Në shtator nis punën Prokuroria e Mitrovicës së veriut

Funksionimi i Prokurorisë në veri të Mitrovicës do të nisë nga 1 shtatori i këtij viti, ndonëse ka ende shumë punë për të bërë që kjo të ndodhë, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, në një konferencë të organizuar në kuadër të projektit “Iniciativa e shoqërisë civile për sundimin e ligjit në veri të Kosovës”.

0
848

Funksionimi i Prokurorisë në veri të Mitrovicës do të nisë nga 1 shtatori i këtij viti, ndonëse ka ende shumë punë për të bërë që kjo të ndodhë, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, në një konferencë të organizuar në kuadër të projektit “Iniciativa e shoqërisë civile për sundimin e ligjit në veri të Kosovës”, organizuar nga Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike – ACDC, e cili mbështetet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Në këtë konferencë, pos kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, merrnin pjesë edhe gjyqtarja Jelena Krivokapiq dhe avokati Lubomir Pantoviq.

Siç përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, Syla, Krivokapiq e Pantoviq patën pikëpamje të ndryshme rreth asaj se kur do të fillojë të zbatohet në veri të Kosovës marrëveshja e Brukselit për gjyqësorin, respektivisht kur do të nisë së funksionuari në veri të Kosovës Gjykata dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës, të cilat aktualisht punojnë në objektin e gjykatës në Vushtrri.

Ndonëse objekti i ri i Gjykatës në Vushtrri ofron kushte shumë më të mira, se ai i vjetri, funksonimi i Gjykatës dhe i Prokurorisë në pjesën veriore të Mitrovicës vlerësohet i domosdoshëm, për të funksionuar normalisht gjyqësori sipas marrëveshjes së Brukselit për gjyqësorin e integruar, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Derisa kryeprokurori Syla ka thënë se funksionimi i institucioneve gjyqësore në veri të Mitrovicës do të nisë më 1 shtator, gjyqtarja serbe Jelena Krivokapiq dhe avokati Lubomir Pantoviq shprehen të bindur se puna e institucioneve gjyqësore në atë pjesë nuk do të nisë para vitit të ardhshëm.

“Ne shpresojmë se në shtator do të nisë funksionimi si Prokurori e përbashkët (integruar), informatat i kemi këtu, ndoshta nuk janë të sakta, sepse unë nuk kam qenë pjesë e marrëveshjeve, por informatat që kemi thonë se puna e Prokurorisë do të fillojë nga 1 shtatori, pas përfundimit të konkursit për stafin ndihmës”, ka thënë Syla.

(Zëri www.zeri.info, 11/04/2016)