Normalizimi fqinjësor dhe integrimi në BE

Që nga fillimi, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë është kritikuar për mungesë transparence por sipas njërit prej ministrave të qeverisë së Kosovës, kjo mund të ndryshojë në vazhdim. “Jam plotësisht i vetdijshëm se ka nevojë për më shumë transparencë për të marrë mbështetjen e njerëzve për këtë proces,” tha Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, duke iu përgjigjur pyetjes së shtruar nga New Perspektiva pas një ligjërate në London School of Economics (LSE), në Londër javën e kaluar. Ai shtoi se do të bëhen përpjekje për të qenë më transparent se në të kaluarën, sepse tani - pas Marrëveshjes së parë mbi parimet... të arritur në 2013 - duket se është më lehtë dhe situata nuk është si në 2011 kur filloi dialogu. “Ishte aq vështirë thjesht vetëm për të realizuar takimin e parë, e mund ta imagjinoni se sa i tendosur ka qenë takimi i parë!”

0
1072

Që nga fillimi, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë është kritikuar për mungesë transparence por sipas njërit prej ministrave të qeverisë së Kosovës, kjo mund të ndryshojë në vazhdim. “Jam plotësisht i vetdijshëm se ka nevojë për më shumë transparencë për të marrë mbështetjen e njerëzve për këtë proces,” tha Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, duke iu përgjigjur pyetjes së shtruar nga New Perspektiva pas një ligjërate në London School of Economics (LSE), në Londër javën e kaluar. Ai shtoi se do të bëhen përpjekje për të qenë më transparent se në të kaluarën, sepse tani – pas Marrëveshjes së parë mbi parimet… të arritur në 2013 – duket se është më lehtë dhe situata nuk është si në 2011 kur filloi dialogu. “Ishte aq vështirë thjesht vetëm për të realizuar takimin e parë, e mund ta imagjinoni se sa i tendosur ka qenë takimi i parë!”

Ish-këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi në kohën e nisjes së dialogut, zoti Çollaku shpjegoi se për shkak të mënyrës se si është ndërtuar procesi nuk ka qenë gjithmonë e mundur të informohen njerëzit saktësisht se çfarë ndodhte. “Nuk mund të informosh pas çdo raundi bisedimesh për të gjitha hollësitë teknike sidomos kur nuk dihet nëse do të arrihet a jo ndonjë marrëveshje sepse nëse zbulon çdo gjë atëherë rrezikon marrëveshjen; të dyja palët negociojnë fuqishëm deri në momentin e fundit kur vënë siglën në letër.

“Pa marrë parasysh këtë,” tha zoti Çollaku, “edhe në të kaluarën edhe tani kemi parë që Kryeministri duhet të raportojë në parlament dhe kjo kërkohet me rezolutën e miratuar nga parlamenti”.

Duke folur për rëndësinë e dialogut dhe për “ndikimin indirekt” mbi procesin e integrimit në BE për të dyja vendet, zoti Çollaku tha se edhe Serbia edhe Kosova deri në një masë të madhe vlerësohen edhe për përparimin e shënuar në implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe kjo “gjithmonë reflektohet edhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian por edhe në të gjitha fazat e procesit të integrimit në BE”.

“Për Serbinë për shembull e cila është në një etapë shumë më të avansuar në këtë proces është thuajse e pamundur t’i hapë disa kapituj të caktuar në procesin e negociatave për anëtarësim nëse nuk japin rezultate në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel,” tha zoti Çollaku.

Nga ana tjetër, me Marrëveshjen e Brukselit, tha ai, Kosova, “për herë të parë është parë e aftë të negociojë vetë çështjet e saj me rëndësi jetike; ajo i ka ndihmuar Kosovës të përmirësojë sovranitetin e saj të brendshëm; të normalizojë vendin… dialogu ka kontribuar në përfshirjen e serbëve, bashkë me të gjithë serbët nga veriu… ka pasur progres sa i përket integrimit të policisë; tani kemi edhe marrëveshjen mbi drejtësinë të arritur muajin e kaluar dhe kjo do të përmirësojë situaten atje por ka edhe sfida.” Një prej këtyre sfidave, sipas zotit Çollaku është se “ende nuk ia kemi dalë të fitojmë lojalitetin e qytetarëve serb në nivelin e duhur dhe ata edhe më tej janë më besnik ndaj institucioneve në Serbi sesa ndaj institucioneve të tyre në Kosovë, pa marrë parasysh se marrin pjesë në institucionet e Kosovës.

“Kjo do të marrë kohë por sa më shumë që Serbia i afrohet BE-së, aq më pak ndikim do të kenë mbi serbët në Kosovë dhe kjo është mirë për ne dhe shumë më mirë për vetë serbët e Kosovës sepse atëherë nuk do të jenë në situatë sanduiçi – kujt t’i besojnë apo me kë duhet të punojnë – sepse ata duhet ta dijnë se jetojnë në Kosovë dhe e ardhmja e tyre është aty dhe nuk është e lidhur direkt më Beogradin. Ne kurrë nuk do të vëmë në dyshim të drejtën e Serbisë të tregojë interesim e madje edhe të japin donacione financiare apo tjera për serbët e Kosovës por kjo duhet bërë në mënyrë ligjore e transparente dhe vetëm kështu mund të ndodhë.”

Sa i përket momentit në të cilin ndodhet procesi, zoti Çollaku tha se “është koha që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të diskutojnë seriozisht se si planifikojmë t’i qasemi fundit të këtij procesi, sepse është arritur shumë progres dhe edhe më shumë mund të bëhet këtë vit.

“Po arrijmë në një etapë kur duhet të bëjmë analizë serioze; ku duam të shkojë ky proces, kur mendojmë se është koha e duhur për t’i dhënë fund dhe cili duhet të jetë qëllimi përfundimtar, sepse ai nuk duhet të vazhdojë përgjithmonë.”

Si arsye për këto, ministri Çollaku përmendi faktin se dialogu “po merr kohë dhe po i shkakton qeverisë shpenzime, me dhjetëra zyrtarë të cilët duhet të udhëtojnë (në Bruksel) për secilin raund.”