Një restorant ku shijohet ushqimi pa dallime etnike

Një restorant në një fshat të Anamoravës është prej vendeve të rralla të cilin e frekuentojnë myshterinj serbë e shqiptarë për, siç thonë me plot gojën, ushqimin cilësor që ofron.

0
82

Ushqimi është pjesë e rëndësishme e jetës së njeriut dhe disa kanë preferenca të veçanta sa të hulumtojnë për një vend që shërben ushqim të mirë. 

Në njërën prej komunave më multietnike të Kosovës, atë të Gjilanit, në fshatin Shillovë ndodhet një restorant i tillë.

Shillova banohet nga serbë dhe shqiptarë, por që jetojnë të ndarë në ato që njihen si Shillova e Muhaxherëve dhe Shillova e serbëve.

Restoranti “Kum” e ka një veçanti, pasi i bashkon serbët dhe shqiptarët, e “fajtori” për këtë është pronari i këtij restoranti që ofron ushqim cilësorë i cili tërheqë klientë nga e gjithë Anamorava.

Dy djem të rinj të viteve të 30-ta, shqiptarë nga Gjilani, të cilët kërkuan që të mos u botohen emrat, vijnë shpesh te ky restorant, për një arsye të veçantë – ushqimi i mirë i cili, siç thonë ata, shijon shumë. 

G.Z. tregon për New Prespektivën se si ka dëgjuar për këtë vend të cilin e frekuenton tani që 3 vite.

“Ushqimi i mirë më shijon shumë, sidomos mishrat; me shoqni kemi vizitu shumë vende dhe kemi shiju shumë ushqim të mirë, por me këtë restorant këtu se ndërroj asnjë. Këtu kam ardhë rastësisht, m’ka ftu një shok edhe i thashë ‘hajt se po vi’, pas asaj dite vij rregullisht, bile i kam ftu shumë shokë këtu të cilëve u pëlqen ushqimi”, thotë ai. 

Ai tregon se cilin ushqim e konsumon më së shumti edhe çka i pëlqen më së shumti. 

“Këtu e shijoj kaçikun, i cili ka shumë shije edhe është i veçantë; po ashtu edhe mishi i bardhë është shumë i mirë. Përveç këtyre, zakonisht pjesë e mënysë time janë specat e fërguar, pomfriti, djathi dhe super sallata e shpisë e cila është më e mira”, tregon ai. 

Pronari i këtij lokali tregon se restoranti tij frekuentohet nga myshterinj serb dhe shqiptarë nga Kosova.

Ai tregon se deri më tani nuk ka pasur asnjë problem dhe të gjithë e shijojnë ushqimin me shumë endje.

“Këtu kam myshterinj nga e gjithë Kosova, nga të gjithë nacionalitetet. Janë të kënaqur me shërbimet, pakënaqësi nuk ka. Vijnë prej moshave të ndryshme, nga 20 vite e deri në moshë të shtyer”, tregon ai.

Pronari i këtij restoranti tregon se me të rinjtë e ka të vështirë komunikimin pasi ata nuk e flasin gjuhën serbe e ky nuk e flet mirë gjuhën shqipe.

“Ndonjëherë kam problem në komunikim me të rinjtë, ndërsa me të vjetrit nuk e kam problem pasi e njohin mjaft mirë gjuhën serbe. Ushqimet që i servojmë ne janë të llojllojshme, i kemi të gjitha llojet e mishrave prej skarës, sallata, speca, turshi, djath”, tregon ai.

I.J., i cili i ka mbi 40 vite, thotë se këtu ka ardhë me ftesë të një shokut, e që i ka pëlqyer ushqimi dhe kur ka kohë të lirë vjen me shoqni.

“Një shok i imi më ka thënë, hajde se e di një vend ku ka ushqim të mirë; ushqimi më ka pëlqy, sidomos mishi dhe sallatat e specat, prandaj kurdo që gjej kohë vi me shoqni ktu e pimë ndonjë birrë e hajmë mish” tregon ai.