Në Bruksel u mbajt takim për zbatimin e marrëveshjes së Drejtësisë

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri në këtë takim u angazhua që marrëveshja për drejtësi të filloj zbatimin sa më shpejtë si dhe njoftoi Bashkimin Evropian se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet që të shtrihet sistemi unitar i drejtësisë edhe në veri të vendit.

0
1238

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri në këtë takim u angazhua që marrëveshja për drejtësi të filloj zbatimin sa më shpejtë si dhe njoftoi Bashkimin Evropian se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet që të shtrihet sistemi unitar i drejtësisë edhe në veri të vendit.

Në Bruksel sot u zhvillua takimi bilateral për zbatimin e marrëveshjes së Drejtësisë mes delegacionit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri në këtë takim u angazhua që marrëveshja për drejtësi të filloj zbatimin sa më shpejtë si dhe njoftoi Bashkimin Evropian se Kosova ka bërë gjitha përgatitjet që të shtrihet sistemi unitar i drejtësisë edhe në veri të vendit, ku sipas marrëveshjes do të ketë një gjykatë themelore kompetente për shtatë komunat siç përcakton Ligji për Gjykatat, si dhe një Zyre Prokurorie dhe po ashtu konfirmoj se edhe aspekte tjera të marrëveshjes janë përgatitur për zbatim. Po ashtu, çështjet lidhur me emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ tashmë janë në fazën finale si dhe çështjet në lidhje me Gjykatën e Apelit, deri në përfundimin e këtij procesi Kosova mbetet e përkushtuar t’i rrumbullakësojë në bashkëpunim të plotë me Bashkimin Evropian.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian vlerësuan progresin e arritur nga ana e Kosovës në zbatim të marrëveshjes për drejtësi duke theksuar se do të angazhohen maksimalisht që ky proces të realizohet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit.

Ministrja Tahiri me këtë rast vlerësoi se marrëveshja për drejtësi ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse ajo mundëson shtrirjen e sovraniteti shtetëror në fushën e drejtësisë edhe në veri të vendit, që ka munguar një kohë të gjatë dhe se do të ndihmojë qytetarët atje për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësi dhe po ashtu vlerësoi punën e grupit punues për drejtësi i cili tashmë një kohë është duke punuar me përkushtim për zbatimin efektiv të kësaj marrëveshje.

Gjatë ditës së nesërme do të ketë takime në çështjen e reciprocitetit për tabelat e automjeteve mes dyja shteteve me qëllim të finalizimit të planit zbatues në bazë të marrëveshjes së arritur më 14 shtator të këtij viti. Po ashtu, do të vazhdojnë bisedimet për marrëveshjen për drejtësi për të definuar më tej detajet e procesit të zbatimit. Pasnesër, më datën 20 tetor në agjendë do të jetë çështja e vlerësimit të zbatimit të marrëveshjes për njohje reciproke te diplomave.

Ministrja Tahiri siguron se pavarësisht dezinformatave që mund të kenë dal nga pala serbe, në Bruksel nuk do të bisedohet për çështjen e Trepçës sepse Trepça dhe gjitha asetet tjera janë të shtetit të Kosovës dhe për to asnjëherë nuk është biseduar dhe nuk do të bisedohet me askënd.

Delegacioni i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe Tonka Berishaj, Ud. Kryetare e Gjykatës së Apelit, këshilltaren dhe koordinatoren e çështjes Arjeta Rexhaj, Albert Avdiu, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe koordinator i grupit të punës për drejtësi dhe përfaqësuesi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, Haxhi Bajraktari.

(kryeministri-ks.net, 18/10/2016)