Njëmbëdhjetë vjet asgjë, pa gjasa për ndonjë gjë

BE-ja, si ndërmjetësuese dhe garantuese e marrëveshjeve të arritura, nuk ka më çfarë t'u ofrojë palëve në mënyrë që ato të respektojnë detyrimet e marra dhe që fjala BE të nënkuptojë diçka, por as Bashkimi Evropian nuk brengoset shumë rreth kësaj çështjeje.

0
315

Viti 2022! Lajčak dhe Escobar në vizitë në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të dakorduar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e sponsorizuar nga BE-ja. Asgjë e çuditshme, do të thuhet, që ndërmjetësuesit në dialog të vizitojnë palët në dialog për të harmonizuar qëndrimet dhe për të rënë dakord për zbatimin me qëllimin që të ecin përpara në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Por le të kthehemi 8 vite mbrapa. 

Viti 2014 dhe unë po shkruaj tekstin e parë për New Perspektivën, i pari nga të shumtët që do të shkruaj në vitet që do të pasojnë. Një vit para kësaj date ishte arritur “Marrëveshja e Brukselit”, ku një nga pikat e marrëveshjes ishte formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në të gjitha ato tekste dhe në vitet që pasuan, është përshkuar tema e Asociacionit, marrëdhënieve ndëretnike, bashkëpunimit, avancimit të shoqërisë, tolerancës, por edhe e integrimit evropian të Serbisë dhe Kosovës.

Dhe kështu erdhëm tek momenti aktual, 11 vjet nga fillimi i dialogut, 9 vjet nga nënshkrimi i “Marrëveshjes së Brukselit”, 8 vjet nga teksti im i parë për New Perspektivën, unë sërish ulur pranë kompjuterit dhe po shkruaj një tekst për një temë që kam ndjenjën se e kam trajtuar herë të panumërta. Për këtë temë janë thënë të gjitha gjërat e mundshme e të pamundshme, kurse situata reale në terren nuk ka lëvizur nga pika e vdekur gjatë gjithë këtyre viteve.

Le të shohim se çfarë ka ndryshuar në këtë periudhë gjatë së cilës dialogu nuk dha asnjë, ose pothuajse asnjë rezultat real. Do të filloj me një palë shumë të rëndësishme në dialog, e cila formalisht edhe nuk është palë në dialog – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Në kohën kur filloi dialogu, president i SHBA-së ishte Barack Obama, Pranvera Arabe po merrte hov, SHBA ishte ende hegjemoni i botës dhe një shtet që pyetej pak a shumë për gjithçka që ndodhte në botë. Ndërkohë, shumë gjëra të mëdha kanë ndodhur, Donald Trump u bë president, gjë e cila është kuriozitet në vetvete, SHBA ndryshoi qëndrimin ndaj botës dhe u fokusua më shumë në rrethanat e brendshme. U nënshkrua edhe Marrëveshja e Uashingtonit për nevojat e qëndrimit të Trumpit në pushtet, e gjithashtu pa ndonjë efekt real në terren. Trump humbi pushtetin. Joe Biden u inaugurua si presidenti i ri i SHBA-së. Erdhi deri tek tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani. Disa faktorë të tjerë po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Gjatë asaj kohe, Serbia pothuajse është zhytur në totalitarizëm. Është bërë një vend ku institucionet thuajse nuk ekzistojnë, e edhe ato që ekzistojnë i nënshtrohen vullnetit të partisë në pushtet, për të mos thënë kryetarit të asaj partie. Raporti ndaj Kosovës, e mbi të gjitha ndaj serbëve në Kosovë, ka mbetur i pasinqertë, do të thosha edhe i pakujdesshëm aq sa kjo do të ishte normale të jetë. Por ata nuk janë të parët me një raport të tillë. Pritet dëgjueshmëri absolute, çdo mendim tjetër është pothuajse i dënueshëm, ka etiketime nga të gjitha anët, e situata në terren – e pandryshuar! Përveç asaj që i është lënë tashmë institucioneve të Kosovës, po ruhet edhe status quo-ja! Strategji askund as në horizont, problemet zgjidhen ad hoc, përgjegjësia nuk merret mbi vete në asnjë mënyrë!

