Nga normalizimi drejt normalitetit

Dialogu Kosovë - Serbi duhet të zbresë tek qytetarët, në mënyrë që të jetë më produktiv dhe i zbatueshëm. Ky është vlerësimi që ka dalë nga Forumi për Siguri i mbajtur ditë më parë në Beograd, ku temë e rëndësishme e diskutimeve ka qenë edhe pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë

0
985

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk nënkupton vetëm dialog mes politikanëve, por edhe gjithëpërfshirje si mënyra e vetme për të shkuar drejt pajtimit të plotë mes popujve. Kështu u tha në Forumin për Siguri i cili është mbajtur më 11-13 tetor, në Beograd, ku temë e rëndësishme e diskutimeve ka qenë dialogu Kosovë-Serbi. Ky forum ka grumbulluar politikanë, analistë, diplomatë dhe përfaqësuesë të cilët në periudha të caktuara kanë qenë edhe bartës të proceseve. Njëri prej tyre është Ish-shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, njëkohësisht përfaqësues i BE-s në periudhën 2008-2011, Pieter Feith. Duke folur për New Perspektivën, zoti Feith theksoi domosdoshmërinë që dialogu të kalojë në një nivel tjetër. Megjithë arritjet, sipas tij, negociatat e deritashme mes Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë përmbushur pritjet e qytetarëve por as të bashkësisë ndërkombëtarë.

“Dialogu nuk është kuptuar ende sa duhet nga qytetarët e të dyja vendeve, kjo pasi nuk është dëgjuar zëri i tyre për marrëveshjet e arritura në Bruksel. Prandaj është e domosdoshme që të ndryshojë mënyra e dialogut dhe se nuk duhet të zhvillohet lart-poshtë. Nevojitet një angazhim e përkushtim prej poshtë-lartë. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë më mirë të informuar për qëllimet e dialogut, qoftë nga Bashkimi Evropian apo shtetet tjera,“ thotë Feith duke shtuar “pra, dialogu duhet të përmirësohet, dhe nëse kjo ndodh gjasat janë më të mëdha që dialogu të bëhet efektiv dhe i zbatueshëm,“ ka shtuar ai.

Peter Feith, ish-shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë

Feith ka folur edhe për mundësinë që Kosova dhe Serbia të shkojnë drejt normalizimit të plotë përmes një marrëveshje paqeje. 

“Nëse ka përkushtim që t’u shpjegohet qytetarëve shqiptarë dhe serbë nevoja për dialog, atëherë besoj se është e mundur të arrihet një zgjidhje apo marrëveshje paqeje.  Kjo do t’ia mundësonte Kosovës të jetojë e qetë në kontekstin rajonal,” ka deklaruar Feith, i cili tani ushtron funksionin e ndërmjetësuesit të mesëm në Institutin Evropian të Paqes në Bruksel.

Feith ka folur për domosdoshmërinë që Bashkimi Evropian të kthejë më shumë vëmendjen në rajonin e Ballkanit, për shkak të, siç ka thënë ai, sfidave me të cilat përballet rajoni, duke përmendur ndikimin turk dhe rus, rritjen e nacionalizmave, krimit të organizuar e korrupsionit, etj. 

Rivendosje e dialogut me mjete paqësore

“Dialogu Kosovë-Serbi” ka qenë tema që ka ngjallur më së shumti debat në kuadër të Forumit në Beograd. Përfaqësues nga Kosova dhe Serbia kanë prezantuar opinionet e tyre dhe domosdoshmërinë që të ndryshojë qasja në dialog. Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Đurić, ka deklaruar se qeveria e tij është plotësisht e angazhuar për rivendosjen e marrëdhënieve me Kosovën përmes dialogut dhe mjeteve paqësore. Ai ka theksuar se edhe diplomatët e huaj duhet të kenë parasysh atë se çka me të vërtetë duan shqiptarët dhe serbët në Kosovë.

