Një nivel më i lartë

Duhet të pranojmë se tek ne politika ka mbushur çdo pore të shoqërisë, kështu që prej kohësh ka kaluar në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe mbi të gjitha në marrëdhëniet ndërnacionale. Dhe për t'i bërë gjërat edhe më keq, politikanizmi doli në skenën kryesore dhe atë tek të dyja palët, kështu që prej bazave aq të ulëta gjuajmë shënjestra të larta dhe, sigurisht, nuk është çudi që nuk ka rezultate sepse ndonjëherë kapacitetet tona janë aq të vogla sa nuk mund as të arrijmë të gjuajmë deri tek ato shënjestra të vendosura lart.

0
81

Asgjë e re në Perëndim, e në rastin tonë asgjë e papritur.  Me pak fjalë, kështu tingëllon rrëfimi pas marrëveshjes së arritur për targat. Ndërsa disa festojnë fitore të vogla, të tjerët e paraqesin këtë lëvizje si taktike dhe me një objektiv të qartë. E në përgjithësi, të dyja palët nuk kanë asgjë me çka të lavdërohen, përveç natyrisht shmangies së përshkallëzimit të konfliktit në buzë të të cilit ishim, ashtu siç e pohon edhe njëra edhe tjetra palë, thuajse ne vetë nuk ishim të vetëdijshëm për këtë. Por marrëveshja u bë dhe tani pyetja është se çfarë të bëhet pas kësaj, një pushim dimëror apo një fushatë për fitore të reja diplomatike. Ndërsa në Beograd euforia po qetësohet dalëngadalë, ndonëse sigurisht që ishte shumë më e vogël se në rastet e mëparshme të fitoreve, nga ana tjetër nga Prishtina dëgjohen thirrje se janë krijuar kushtet për të nisur një fazë të re të negociatave, përkatësisht atë përfundimtare, as më pak e as më shumë se për normalizimin e marrëdhënieve, edhe pse marrëdhëniet tona janë larg të qenit normale, pas gjithë këtyre fitoreve tona të vogla e të mëdha. Shtrohet pyetja se kush këtu nuk po e kupton si duhet situatën, sepse është e qartë se ndërsa negociatat përparojnë, situata në terren nuk ka qenë kurrë më e përkeqësuar, kështu që qytetarët, të cilët janë të vetmit përfitues përfundimtar të rezultateve të negociatave, janë mjaft të hutuar për nivelin në të cilin jemi tani dhe në të cilin duhet të ngritemi.

Gjatë rrjedhës së gjertanishme të negociatave, të cilat janë zvarritur pafundësisht dhe po zgjasin më shumë se kushdo që ka mundur të priste, u arritën disa zgjidhje dhe marrëveshje, por fatkeqësisht vetëm në letër. Në terren, ne nuk kemi lëvizur shumë nga pika e fillimit prej nga e kemi nisur gjithë procesin e negociatave. Në këtë çekuilibër të diplomacisë dhe situatës në terren fshehet politika, d.m.th. një pjesë e saj, që është ai interesi i lirë politik që shpesh quhet poen politik. Tingëllon si diçka sportive, edhe pse prej kohësh nuk ka asgjë sportive në këtë, e më së paku lojë të ndershme dhe arbitra të ndershëm. Hapësira e manovrimit po ngushtohet dhe manovrat po bëhen gjithnjë e më këqija, prandaj në një mjedis të tillë populli gjendet në një lloj mjegulle që errëson jo vetëm shikimin, por edhe perspektivën në përgjithësi.

Sido që të jetë, na pret faza e radhës, edhe pse ende nuk i kemi realizuar plotësisht as këto faza deri tani. E gjithë kjo do të ishte krejtësisht në rregull sikur në ato faza të mëparshme të mos fshihej baza mbi të cilën mbështetet e gjithë marrëveshja, e kjo është formimi i AKS-së, e është e qartë se autoritetet qendrore në Prishtinë nuk e kanë vënë atë çështje në agjendën e tyre, d.m.th. nuk e kanë vendosur as si një nga pikat. Përveç kësaj pike, janë edhe disa pika të tjera më pak të rëndësishme, por që sigurisht burojnë nga kjo, e cila thekson formimin e AKS-së prandaj lind pyetja tejet e logjikshme se si mund të mendojë dikush të niset në fazën finale nëse nuk i ka përmbushur as fazat e mëparshme! Por kaherë është e qartë se diplomacia dhe logjika, të paktën tek ne, nuk ecin paralelisht. Praktika juridike në botë është një model për të gjithë botën se si zgjidhen çështjet e kontestueshme, por jo edhe për ne këtu; tek ne, diplomacia është fryt i interesit, kurse logjika është një disiplinë e panevojshme që përdoret vetëm në një formë të shtrembëruar, sipas nevojës dhe si mjet i fundit. Është e paqartë se çka nënkupton kjo fazë tjetër, por sigurisht që do të duhej të ishte mbi baza të mira sepse pa një themel të qartë ajo është e dënuar me dështim dhe mosukses paraprakisht dhe para fillimit. Bazat janë vendosur në letër, por jo edhe në terren – praktika nuk e përcjellë teorinë, thënë me fjalor shkencor, dhe ky është një kusht pa të cilin nuk mund të bëhet në këtë rast.

Duhet të pranojmë se tek ne politika ka mbushur çdo pore të shoqërisë, kështu që prej kohësh ka kaluar në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe mbi të gjitha në marrëdhëniet ndërnacionale. Dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, politikanizmi doli në skenën kryesore dhe atë tek të dyja palët, kështu që prej bazave aq të ulëta gjuajmë shënjestra të larta dhe, sigurisht, nuk është çudi që nuk ka rezultate sepse ndonjëherë kapacitetet tona janë aq të vogla sa nuk mund as të arrijmë të gjuajmë deri tek ato shënjestra të vendosura lart.

 Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.