Kosova… ai shtet i njëjtë i papërfunduar siç ishte edhe në fillim të negociatave, me diçka më shumë kompetenca kur është fjala për jetën e serbëve në Kosovë në raport me momentin e fillimit të dialogut. Nuk ka ende një sovranitet të plotë në të gjithë territorin, progres në shtetndërtim pak, njohje definitive ndërkombëtare aspak, një jetë më e mirë në Kosovë as nuk shihet në horizont, por autobusë përplot që nisen jashtë Kosovës gjithsesi. Ish-liderët në paraburgim për gjyq për krime, udhëheqësit aktualë të vrullshëm, kokëfortë, nuk duan as ashtu si duan ata, me gjithnjë e më pak mirëkuptim midis miqve perëndimor për veprimet e tyre.

Ndoshta edhe më e rëndësishmja – Bashkimi Evropian. Nga një institucion me integritet, një institucion shembull për të gjithë, një kampion i demokratizimit, i të drejtave dhe i të gjitha vlerave të proklamuara të Mastrihtit, ka mbetur, guxoj të them, një guaskë boshe. Nga një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo është bërë një palë që nuk konsultohet për mosmarrëveshjet në vetë kufijtë e saj (kriza në Ukrainë) porse këtë po e bëjnë Rusia dhe SHBA. E pushtuar nga problemet e saj, që nuk janë as afër zgjidhjes, ajo thërret për reforma që nuk po zbatohen, e ka humbur shkëlqimin e vjetër që i tërhiqte të gjitha vendet në tranzicion, vende nga sfera e interesit të saj. Aq sa tani kemi një proces anëtarësimi për hir të procesit, një dialog për hir të dialogut, komunikata për hir të komunikatave, pa gjasa reale për ndonjë rezultat në këto procese dhe definitivisht pa ndikim konkret në gjërat momentale që po ndodhin. Palët në dialog i dëgjojnë me mirësjellje se çfarë kanë për të thënë përfaqësuesit e BE-së, por sikur sipas një rregulli, prapë bëjnë atë që duan të bëjnë. Duket se as nuk ka më një dëshirë të sinqertë për integrim në BE në shumicën e vendeve që janë në procesin e para-anëtarësimit. dhe definitivisht dhe sigurisht nuk ka një dëshirë të sinqertë brenda BE-së për zgjerim të mëtejshëm, gjë që në fund të fundit edhe nuk fshihet, porse është thënë qartë disa herë. 

Kjo na sjellë deri te pjesa e përgjigjes përse gjërat nuk po lëvizin nga pika e vdekur për më shumë se një dekadë. Thjesht, BE-ja, si ndërmjetësuese dhe garantuese e marrëveshjeve të arritura, nuk ka më çfarë t’u ofrojë palëve në mënyrë që ato të respektojnë detyrimet e marra dhe që fjala BE të nënkuptojë diçka, por as Bashkimi Evropian nuk brengoset shumë rreth kësaj çështjeje. Thjesht, derisa të zgjidhë problemet e veta, derisa nuk reformohet në mënyrë që të rivendosë funksionalitetin dhe që vetë anëtarët e saj të respektojnë parimet mbi të cilat edhe është themeluar BE-ja, nuk ka shpresë se do ta merret më seriozisht me dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e aq më pak ka shpresa se do të ketë diçka konkrete për t’u ofruar të dyja palëve!  

Deri atëherë, status quo-ja duket se është diçka që u përshtatet të gjithëve. Autoriteteve të Serbisë që të mos  u duhet të ndërmarrin hapa të pashmangshëm dhe të dhimbshëm në procesin e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës, dhe që të mos rrezikojnë rejtingun e vet dhe mbetjen në pushtet. Autoriteteve të Kosovës që të mos duken të dobët në mesin e qytetarëve të tyre, sepse në procesin përfundimtar do të duhej të bënin disa lëshime të cilat sigurisht nuk janë të popullarizuara në mesin e popullit të Kosovës. “Tregtarëve jozyrtarë” (që të shprehem ashtu bukur) status quo u garanton privilegje sikur edhe deri më tani, profit shtesë që në asnjë variant të zgjidhjes përfundimtare nuk do të jetë më. Kurse për komunitetin ndërkombëtar, një lloj stabiliteti në këtë regjion. Pa shumë turbullira, me të njëjtët faktorë në pushtet, me grupe interesi të vendosura, një stabilokraci është diçka e sigurt dhe diçka që i jep kohë BE-së të mbledhë veten… apo ndoshta edhe jo!

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.