Muret i ndajnë njerëzit

Ajo çfarë mbetet e paqartë është se çka po synohet të arrihet me këtë mur? Kujt i shkon për shtati një gjendje e tillë ekzistuese që të mos ketë kurrfarë marrëdhënie midis dy anëve të një qyteti? Për mua ai mur nuk është asgjë tjetër pos një porosi e padëshirueshmërisë së palës tjetër dhe thellim i qartë i asaj që ekziston, një konflikti pabesueshëm të thellë.

0
1125

Ndoshta asnjëherë deri më tani nuk i jam afruar kaq urës kryesore në Mitrovicën e Kosovës. Por kësaj here isha aty dhe më duket që asnjëherë më parë nuk kanë kaluar më shumë njerëz mbi të se sa atë mëngjes nëntori. Nga njëra anë në tjetrën kalonin njerëz, pa ndaluar, derisa nga veriu dhe jugu dëgjoheshin makina të cilat tashmë me të madhe punojnë në revitalizimin e urës. Ishte një ndjenjë e veçantë të kalosh në pjesën jugore të Mitrovicës pikërisht përmes kësaj ure. Së paku për mua. E tëra që unë mbaj mend me njëzet e diçka vitet e mia për atë urë janë kaosi, të shtëna, ndarje, frikë dhe vend ku ndodhin të gjitha gjërat e këqija. Për këtë arsye kjo ishte ngjarje aq e madhe. Për këtë arsye ishte një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë të kalosh atë urë dhe të shikosh njerëzit se si kalojnë mbi të. Pa frikë. Normalisht. Kurse situata e të qenit “normal” tek ne nuk është edhe gjëja më e shpeshtë që ndodh.

Hipoteza se normalja nuk është dukuri e përhershme tek ne u tregua si e saktë vetëm disa ditë pas kësaj. Dhjetori na priti me tituj “po ndërtohet mur në pjesën veriore të Mitrovicës”. Tek ura, natyrisht. Derisa pala serbe pohon që kjo është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, ajo shqiptare angazhohet për diçka krejtësisht të kundërt. Në tërë këtë, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja ka qenë revitalizimi i urës dhe shndërrimi i rrugës Mbreti Petri në zonë për kalimtarë. Dhe prapë, për të satën herë po e shkruaj këtë, po e pësojnë qytetarët e zakonshëm që kanë tendencë të ndikohen nga mediat dhe të dëgjojnë ekskluzivisht vetëm përfaqësuesit e vet. Në fund morëm edhe një lloj dakordimi të të dyja palëve që thonë se muri do të ridizajnohet. Ajo çfarë mbetet e paqartë është se çka po synohet të arrihet me këtë mur? Kujt i shkon për shtati një gjendje e tillë ekzistuese që të mos ketë kurrfarë marrëdhënie midis dy anëve të një qyteti? Për mua ai mur nuk është asgjë tjetër pos një porosi e padëshirueshmërisë së palës tjetër dhe thellim i qartë i asaj që ekziston, një konflikti pabesueshëm të thellë. Është e qartë se ekziston frika nga hapja e asaj ure, frika nga të dyja palët. Me vite nuk është përdorur ajo urë, por është po ashtu e qartë se kështu nuk mund të jetojmë. Së bashku – të ndarë. Nuk ka kuptim për njerëzit që deri para shtatëmbëdhjetë viteve kanë jetuar së bashku, në të dyja anët, për njerëzit që kanë qenë miq dhe fqinj. A nuk u bë mjaft me ngritje të mureve nëpër Evropë? A nuk na e tregoi historia se sa keq kjo mund të përfundojë? A nuk i kujtohet askujt prej zotërive që marrin vendime se muret ndarëse janë rrënuar që moti? Dhe çka mund të na sjellë ai mur? Për një banor të zakonshëm të veriut kjo gjithsesi do të jetë një porosi se njerëzit “nga ana tjetër e urës” janë të rrezikshëm dhe se duhet të mbrohemi prej tyre. Derisa për njerëzit në jug të Ibrit kjo gjithsesi do të jetë një shenjë se askush nuk i do dhe se serbët prapë po planifikojnë të bëjnë diçka. Pra, sido që të shikohet, bëhet fjalë për ndarje të qëllimshme të njerëzve.

Në fund, mund të ndërtoni çkado që të doni, unë mendoj se nuk më bën fare më. Do të më mbetet në kujtim ajo ditë e ngrohtë nëntori si ditë e thyerjes së të gjitha barrierave dhe mureve Tuaja, si ditë kur e kalova murin të cilin nuk është dashur ta kaloja. Mund të vendosni mur edhe më të madh, unë nuk brengosem. Nuk më interesojnë kurrfarë ndarjesh, sepse nga ana tjetër janë njerëz të njëjtë si nga ana jonë. Atje gjenden miqtë, fqinjtë, njerëzit që ndoshta frigohen nga kjo as sa frigohemi edhe ne. Unë nuk do të brengosem, por çka të bëjmë me ata që i pranojnë muret Tuaja? Do të kalojnë tërë jetën e tyre në frikë nga liria e lëvizjes? Duke u friguar nga njerëzit nga ana tjetër? Krejtësisht e mundshme. Por ndoshta në ndonjë moment do të kuptojmë megjithatë se muret vetëm i ndajnë njerëzit dhe se asgjë nuk do të na bëj dëm sikur bile të provonim të jetonim së bashku. Pa parqe, mure, paragjykime e barriera.