Në vargun e mini-debateve nga New Perspektiva, bashkë me Milica Andrić Rakić-in nga Iniciativa e Re Sociale, dhe Kreshnik Gashin, redaktor menaxhues në Kallxo.com, diskutuam për përfaqësimin e serbëve, me theks të veçantë serbët e Kosovës, në mediat shqiptare të Kosovës dhe në debatet për temat që i prekin ata.
Milica Andrić Rakić, si aktiviste e shoqërisë civile dhe analiste, a mund të na tregoni perceptimin tuaj se sa janë të përfaqësuar serbët, veçanërisht serbët e Kosovës, në mediat shqiptare të Kosovës?
Milica Andrić Rakić: Unë besoj se ata nuk janë të përfaqësuar mjaft. Kohë pas kohë unë jap deklarata për mediat që raportojnë në gjuhën shqipe. Kjo në përgjithësi nuk paraqet ndonjë problem dhe në fakt goxha shpesh mund të shihni këtu ekipe televizive nga mediat që raportojnë në gjuhën shqipe, pra, ka mbulueshmëri. Por mendoj se në mbulimet e tyre ka mungesë të konsiderueshme të komunitetit serb në Kosovë dhe të opinioneve të tyre. Kur ne japim deklarata, zakonisht japim për reportazhe të shkurtra, të cilat rëndom zgjasin dy-tre minuta; pak a shumë ata shkëpusin vetëm një a dy fjali dhe kjo është e tëra. Dhe temat të cilat aktualisht diskutojmë në lidhje me regjistrimin janë aq të hollësishme dhe aq teknike, sa u duhet një hapësirë mjaft e madhe. Andaj, unë besoj se qëndrimet tonat nuk përfaqësohen sa duhet dhe koha e cila na kushtohet nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar në mënyrë të plotë pozitën e komunitetit serb në Kosovë, dhe kjo mendoj se ka ndikim serioz në perceptimin e shumicës së komunitetit, por edhe në disa prej vendimeve të qeverisë. Kam një ndjenjë se ata nuk e kuptojnë tërësisht situatën në veri; nuk e kuptojnë tërësisht se me çfarë çështjesh përballen këtu dhe prandaj që nga shtatori i vitit 2021, që kur nisi çështja e tabelave të regjistrimit të automjeteve, akoma nuk po shohim ndonjë zgjidhje dhe kjo për shkak të mungesës serioze të raportimit të rrumbullakësuar mirë për veriun.
NP: Para se të flasim për arsyet për këtë, Kreshnik Gashi, a ndani mendimin e njëjtë dhe ju me Milicën për këtë çështje?
Kreshnik Gashi: Unë pajtohem me Milicën se të dyja komunitetet këtu raportojnë vetëm për ngjarjet e komunitetit të tyre, pa përfshirë palën tjetër apo ngjarjet e komunitetit tjetër. Këtë problem e hasim në të gjitha komunat ku jetojnë serbët. Nuk kemi raportime në mediat shqiptare për problemet që serbët kanë në jetën e tyre të përditshme. Nuk mund të gjeni raportime në mediat kryesore shqiptare për atë se çfarë ngjan në Graçanicë, dhe Graçanica ndodhet vetëm 5 km nga Prishtina, apo ngjarjet në Gjilan dhe rreth asaj se çfarë ngjan në Partesh, në Ranillug apo në rajone të tjera. Mendoj se ka një boshllëk shumë të madh ndërmjet të dyja komuniteteve të gazetarëve këtu në Kosovë, dhe mendoj se redaksitë këtu duhet të vendosin që të përfshijnë atë që serbët mendojnë për problemet që kemi në shoqërinë tonë. Në lidhje me këtë, shohim gjithashtu se kemi probleme në qasjen te komunitetet, ngase duhet të theksojmë që nëse shkojmë në vendbanimet e komunitetit serb, është shumë e vështirë të zhvillosh ndonjë intervistë me ta; kemi shumë pengesa në gjuhë, ka shumë stigmë gjithandej, një gazetar shqiptar që shkon në Graçanicë do të ketë