Mundet, nëse do

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngul këmbë se do të bënte shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruante Ligjin për shfuqizimin e Speciales dhe nëse do ta mohonte apo kthente atë tek deputetët. Por, korniza ligjore e kompetencave të presidentit të Kosovës nuk thotë ashtu.

0
828

Ndonëse Kushtetuta e Kosovës i jep të drejtë presidentit të vendit ta kthejë për rishqyrtim një ligj të miratuar nga Kuvendi, presidenti Hashim Thaçi po deklarohet ndryshe.

Si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm në 2015, Thaçi kishte mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale ndërsa tani në postin e presidentit ai thotë se do ta nënshkruajë Ligjin për Shfuqizimin e saj nëse Parlamenti i Kosovës e miraton, në të kundërtën ai do të bënte shkelje kushtetuese. Sipas tij, këtë e ka obligim kushtetues dhe ligjor dhe nuk mund ta mohojë/kthejë vullnetin e deputetëve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se ai e kishte udhëhequr me përkushtim procesin e themelimit të kësaj gjykate vetëm që të ruhej partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Por, sipas tij, pushtetet janë të ndara dhe ai si president i vendit duhet t’i kryejë obligimet e veta.

Presidenti Thaçi ngul këmbë se ai do të bënte shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruante Ligjin për shfuqizimin e Speciales dhe nëse do ta mohonte apo kthente atë tek deputetët. Por, korniza ligjore e kompetencave të presidentit të Kosovës nuk thotë ashtu.

Kompetencat e presidentit të Republikës përcaktohen me aktin më të lartë juridik të Kosovës, Kushtetutën, dhe me Ligjin Nr.03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili i referohet Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Neni 84 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 30 (tridhjetë) pika përcakton kompetencat apo detyrat që mund t’i ushtrojë presidenti i Kosovës. E rëndësishme në këtë rast është pika 6 e këtij neni, në të cilën thuhet se presidenti:

(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë;

Sipas kësaj pike rezulton se presidenti Thaçi, ndryshe nga ç’ka deklaruar, e ka mundësinë që ta kthejë për rishqyrtim Ligjin për Shfuqizimin e Speciales nëse ai miratohet në parlament. Rrjedhimisht, mosnënshkrimi i këtij ligji nga ana e presidentit nuk do të përbënte shkelje kushtetuese e ligjore. Mund të ketë interpretime tjera ligjore për këtë pikë për çka mund të mos jemi në dijeni, por ajo çka është e rëndësishme është se arsyetimi i presidentit se e ka obligim kushtetues për ta nënshkruar Ligjin potencial për Shfuqizimin e Speciales nuk është i mirëqenë pasi kompetencat e tij nuk e kushtëzojnë për të bërë diçka të tillë. Për më shumë, pika e mësipërme i jep të drejtën presidentit që ta kthejë këtë Ligj në rishqyrtim duke u thirrur në potencialin që ka ky Ligj për t’i dëmtuar interesat e Republikës së Kosovës. Por, siç duket, presidenti Thaçi, ndryshe nga shumë opinionistë kosovarë e ndërkombëtarë, nuk po e konsideron shfuqizimin e Speciales “të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës”.

Prandaj deklarata e presidentit Thaçi se ai duhet t’i nënshkruajë ligjet e miratuara, pavarësisht nëse ai pajtohet apo jo, nuk është krejt e saktë dhe si e tillë duhet të vihet në diskutim.

Do të ishte mirë që ekspertë ligjorë të japin interpretimin e tyre sa i përket kësaj pike të Kushtetutës dhe të mos lejojnë që mos informimi adekuat rreth kompetencave të presidentit të Republikës së Kosovës të lë hapësirë për manipulim mediatik.

Kthimi i ligjeve për rishqyrtim në Kuvend nuk është i paprecedent. Ish-presidentja, Atifete Jahjaga, e kishte kthyer për rishqyrtim Kodin Penal të Republikës së Kosovës, të miratuar në seancën plenare të Kuvendit në prill 2012, pasi kishte vlerësuar se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal ishin në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dy nenet e mësipërme ishin cilësuar nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare të mediave si “përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese”. Ngjashëm, po të njëjtin vit, ish-presidentja e kishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend edhe Ligjin për pensionet e pjesëtarëve të FSK-së duke u bazuar në po të njëjtin nen të Kushtetueses, nenin 84, pika 6.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend u bënë dy tentime që iniciativa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale (Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar) për krime të luftës në Kosovë të dërgohet në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme i kishte paraprirë një peticion i nisur nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së Ushtrise Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kjo iniciativë nxiti reagime të shumta nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, deklaroi se ky veprim ishte thikë pas shpine për SHBA-në. Ndërkaq, ambasadori britanik, Ruari O’Connell, e quajti 22 dhjetorin si “natën më të rrezikshme për Kosovën që nga lufta.” Vetëm disa ditë më pas, vendet e Quint-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) dolën me një deklaratë të përbashkët ku u kërkonin liderëve të Kosovës të heqin dorë nga çdo tentativë për shfuqizimin apo rinegociimin e çfarëdo pjese të Ligjit për Gjykatën Speciale. Megjithë reagimet e ashpra që pasuan, nuk duket se do të ketë tërheqje nga ajo. Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale u miratua në vitin 2015 pas një varg debatesh e protestash kundër themelimit të saj.

Kjo javë shihet vendimtare për ta përcaktuar rrugën e kësaj Gjykate pasi të mërkurën me 17 janar do të mblidhet Kryesia e Kuvendit dhe në rend dite mund të jetë edhe procedimi i Projektligjit për Shfuqizimin e Gjykatës.