Në një blog të publikuar kohë më parë në New Perspektiva, me autore Verka Jovanović, i titulluar “Gjuhë e drejtë(si)”, shpërfaqet fakti se si në Kosovë ka probleme me zbatimin e ligjit për gjuhët zyrtare në vend, më saktësisht se si versioni serbisht i Ligjit mbi Përdorimin e Gjuhëve ka gabime drejtshkrimore, duke vazhduar me shkeljet në zbatueshmërinë e rregullave të gjuhës.
Por, neglizhim të njëjtë – pa çarë kokën – kryejnë institucionet publike të Kosovës dhe nuk po i zbatojnë rregullat as të përdorimit të standardit të gjuhës shqipe. Bile ato po i shkelin papërfillshëm. Duke u nisur nga komunikatat dhe deklaratat publike të zyrtarëve e deri te raportet e publikuara nga institucionet, qëllon të jenë të mbushura me gabime gjuhësore, qoftë drejtshkrimore qoftë kuptimore. Për shembull në faqen zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit te pjesa e komunikatave gjen gabime që në tituj. Të tilla si mungesa apo teprica e shkronjës “ë”, ose mos përshtatje gjinie si: “Aksioni humanitare” gjenden lehtësisht. Pos institucioneve shtetërore në këtë rend gjejnë vend edhe shkollat, universitetet, media, spitalet e administratat e komunave.
Edhe në tabelat që emërtojnë vendet ka mungesë a tepricë shkronjash. P.sh. “Gllarev”(fshati Gllarevë), “Lubizhd” (Lumnishtë). Hallin me gjuhën e kanë edhe institucionet private; bizneset, kompanitë. Për shembull në një ndërtesë gjigante që shkëlqen prej xhami shkruan me të mëdha: “Qeramik dhe Sanitari”. E rastet e medieve as s’mund të numërohen. P.sh. në një lajm në një portal serioz në internet në udhëzimin për të klikuar një link shkruhet “ndiçni se si..”. Ose në një reklamë të KFOR-it që transmetohet shpesh në televizion shfaqet një fjali qe mbulon ekranin e që thotë: “A dëshironi të ndryshoni diçka!”. E ç’vend ka aty pikëçuditësja pas një fjalie pyetëse? Raste të tilla të lëshimeve më irritojnë për shkak të shpeshtësisë dhe neglizhencës pa pikë meraku që kryejnë punonjësit e këtyre institucioneve. Akoma më shqetësuese është heshtja karshi këtyre gabimeve, pasi që standardi do të duhej të ishte i rëndësishëm sa herë që flasim e shkruajmë në publik.
Sistemi arsimor në vend s’krijon shprehi të përdorimit të drejtë të gjuhës. Krejt çka mësohet e përsëritet në edukimin fillor dhe të mesëm është fakti se sa e mirë është gjuha shqipe dhe sa duhet dashur atë. Bile kjo shndërrohet edhe në klishe. Por, orët e gjuhës shqipe gjatë shkollimit janë kryesisht trajtesa letërsie (as trajtesa s’janë) dhe jo drejtshkrim a gramatikë. E ky injorim i rregullave, standardit e drejtshkrimit shpërfaqet edhe në nivelet më të larta të studimeve. Kjo sepse askush nuk ndëshkohet për mospërdorim të drejtë të gjuhës. Disi tejkalohen lëshimet e tilla.
E adeti i lëshimeve gjuhësore që s’u jepet rëndësi s’prishet as kur vjen puna për punësim. Punëdhënësit nuk përcaktojnë si kriter për punësim njohjen a respektimin e standardit. Edhe po që se bëhen gabime drejtshkrimi në CV apo kur i drejtohesh me email, nuk është telash. Kjo se zvogëlon mundësinë e punësimit. Gjithçka tjetër mund t’ju dëmtojë gjatë procesit për punësim , ama shkeljet e gjuhës jo.
Respektimin e gjuhës po e dëmton mjaft edhe prania dhe ndikimi i gjuhëve të huaja në vend. Tendenca e përvetësimit të pafiltruar të fjalëve prej gjuhëve tjera dëmton ruajtjen dhe promovimin e gjuhës amtare. Trendi i imitimit të kulturave perëndimore ka përfshirë edhe përdorimin e fjalëve prej gjuhëve të huaja në komunikimin e përditshëm institucional e personal në vend. Ky trend po e rëndon ruajtjen e gjuhës shqipe.
Pra, gjuha shqipe s’po shkruhet drejtë. Përdorimi i duhur i saj s’po trajtohet si i rëndësishëm. Mospërfillja e rregullave të gjuhës, do të thotë mospërfillje e një elementi thelbësor të identitetit të vendit tonë. Një rregullim ligjor, apo veç ndonjë iniciativë promovuese e rëndësisë së përdorimit të drejtë të saj do t’i ndihmonte kultivimit dhe ruajtjes së denjë të gjuhës për brezat pas nesh.