Në pritje të rezultateve

Është paralajmëruar një takim i ri dhe deri atëherë mbetet të shihet nëse këto dy takimet e mëparshme kanë dhënë ndonjë rezultat, megjithëse, gjykuar nga përvoja e kaluar, as nuk do të ketë ndonjë rezultat dhe as nuk shpreson dikush për këtë, por mbetet pritja si një pronë e patjetërsueshme e neve, qytetarëve të thjeshtë - gjithçka tjetër është në negociata.

0
52

Kaloi edhe Ohri dhe, që gjërat të jenë edhe më keq, askush nuk e ka të qartë se cili ishte qëllimi e cilat janë pasojat e takimit. Deklaratat, siç është bërë zakon, të përgjithësuara nga të dyja palët. Askush nuk nënshkroi asgjë edhe pse u dhanë premtime të forta për gjithçka që u diskutua gjatë takimit, por për këtë në media po flitet me hezitim dhe si nëpër dhëmbë sepse është e qartë se asnjëra palë nuk është plotësisht e kënaqur me atë që është arritur atje. Edhe pse korniza sipas që cilës është negociuar është në fakt një devijim nga rruga dhe modeli aktual i negociatave, është e qartë se korniza e re bart një barrë të madhe për të dyja palët sepse nga realizimi i marrëveshjes varet rruga evropiane e të dyja palëve dhe kjo nuk është në nivelin e insinuatës apo supozimit mediatik, por kjo ishte një deklaratë zyrtare e zyrtarëve evropianë vetëm pak ditë pas takimit në Ohër, kështu që ajo merret si e detyrueshme për të dyja palët.

Dhe ndërsa edhe njëra edhe tjetra palë pretendojnë se asgjë nuk kanë humbur, është e qartë se qëllimi edhe i takimit në Bruksel edhe i këtij në Ohër ishte që të dyja palët të viheshin përpara një qëndrimi të qartë se askush nuk mund të fitojë gjithçka dhe askush nuk mund të humbasë gjithçka. Edhe pse paksa e vështirë për t’u kuptuar, është e qartë se situata në terren nuk mund të mbetet kështu siç është tani deri në pafundësi dhe se kërcënimet dhe mostoleranca e vazhdueshme në terren nuk i sjellin asgjë të mirë askujt, sidomos qytetarëve të thjeshtë. Duke u nisur nga ky këndvështrim, edhe përfaqësuesit e SHBA edhe të BE-së kishin një synim të qartë e ai është që të dyja palët, madje edhe nën forcën e një kërcënimi, të detyrohen të bëjnë një lloj marrëveshjeje, çfarëdo qoftë që të jetë ajo.

Për t’i përkeqësuar gjërat pas takimit edhe më shumë, të dyja palët, sikurse nga shprehia, filluan të japin  deklarata që jo vetëm se ishin kontradiktore dhe të paqarta, por edhe diametralisht të kundërta për sa i përket qëndrimeve lidhur me atë që ishte rënë dakord. Ndërsa njëra palë pretendon se kjo është një hap më larg nga njohja, pala tjetër pretendon se njohja de facto tashmë është bërë dhe atë, siç thotë populli, përmes “kapixhikut”. Sido që të jetë, pas këtij takimi nuk erdhën pasojat e shumëpritura, e kjo në radhë të parë është ndryshimi i qëndrimit të Listës Serbe lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës. Nuk munguan deklaratat e zhgënjimit, kritikat, madje edhe ndonjë paralajmërim i butë, por qëndrimi duket se është përfundimtar, ndaj kuptimi i takimit ka rënë paksa, por edhe legjitimiteti i zgjedhjeve.

Pas përfundimit të takimit, pasuan një sërë deklaratash pozitive nga të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e tyre në rajon por me sa duket me synimin për ta bërë më të lehtë për të dyja palët që të gëlltisin pilulën e hidhur para opinionit të tyre publik, i cili duhet të bindet në mënyrë adekuate se është arritur ajo më e mira, për të dyja palët. Logjikisht e paqartë, teorikisht e pamundur, sigurisht jo me mendje të shëndoshë, por gjithsesi politikisht e dëshirueshme dhe për këtë arsye edhe e justifikuar. Ajo që iu ra në sy të gjithëve është se menjëherë pas takimit dhe deklaratave të aktorëve në takimin në fjalë, të gjitha ato histori dhe pritshmëri pompoze, veçanërisht ato të mediave, u ulën ndjeshëm në një nivel që askush nuk e priste sepse nuk ka ndodhur thuajse asgjë nga ajo që është paralajmëruar, kështu që lind pyetja se ku çon e gjithë kjo nëse nuk ka hapa konkret.

Mbetet pritja, pra ajo pritja politike, sepse marrëveshja është e tillë që përmes komisionit që do të formohet do të monitorohet shkalla e realizimit të gjithçkaje për të cilën është rënë dakord dhe që përmes atij vlerësimi të ndëshkohet ose shpërblehet ai që vonohet ose mbetet prapa ose ai që ecë përpara në realizimin e asaj që është nënshkruar. Gjykuar nga deklaratat e aktorëve, të gjithë arritën gjithçka, por pala tjetër nuk bëri asgjë. Bartja e fajit nga njëri tek tjetri vetëm sa e bën të gjithë procesin më të vështirë, edhe pse ka kohë që është e qartë se të dyja palët po shmangin zbatimin e disa pjesëve të marrëveshjes sepse janë politikisht të këqija, ndaj në këtë drejtim po luhet një lloj loje se kujt të parit do të duhet t’i shpjegojë publikut dhe në çfarë mënyre se ne nuk fituam aq shumë sa kemi bërë tifozllëk, dhe se politika është e vetmja lojë ku të dyja palët mund të fitojnë ose të dyja palët mund të humbasin dhe nuk mund të ketë asnjëherë një barazim. Dhe nëse edhe ndodh që në ndonjë rast të mbetet baras, ky është vetëm një iluzion sepse aty humbet populli, sepse është thënë shumë kohë më parë se revolucionet i hanë fëmijët e tyre dhe kjo duhet të ishte e qartë për ne kur na premtonin zgjidhje revolucionare, por padyshim që ne e kuptuam shumë vonë, e me këtë mendoj edhe serbët edhe shqiptarët. Është paralajmëruar një takim i ri dhe deri atëherë mbetet të shihet nëse këto dy takimet e mëparshme kanë dhënë ndonjë rezultat, megjithëse, gjykuar nga përvojat e kaluara, as nuk do të ketë ndonjë rezultat dhe as nuk shpreson dikush për këtë, por mbetet pritja si një pronë e patjetërsueshme e neve, qytetarëve të thjeshtë, gjithçka tjetër është në negociata.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.