“Në të kaluarën përfaqësuesit e qeverisë nuk janë kujdesur për të dëgjuar zërat dhe nevojat e qytetarëve kosovarë. Kjo ka ndodhur më 1949, 1974 dhe 1999 dhe për fat të keq vazhdon edhe sot,” ka thënë Đurić. Sipas tij, normaliteti arrihet edhe duke vendosur në qendër të vëmendjes aspektin ekonomik, që nënkupton zhvillim të qëndrueshëm dhe krijim të vendeve të reja të punës.

Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtić. Në krye të fjalës ai ka thënë se realiteti për politikanët nuk është gjithmonë realitet për qytetarët. “Realiteti nuk është i njëjtë në çdo pjesë të Kosovës dhe jeta e përditshme për serbët në veri është ndryshe nga ajo që zhvillohet në jug. Njerëzit atje përballen me sfida të ndryshme dhe kjo duhet të trajtohet nga udhëheqësit,” është shprehur Jevtić. Sugjerim i tij ishte që përfaqësuesit nga Beogradi dhe Prishtina të trajtojnë çështjet e tregtisë dhe turizmit, si mundësi për punësimin e qytetarëve. Jevtić gjithashtu theksoi se duhet trajtuar rastet e pronës së uzurpuar të serbëve. “Nuk mund të flasim për normalitet as për serbët as për shqiptarët nëse shtëpitë në Kosovë nuk u kthehen pronarëve legjitim,” tha ai.

Gashi: Të ndryshohet diskursi politik

Deputeti i LDK-s, Arben Gashi, që ishte për herë të parë ne Beograd, ka thënë se nuk mund të ketë normalitet përderisa zyrtarët serbë nuk fillojnë të ndryshojnë diskursin që përdorin në raport me Kosovën, si dhe nuk e pranojnë faktin se Kosova është shtet dhe ka institucionet e veta.

“Duhet të shihen realitetet e krijuara dhe Serbia duhet ta kuptojë këtë,” ka thënë Gashi. Ai ka kërkuar nga Marko Đurić dhe politikanët tjerë serbë që ta largojnë nga fjalori i tyre termin “Kosovë dhe Metohi”.

Sipas tij, Serbia duhet të bëhet më konstruktive duke ndryshuar kushtetutën dhe t’i thotë qytetarëve të vet se ka një realitet të ri. Hap drejt normalizimit, sipas Gashit, do të ishte edhe atëherë kur politikanët serbë të Kosovës nuk do të shkojnë tërë kohën në Beograd për opinionet e veta.

Kurse nënkryetarja e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Gordana Čomić, është përqendruar në zbatimin e marrëveshjeve, institucionalizimin e dialogut të brendshëm dhe përfshirjen e sa më shumë grave në procesin e normalizimit.

“Negociatat zvarriten më gjatë kur gratë përjashtohen nga procesi. Është e pranueshme që dialogu midis shqiptarëve dhe serbëve të lehtësohet nga evropianët dhe amerikanët, por për të arritur deri tek një marrëveshje ajo duhet të burojë prej palëve që janë në negociata,” ka thënë Čomić.

Kosova dhe Serbia dialogojnë prej vitit 2011, nga ai që fillimisht u quajt dialog teknik për të kaluar në negociata politike. Ndërkaq më 19 prill të vitit 2013 u nënshkrua “Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”. Por, shumë pika të marrëveshjes vazhdojnë të mos gjejnë zbatim në terren.

Analisti Ramadan Ilazi, i cili mandatin e kaluar ka shërbyer si zëvendësministër i Integrimit Evropian, ka përmendur problemin e Urës në Mitrovicë si shembull i mungesës së vullnetit për t’i implementuar marrëveshjet. Sipas tij, deri më tani ka munguar transparenca dhe llogaridhënia, gjë e cila ka bërë që qytetarët mos t’i besojnë dialogut.

“Nëse problemi i urës do të tejkalohej, kjo do të ishte simbolikë praktike në sytë e qytetarëve se si mund t’u ofrohet zgjidhje problemeve,” ka thënë Ilazi. Megjithëse Bashkimi Evropian ka kryer shumicën e punimeve përreth urës së Ibrit, rivitalizimi i saj ka mbetur peng i pjesës së papërfunduar nga komuna e Mitrovicës së Veriut në Sheshin “Mbreti Petër”.