Një qasje pragmatiste mbi testet e dhuruara nga Serbia

Ndihma e Serbisë për Kosovën përmes dhurimit të 1000 testeve për luftimin e COVID-19 mund të ketë patur paramendime të ndryshme dhe vërtetë ka hasur në gjykime të llollojshme nga aktorë të ndryshëm. Megjithatë, veprimi me dobinë më të madhe për shtetin e Kosovës qëndron në të qenit pragmatik në këtë situatë. Kjo nënkupton që ndihma të shihet si përpjekje e dy shteteve për normalizim të marrëdhënieve dhe përfundimisht të kontribuojë në të ardhmën e përbashkët të të dy shteteve.

0
698

Ditë më parë shteti i Serbisë dhuroi një kontigjent prej 1000 testesh me qëllimin që të ndihmojë shtetin e Kosovës në betejën kundër pandemisë COVID-19. Natyrisht, një veprim i tillë nuk ka kaluar pa u vërejtur dhe për të njëjtin janë dhënë edhe opinione të ndryshme nga figura të ndryshme. Ndonëse ne vetëm mund të hipotezojmë për qëllimin e shtetit serb lidhur me këtë akt, është mirë që perceptimi i tij të jetë pragmatist. Për nevojat e këtij shkrimi, pragmatist do të definohet një perceptim i atillë i këtij akti si diçka që është në funksion me përpjekjet e të dyja shteteve për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Pra, edhe pse qëndrimet mbi këtë akt të Serbisë kanë variuar nga shumë pozitive (kryesisht nga bota e jashtme) deri te shumë negative nga spektri politik në Kosovë, narrativa zyrtare e shtetit të Kosovës për këtë akt do të duhej t’u shërbejë interesave afatgjatë të Kosovës. Një akt i tillë do të duhej ta kishte funksionin e njëjtë edhe për shtetin serb në politikat afatgjate integruese.

Natyrisht, siç edhe mund të jetë pritur, partitë opozitarë në Kosovë e kanë perceptuar pranimin e testeve si një veprim i cili asnjëherë nuk duhej bërë duke patur parasysh kontekstin historik të raportit Kosovë-Serbi. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ky donacion nga shteti serb është nënçmim për Kosovën “për paaftësi në raport me furnizimin e ligjshëm dhe të mundshëm në kohë përmes blerjeve të drejtpërdrejta apo donacioneve nga shtetet mike të Kosovës”. Në anën tjetër anëtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli shkon edhe më larg duke perceptuar pranimin e testeve si një lloj sjellje e cila u hap dyert planeve “ruse-serbe” në Republikën e Kosovës. Natyrisht, një reagim negativ nga ana e opozitës është i pritur por në rastin konkret nuk duket që ekziston një dimension patriotik. Nuk duket që ekziston ndonjë përfitim afatshkurtër për asnjë palë në shtetin e Kosovës nëse ky veprim shihet me tone nacionaliste apo që qeveria ka bërë një vendim të gabuar, sidomos në rrethanat e pandemisë.

Në fakt, një reagim të paktën neutral për situatën duket që sjell më shumë dobi. Një reagim që mund të konsiderohet neutral është bërë nga kryesuesja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila jep një intepretim të situatës që ndonëse kjo ndihmë nuk e fshin të kaluarën mes dy shteteve, duhet të perceptohet strikt brenda nevojave që na paraqiten nga situata. Reagimi i Vjosa Osmanit duhet të shihet si më konstruktiv. Pa dashur të hamendësojmë për prapavijën e veprimit të shtetit serb, supozimi që veprimi është bërë vetëm në kontekst të COVID-19 të paktën nuk sjellë ndonjë dëm për shtetin e Kosovës kur shikohet nga mekanizmat e jashtëm në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Qasja e tretë ndaj veprimit të Serbisë na vjen nga mediat ndërkombëtare. Pra, në mediat e ndryshme botërore si New York Times, NTV, Reuters, është shpërndarë lajmi se si shteti serb dhuron 1000 teste për Kosovën. Në fakt, në lajmin e ofruar nga agjencia Reuters, një zyrtar serb i përfshirë në këtë dhurim të testeve citohet të ketë thënë se “Beogradi ka shpërndarë testet pa asnjë kusht politik por vetëm me dëshirën për të ndihmuar në tejkalimin e këtij virusi”. Televizoni gjerman NTV edhe e ka lavdëruar këtë akt nga shteti serb. Pra, ndonëse intuitivisht do të mund të pajtoheshim që një veprim i tillë nga ana e Serbisë ka qenë komunikim politik për të portretizuar sjelljen korrekte ndaj Kosovës (efekti i të cilit edhe tashmë është arritur), prapë se prapë ky do të ishte vetëm një interpretim. Fakti do të mbetej vetëm se testet janë dërguar. Në këto rrethana kur të dy shtetet do të duhej që medoemos të shkonin drejt rregullimit të raportit të ndërsjellë, shteti i Kosovës do të duhej të tregohej pragmatik dhe të shprehet se e mirëpranon këtë ndihmë nga ana e Serbisë. Një qasje e tillë e Kosovës ku veprimi shpjegohet me tone pozitive do ishte më e duhura për momentin për arsyen e vetme që është një hap përpara në agjendën e përbashkët evropiane për të dy shtetet dhe kjo përfaqëson racionalitetin më të madh për situatën e tanishme.

Pra, ndihma e Serbisë për Kosovën përmes dhurimit të 1000 testeve për luftimin e COVID-19 mund të ketë patur paramendime të ndryshme dhe vërtetë ka hasur në gjykime të llollojshme nga aktorë të ndryshëm. Megjithatë, veprimi me dobinë më të madhe për shtetin e Kosovës qëndron në të qenit pragmatik për këtë situatë. Kjo nënkupton që ndihma të shihet si përpjekje e dy shteteve për normalizim të marrëdhënieve dhe përfundimisht të kontribuojë në të ardhmën e përbashkët të të dy shteteve.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.