probleme. Prandaj duhet të punojmë për besimin e njerëzve, ashtu që ata t’i besojnë medias, të bisedojnë me ta, të flasin për problemet e tyre të vërteta. Kemi shumë raste kur përpiqemi të raportojmë madje edhe për gjërat e vogla në këto lloj komunitetesh dhe ata e shohin si problem që të flasin me median, ngase nuk ndihen të sigurt të flasin me një gazetar shqiptar ngaqë besojnë se nuk ndodhen aty për interesin e publikut, por janë të lidhur me dikë. Andaj, ne duhet të punojmë me komunitetin e t’ua bëjmë me dije se gazetarët ndodhen aty për hir të interesit publik, jo për interesin e ndonjërit prej komuniteteve. Mendoj se duhet të punojmë po ashtu me institucionet, sepse kemi shumë probleme për të pasur qasje te njerëzit që punojnë në kuvende komunale, në shkolla dhe në komunat serbe. Dhe, i njëjti problem ndodh edhe me gazetarët serbë të cilët orvaten të kenë qasje nëpër institucionet e Kosovës. Kanë shumë pengesa gjuhësore dhe probleme të ngjashme. Kësisoj, duhet të punojmë për këtë dhe të gjejmë një mënyrë se si të bëjmë raportim të mirë rreth këtyre çështjeve dhe të përpiqemi gjithashtu të kemi lidhje shumë më të mira ndërmjet gazetarëve shqiptarë dhe atyre serbë që të punojnë bashkë për reportazhe të ndryshme.
NP: Milica, u përmendën pengesat gjuhësore, stigma, vështirësitë për qasje te komuniteti serb i Kosovës. A pajtoheni se ato janë arsyet kryesore?
Milica Andrić Rakić: Absolutisht! Në rend të parë është pengesa gjuhësore, pastaj, natyrisht, edhe çështja e sigurisë. Mbase unë vetëm mund të shtoj se, më korrigjoni nëse gaboj, por Kosova ka një kulturë mjaft të zhvilluar të debatit. Ato fillojnë vonë në mbrëmje dhe pastaj shumica e komuniteteve është aty, por nuk ka pothuajse asnjë përfaqësues posaçërisht të komunitetit serb të Kosovës, siç ngjan zakonisht kur shfaqen tensione politike. Ky është problemi. Prapë, ky problem është edhe i natyrës teknike. Nuk është aq e lehtë për banorët e veriut të shkojnë në Prishtinë, të jenë atje natën aq vonë. Stacioneve televizive u kushton shumë përkthimi… në fakt ka një numër mjaft i vogël serbësh që flasin mjaftueshëm mirë gjuhën shqipe për të dalë në debate të drejtpërdrejta publike në televizione. Ndaj, mendoj se mediave u kushton shumë përkthimi, por e gjithë kjo ka ndikim të madh në perceptimet e komuniteteve për njëri-tjetrin, mirëpo më i keq mendoj se është perceptimi i qeverisë ngaqë kjo ndikon në vendimmarrjet e tyre në lidhje me komunitetin serb. Kjo do të thoja është përkeqësuar edhe më shumë me marrëdhëniet e përkeqësuara të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, të cilat nuk kanë qenë aq të këqija qysh prej vitit 2013, kur Srpska Lista hyri në arenën politike të Kosovës. Andaj, e tërë kjo i kontribuon një niveli të lartë keqkuptimi të motiveve të njerëzve, çështjeve dhe problemeve me integrimin e tyre. Prandaj kjo është mjaft shqetësuese dhe nëse nuk ndalet, nuk shoh ndonjë mënyrë sesi mund të mbërrijmë te një pikë ku kemi një shoqëri tërësisht të integruar dhe funksionale.
NP: A është e mundur të përmirësohet situata? A ka ndonjë nismë të shoqërisë civile, meqë ekziston një bashkëpunim mjaft i madh mes pjesëtarëve të shoqërisë civile shqiptare dhe asaj serbe, por kjo disi nuk pasqyrohet në media.
