Nga 1 shtatori, pesë automjete u riregjistruan me targa RKS

0
18

Janë gjithsej 5 qytetarë që deri tash i janë bindur vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer në RKS targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbia. Pasi dy nga ta ishin cak i sulmeve të strukturave ilegale në veri, ministri Xhelal Sveçla tha se Serbia synon ta destabilizojë Kosovën. Në KFOR shprehën gatishmëri për të intervenuar në rast se eskalon situata, e analistë serbë thonë se pa një marrëveshje me Serbinë, Qeveria e Kosovës nuk do të mund ta zbatojë vendimin për targat.

Ka shkuar një e treta e kohës brenda së cilës duhet të bëhet konvertimi në RKS i targave ilegale të lëshuara nga Serbia. Gjatë kësaj periudhe, gjithsej 5 automjete janë regjistruar konform vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme konfirmuan të dhënën dhe thanë të mos jenë në dijeni për numrin e veturave që mbajnë targa ilegale.

“Nga data 1 shtator deri më tani janë regjistruar 5 automjete me targa RKS në komunat Prizren, Dragash, Leposaviq, Mitrovica Veriore dhe Gjilan. Nuk dihet numri i përgjithshëm i mjeteve me targa ilegale që qarkullojnë në Kosovës, sepse janë të regjistruara në sistemin e kaluar. Pas procesit të regjistrimit të mjeteve do të dihet numri i saktë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Dy qytetarë serbë që i janë bindur vendimit të Qeverisë për t’i konvertuar targat në RKS, janë sulmuar një ditë më parë.

Sipas informacioneve të publikuara nga ministri Xhelal Sveçla, strukturat ilegale kanë djegur veturën e një oficeri serb, si dhe depon e një qytetari nga Zveçani.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të mos i ndërrojnë targat, e ministri Sveçla e akuzoi atë për nxitje sulmesh ndaj qytetarëve që s’i binden.

Sveçla përmendi edhe një motiv, që sipas tij, qëndron pas sulmeve.

“Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet e ndryshme politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit”, ka thënë Sveçla.

Analisti Branislav Krstiq thotë se në procesin e dialogut duhet të gjendet një zgjidhje për targat, pasi konsideron se serbët nuk do t’i binden vendimit të Qeverisë së Kosovës.

“Pra, duhet të vazhdohet me bisedime dhe nuk ekziston ndonjë mekanizëm tjetër që Prishtina do të mund t’i obligonte serbët që t’i regjistrojë automjetet me targat sidomos në momentin kur liderët e Listës dhe kabineti i Vuçiqit u bëjnë thirrje qytetarëve që mos ta bëjnë regjistrimin”, ka thënë ai.

Vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas sulmeve të serbëve të armatosura në veri dhe barrikadave të vëna në këtë pjesë.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, të martën iu ka thënë gazetarëve se në rast të tensionimit të situatës, ky mision ushtarak është i gatshëm për intervenim.

“Ne jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm për të vepruar, nëse do të ketë rritje tensionesh. Mund të përdorim trupa edhe nga forcat rezervë të cilat ne mund t’i thërrasim brenda një afati të shkurtër”, ka thënë Luca Piperni.

Qytetarët që posedojnë automjete me targat ilegale të lëshuara nga Serbia, kanë kohë deri më 31 tetor që t’i regjistrojnë ato me targa RKS, të cilat i lëshon Kosova.

(koha.net, 20/09/2022)