë ndikim në efektshmërinë e marrëveshjes mbi drejtësinë.

Në fillim të shkurtit, New Perspektiva bashkë me BIRN-in mbajtën një sesion brainstorming mbi procesin e normalizimit. Në fokus të këtij sesioni ishte se çfarë mendonin pjesëmarrësit e shoqërisë civile që Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, duhet të dijë, duke marrë parasysh përvojat tona të deritashme, para se të fillojë dialogun me Beogradin dhe Prishtinën. Shqetësimi më i madh i pjesëmarrësve ishte mungesa e komunikimit dhe transparencës, mungesa e konsultimit me popullin e Kosovës rreth asaj se çfarë duan ata dhe çfarë nënkuptojnë efektet e marrëveshjes për ta. Ishte interesant fakti se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (AKS) nuk nxiti aq shumë debat.

Sa i përket komunikimit, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, relativisht shpejt paraqiti në Kuvendin e Kosovës raportin mbi diskutimet e orëve të vonshme në Bruksel. Ky proces i raportimit të qeverisë paraprake në Kuvend nuk ka qenë shembull i mirë i qeverisjes së hapur. Mund të thuhet se z. Mustafa dha pak hollësi, por u duk se hodhi disa çështje te reja në agjendë, siç është për shembull çështja e demarkacionit të kufirit, dëmshpërblimet, duke i kushtuar pak vëmendje AKS-së, e cila, siç tha edhe njëri nga pjesëmarrësit në brainstorming, është gurthemeli i kërkesave të komunitetit serb në Kosovë. Mustafa tha se Marrëveshja mbi drejtësinë dhe “shuarja e mbrojtjes civile” do të jetë prioritet në takimet e ardhshme dhe do të krijojë “mundësi për të diskutuar çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke u bazuar në ligjet ekzistuese të Kosovës dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës siç është definuar me Marrëveshjen e Brukselit”. Takimi i ardhshëm duket së është caktuar për fund të marsit.

Pala e Beogradit duket se nuk i ka paraqitur ndonjë raport parlamentit serb. Asnjëra qeveri nuk ka vënë hollësi rreth Marrëveshjes mbi drejtësinë në faqet e tyre zyrtare në internet por as nuk e kanë mohuar se dokumenti i skanuar i publikuar në media nuk është ai që është nënshkruar edhepse ne besojmë se aty mungon një klauzolë.

Ne dimë për një projektstatut për AKS-në të hartuar nga pala serbe. Nuk besoj të ketë ndonjë arsye se pse ai nuk është bërë publik që të ketë një diskutim të gjërë publik. Besoj se kjo do të nxiste kritika konstruktive dhe ndoshta edhe do të zvogëlonte frikën. Ky asociacion është në mënyrë specifike për pjesëtarët e njërit prej komuniteteve më të mëdha të Kosovës dhe do të duhej të ofronte një qendër ku ata do të shprehnin pikëpamjet e tyre dhe të jetë një institucion që u shërben atyre.

Në shkurt ishim dëshmitar të protestave në Prishtinë që ishin manifestim i disponimeve të ndyshme në Kosovë. Një nga blogjet tona të shkurtit iu referua konkretisht këtyre ngjarjeve. Protestat duket se janë nxitur nga çështje që kanë të bëjnë me Serbinë në Kosovë, “faktorin Serbi”, siç i përkufizoi autori i blogut Kreshnik Hoxha, por ato paraqisnin një frustrim shumë më të thellë të brendshëm me mungesën e zhvillimit demokratik dhe qytetar në Kosovë. Në përgjithësi, pajtohem me Hoxhën i cili shkroi se “Shkarkimi i Jablanović-it duhet të jetë mësim për të gjithë se deklaratat kanë peshë dhe njerëzit duhet të paguajnë për atë çka thonë. Dhe, shkarkimi i tij kurrë nuk duhet të interpretohet si sulm ndaj minoritetit serb në Kosovë, përkundër dëshirës së Beogradit për ta paraqitur si të tillë….”

Pajtohem edhe me vërejtjet e Hoxhës se shtetndërtimi është i vështirë, por është shumë më vështirë nëse nuk luan me rregullat e lojës, nëse nuk i ndërton dhe respekton institucionet tua siç duhet dhe nëse lidershipi nuk ka një vizion të vërtetë për shtetin por vetëm për veten, nëse ky lidership nuk ka respekt dhe përkushtim për konceptin e sundimit të ligjit. Lidershipi kosovar, pa marrë parasysh cilit komunitet i përkasin, nuk e bën së këndejmi këtë proces ndërtimi aspak më të lehtë për veten e vet dhe kjo është ajo të cilën njerëzit (ndoshta jo organizatorët e protestës) dëshironin ta demonstronin.

Çështja e njëjtë del në blogun e quajtur Ikja nga Milenko Todorović. Një fjalë mjaft emotive për çështjen e emigrimit që u zhvillua në Kosovë dhe të cilën autori e përshkruan si çështje të përbashkët për të gjithë banorët e Kosovës. Ai gjithashtu e përdori formulimin e nevojës që lidershipi politik të qytetërohet dhe të krijojë kushtet për njerëzit që të rrinë në shtëpitë e tyre. Mendoj se lidershipi duhet gjithashtu të dalin jashtë Prishtinës dhe të dëgjojnë se ç’thuhet në pjesët tjera të Kosovës, të shohin se si jetojnë jo-metropolitanët dhe të pyesin veten përse nuk e kanë ditur që biznese/njerëz lokal kishin reklamuar të shoqëronin dhe ndihmonin ata njerëz që besojnë se në anën tjetër jeta do të jetë më e mirë, të emigronin për dhjetëra euro. Kjo është një çështje e sundimit të ligjit, kjo është çështje e dështimit të autoriteteve në të gjitha nivelet për t’i informuar qytetarët e tyre për të vërtetën rreth azilit, Evropës, etj. Ky është shtetndërtimi i vërtetë.

Shkurti gjithashtu na solli intervistën e realizuar nga New Perspektiva me negociatorin e BE-së, Robert Cooper, rreth procesit të normalizimit. Cooper tha se jemi shumë larg normalizimit të vërtetë, procesi nuk ishte i përsosur. Kjo është e vërtetë dhe pjesërisht sepse është një zingjir i tërë i çështjeve të ndërlidhura p. sh si mundet që Ligji i Kosovës mbi Gjykatat të thotë se për t’u emëruar gjykatës një person duhet të ketë një diplomë të juridikut që njihet nga Ligjet e Kosovës kur afër katër vjet pas Marrëveshjes për Diplomat Universitare nuk është bërë asnjë përparim për njohjen e diplomave. Normalizimi është një proces dykahësh mes elitës dhe popullit të Kosovës. Të dyja palët duhet të jenë në gjendje të kontribuojnë në mënyrë të efektshme. Në rastin e përmendur kjo sigurisht mungon dhe autoritetet nuk e kërkojnë këtë, përfshirë edhe Brukseli. Pse nuk ka një komision parlamentar në Kuvendin Kombëtar me përgjegjësi për të analizuar normalizimin, një komison që do të bashkëvepronte me elektoratin? Kjo nevojë e theksuar u artikulua qartë në brainstorming-un tonë.

5 Mars 2015