Milica Andrić Rakić: Nuk është vetëm çështja te pasqyrimi sa është te nxjerrja e këtij bashkëpunimi nga ky numër aq i kufizuar njerëzish, i cili është sektori civil i Kosovës. Prandaj, e them prapë, ne bashkëpunojmë më së shumti në gjuhën angleze, dhe e përdorim në përkthime pjesën më të madhe të burimeve, çka nuk është krejt e përsosur, por është e vetmja mënyrë e gjithëpërfshirjes. Ndaj, e vetmja zgjidhje afatgjatë për këtë është thyerja e pengesave gjuhësore dhe mësimi i gjuhëve, dhe më në fund ka një iniciativë, ose në fakt, Departamenti i Studimeve Ballkanistike më së fundi është funksionalizuar brenda Universitetit të Prishtinës. Pra, ky është fillim, por definitivisht duhet të kthejmë mësimin e gjuhëve në shkolla të mesme dhe fillore, çka tani për tani duket si një e ardhme tejet, tejet e largët, duke pasur parasysh situatën e marrëdhënieve ndëretnike. Mirëpo, periudha ndërmjet viteve 2013 dhe 2015, të cilën unë e quaj epokë të artë të marrëdhënieve, të paktën ndërmjet përfaqësuesve politikë serbë dhe Qeverisë së Kosovës, na tregon se kjo mund të ndryshojë mjaft shpejt, por definitivisht duhet pasur një vullnet serioz, por pa i thyer pengesat gjuhësore, media nuk mund të bëjë ndonjë gjë të madhe që nuk kërkon fonde të mëdha, ngase, siç pohova, shkoqitja e deklaratave të shkurtra, nga pesëmbëdhjetë sekonda nga fjalitë nuk është e mjaftueshme që të shpjegohen të gjitha hollësitë e disa prej çështjeve me të cilat përballet komuniteti serb në Kosovë, qoftë në veri a në jug.
NP: Kreshnik, keni ndonjë sugjerim se si mund të përmirësohet situata?
Kreshnik Gashi: Po, mendoj se nismat të cilat promovohen apo mbështeten nga donatorët apo organizatat e shoqërisë civile tani janë të mira. Në BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) kemi raste kur ekipe të përbashkëta të gazetarëve shqiptarë dhe serbë punojnë në reportazhe të njëjta, me politikë të njëjtë redaktuese dhe gjëra të këtilla. Andaj, duhet të punojmë gjithnjë e më tepër kësisoj për të ndërtuar ekipe të përbashkëta të gazetarëve që do të punojnë së bashku. Mendoj se kemi pengesa gjuhësore dhe gjëra të tilla, por sigurisht se mund të gjejmë zgjidhje me përkthyesë apo duke punuar në gjuhën angleze. Por, në këtë pikë, më duhet të përmend po ashtu se duhet të punojmë më tepër dhe të vëmë më shumë presion, se është roli i televizionit publik, mendoj se ata kanë mjete për të bërë reportazhe në të dyja gjuhët, kanë mjete që t’i dërgojnë gazetarët në zona të ndryshme për të zhvilluar intervista me banorë të komuniteteve lokale, për të komunikuar në gjuhë të ndryshme. Televizioni publik ka resurse sa u përket përkthyesve, kanë edhe mjete financiare për të pasur gazetarë shqiptarë, gazetarë serbë, gazetarë të komunitetit rom, ashkali e egjiptas, dhe mund të punojnë shumë më shumë në këtë çështje. Por mendoj se duhet ta ndryshojnë mënyrën se si bëjnë gazetari, për të përfshirë komunitetet në lajmet apo në programet e tyre. I kanë mjetet, i kanë paratë, por mendoj se duhet të ndryshojnë politikën redaktuese dhe të punojnë për këtë çështje. Afërmendsh, si organizata të shoqërisë civile, ne mund të punojmë rreth kësaj çështjeje, por njerëzit që marrin para nga publiku duhet të punojnë më tepër rreth kësaj dhe të përpiqen të baraspeshojnë praninë e komuniteteve në mediat dhe debatet e tyre.
NP: Ju faleminderit të dyve. Shpresoj se kemi dhënë sado pak kontribut për këtë debat. Me Milica Andrić Rakić, nga Iniciative e Re Shoqërore dhe Kreshnik Gashin nga Kallxo.com, diskutuam për përfaqësimin e serbëve të Kosovës në mediat shqiptare të Kosovës. Ju faleminderit!
(Video) NP Debate: Sa janë të përfaqësuar serbët e Kosovës në mediat shqiptare të Kosovës