Një vit më të vjetër

Kaloi edhe një vit dhe natyrisht siç e do rendi duhet të bëhet bilanci si në planin personal ashtu edhe në atë global. Të nënvizohen të gjitha ato që janë bërë por edhe ato gjëra që i kemi lënë të kryhen gjatë vitit tjetër.

0
1005

Kaloi edhe një vit dhe natyrisht siç e do rendi duhet të bëhet bilanci si në planin personal ashtu edhe në atë global. Të nënvizohen të gjitha ato që janë bërë por edhe ato gjëra që i kemi lënë të kryhen gjatë vitit tjetër.

Meqenëse tematika e kësaj faqeje ka të bëjë me realizimin e arritjeve të qytetërimit në Kosovë, ne do të merremi me këtë, sepse në thelb kjo është ajo që ndikon edhe tek ne personalisht dhe kështu disi fati na lidh që të arrijmë çdo gjë që këtë shoqëri duhet ta bëjë më mirë. Në fund të fundit, thelbi i çdo gjëje edhe është Njeriu, si figurë qendrore, e cila është masa e të gjithave.

Viti i kaluar 2015 në Kosovë rrodhi në të njëjtën mënyrë si herë të tjera me përjashtim të disa rasteve të veçanta që e bënë atë në një mënyrë më interesante.

Procesi i negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës ka vazhduar me plot intensitet, pa ndonjë dëshirë tepër të madhe të palëve negociuese, por sigurisht me një përkushtim të madh të atyre që inicuan këtë proces dhe që iu ofruan strehë palëve negociuese. Palët negociuese gjatë negociatave ia bartin një pjesë të kompetencave të tyre njëra-tjetrës mbi një pjesë të territorit të tyre, por edhe për një pjesë të popullatës së tyre. Sigurisht e pyesni veten se për cilin territor dhe cilin popull bëhet fjalë. Kjo është në këtë moment çështja e të gjitha çështjeve. Edhe pse në dukje e qartë, në këtë pyetje është shumë e vështirë të jepet një përgjigjje. Nëse flasim për territorin për Serbinë, kjo është e tërë Kosova dhe (Metohia), ndërsa për Kosovën ai territor është veriu i Kosovës. Do të ishte shumë interesante t’i pyesim të dyja palët negociuese për cilin territor mendojnë ata kur flasin për këtë. Kjo do të ishte për ta një pyetje provimi për të cilën nuk do të kishin përgjigje dhe kështu do të kishin rënë në provim. Kushedi, ndoshta ajo rënie në provim do t’i detyronte të mësonin më shumë dhe të jenë më të rregullt. Nënshkrimet në marrëveshje tregojnë se ata ranë dakord për diçka, por se njerëzit nuk duhet të dinë këtë; populli është aty vetëm si një lloj i dëmit kolateral dhe për këtë arsye nuk ka të drejtë të dijë se çfarë po vendos në emër të tij ai të cilit ia ka besuar votën e vet në zgjedhje. Populli, pra nuk është i denjë për këtë.

Derisa Beogradi shpjegon se çdo gjë bëhet me qëllim të jetës më të mirë për qytetarët e tij në Kosovë, të njëjtën gjë e thotë edhe Prishtina në emër të vet, duke shpjeguar (ose justifikuar) nënshkrimin e vet në këtë dokument. Të dyja palët në mënyrën e tyre i ikin përgjegjësisë për atë që është bërë. Por edhe ne si njerëz të zakonshëm duhet të kemi besim, ose bile mirëkuptim për gjithçka që është bërë. Ndërsa për Serbinë e gjithë kjo ishte një kusht për hapjen e kapitujve negociues për anëtarësim në BE, për Kosovën në anën tjetër e tërë kjo ishte një kusht për liberalizimin e vizave, por edhe për nënshkrimin paraprak të MSA-së me BE-në. Natyrisht, edhe njërës edhe tjetrës palë edhe atëherë iu vendos një kusht, apo thënë më mirë, një ultimatum. Serbia nga të gjithë kapitujt e tjerë mori si të parin kapitullin 35, i cili ka të bëjë me sferën politike, d.m.th. me normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje që natyrisht në mënyrë indirekte ka të bëjë edhe me Kosovën. Kurse Kosova si kusht mori formimin e Bashkësisë, përkundër protestave të opozitës si në Parlament ashtu edhe nëpër rrugë të kryeqytetit dhe qyteteve tjera më të mëdha. Duke hyrë në lojën politike të fjalëve, edhe njëra edhe tjetra palë prapë i thonë popujve të tyre që e tërë kjo është e mirë për ta, por populli si i tillë nuk është i vetëdijshëm për këtë sepse po të dinte më shumë dhe më mirë ai mbase do të bënte zgjedhje më të mirë në zgjedhje, por natyrisht nuk do të flasim për këtë, liritë politike janë të garantuara me Kushtetutë. Kur jemi tek Kushtetuta, edhe ato do të pësojnë ndryshime sepse gjykuar sipas tyre (Kushtetutës së Serbisë dhe Kushtetutës së Kosovës) edhe territori edhe populli i takojnë edhe njërës edhe tjetrës palë. Shtrohet pyetja a është populli në të vërtetë një fëmijë me dy nëna apo megjithatë do të mbetet jetim. Frikohem që kjo e dyta ka më shumë gjasa të ndodhë.

Viti në fund përfundoi me një ton qetësues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila propozimin për formimin e Bashkësisë së komunave serbe e vlerësoi si një akt i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhepse ka nevojë që disa pjesë të këtij akti të harmonizohen edhe me Kushtetutën e lartëpërmendur, por këto janë vetëm disa riparime kozmetike të asaj që tashmë është kryer.

Për secilin që është normal është e qartë se Bashkësia duhet të formohet, por ajo që nuk është e qartë (veçanërisht jo për serbët) është se çfarë në fakt do të paraqesë ajo për popullin serb në Kosovë derisa për shqiptarët nuk është e qartë nëse kjo do të thotë ushtrim apo humbje e sovranitetit mbi një pjesë të territorit të saj. Por gjithsesi ja na erdhi viti 2016 në të cilin të dyja palët negociuese duhet të bëjnë sa më shumë të jetë e mundur për plotësimin e kushteve të vendosura sepse çdo përparim i ardhshëm i të dyja palëve negociuese është ngushtë i lidhur me punën në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshiruam ne këtë apo jo.

Pas të gjithave, edhe jemi një vit më të vjetër, por a jemi edhe më të mençur, kjo mbetet të shihet…