NP Interview: Agon Maliqi, Sbunker

0
189

“Unë mendoj që nuk ka asgjë më patriotike, për dikë që e do shtetësinë e Kosovës, që mundohet që t’i bëjë të gjithë njerëzit e asaj shoqërie të ndihen se janë të dëgjuar ose të pranuar brenda asaj shoqërie,” thotë Agon Maliqi, bashkëthemelues i Sbunkerit dhe analist politik.

Në një intervistë për New Perspektivën, Maliqi shton se “më duket shumë hipokrite shpesh herë qasja jonë që p.sh e shohim veriun vetëm si territor i cili duhet nënshtruar me polici, me masa, por nuk i shohim njerëzit që jetojnë aty”. 

Shkas për këtë intervistë me zotin Maliqi ishte një artikull i botuar së fundmi në Kosovo 2.0, në të cilin flet për ideologjitë dhe besimet që vazhdimisht ndryshojnë, për trashëgimitë që janë lënë prej familjeve tona dhe qysh këto ndikojnë në të pasurit e shumë identiteteve dhe krejt rëndësinë që mund të ketë kjo sot. Po ashtu ai flet edhe për qëllimet fisnike dhe për pamëshirshmërinë që e ka sot politika.

Fillimisht zoti Maliqi i përgjigjet pyetjes në lidhje me procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si mendon ai që është minuar ky qëllim fisnik nga politika?

Maliqi: Unë mendoj që normalizimi mes dy shteteve si një proces që është politik dmth, jo mes dy shoqërive, po mes dy shteteve, minohet vazhdimisht prej elitave politike të cilat vazhdojnë t’i ngujojnë të dyja shoqëritë në disa mitologji dhe iluzione mbi dialogun që unë mendoj se janë të rrejshme dhe që unë mendoj se na bëjnë dëm të dyja anëve. Në Serbi është shumë e qartë që elita politike e prodhon diskursin mbi dialogun dhe mbi normalizimin; vazhdon ta prodhojë mbi premisa të mitologjisë nacionaliste, duke ushqyer mitin e Kosovës dhe duke vazhduar të trajtojë Kosovën si një objekt mitologjik të nevojshëm për hegjemoninë serbe dhe jo duke folur për interesat konkrete të serbëve të Kosovës. Dhe kjo në Serbi besoj që shpesh ndodhë për shkak të interesit politik të elitave të atjeshme që ka nevojë për këtë, e mban Kosovën peng për nevojat  e veta politike. Në Kosovë mendoj që vitet e fundit sidomos ushqehet një iluzion mbi dialogun p.sh. dhe procesin e normalizimit si një proces i dizajnuar që Kosova të humbë diçka, që Kosova të nënshtrohet. Është ndërtuar njëfarë lloj paranoje, pak kështu me impulse izolacioniste, për synimet e dialogut dhe për njëfarë ideje e Kosovës nën kërcënim, dmth e kërcënuar prej dialogut, qoftë territorialisht, qoftë si funksionim i brendshëm. Unë mendoj që i ka bërë shumë dëm procesit dhe njëkohësisht edhe në Kosovë dialogu përdoret si instrument i fuqisë politike, përdoret si njëfarë lloj leve edhe në Kosovë edhe në Serbi në raport sidomos me shtetet perëndimore. Si një instrument i elitave politike, dmth liderët premtojnë bashkëpunim rreth kësaj çështjeje ose mundohen ta shfrytëzojnë për pushtetin e tyre të brendshëm sepse dhezë mirë elektoralisht dhe për këtë arsye më duket se politika është pengesa kryesore në ushqimin e këtyre mitologjive, pasigurive dhe frikës që e kanë njerëzit prej dialogut, për motivet e tyre të ngushta politike.

NP: Qysh mendoni që mund të shmangim ose të zbusim aftësinë e, siç u thoni ju, konservatorëve dhe reaksionarëve që të duken si fitues në këtë farë lojën e realitetit?

Maliqi: Unë kisha thënë që të bëjmë të kundërtën e kësaj që e thashë te përgjigja e mëparshme. Të paktën ne si shoqëri civile, si media, si njerëz që jemi prezent në hapësirën publike, mendoj që duhet të sfidojmë ligjërimin publik mbi dialogun dhe t’i shohim marrëdhëniet shqiptaro-serbe, apo edhe brenda Kosovës, mes komuniteteve, në një kontekst pak më të gjerë historik edhe hapësinor, të sfidojmë konsensusin e kësaj që në anglisht quhet ‘zero-sum game’ ku fitorja e tjetrit shihet detyrimisht si humbje e imja, pra t’i redefinojmë marrëdhëniet në një formë tjetër. Padyshim kjo nuk është punë e lehtë dhe padyshim që edhe shqiptarët edhe serbët kanë shqetësime reale të sigurisë. Po mendoj që duhet sfiduar këtë dinamikë edhe të kuptojmë pak më mirë, ndoshta të flasim më shumë për pasojat çka po prodhon te ne si shoqëri gjendja e tanishme, pra njëfarë iluzioni në Kosovë – po flas për Kosovën meqë më takon se jam pjesëtar i asaj shoqërie – që gjithçka është në rregull, që Kosova thjesht duhet të presë, edhe nuk ka nevojë shumë për dialogun, nuk ka nevojë për ato njohjet e vendeve të BE-së që nuk na njohin dhe që koha po punon për ne. Unë mendoj që duhet sfiduar ide të tilla, të kuptohen rreziqet e sigurisë që mbesin prej faktit që kontesti jonë mbetet i hapur. Duhet të kuptohet edhe konteksti gjeopolitik në të cilin ndodhemi, mundësia që të rikthehen konfliktet etnike në Ballkan. Pra duhet parë i gjithë ky spektër dhe duhet kuptuar pak më shumë sensin e përgjegjësisë që e kemi. Edhe ta shtyjmë përpara ndonjëherë, të mbajmë qëndrime, mos të kemi frikë të kemi qëndrime që mund të duken kontraverse, pra. Është shumë lehtë t’i fryjmë zjarrit etno-nacionalist, ose patriotik; është shumë lehtë t’i ushqejmë njerëzit me frikat dhe paranojat  që i kanë për qëllime elektorale ose për të marrë pëlqime në rrjetet sociale por mendoj se është shumë më e përgjegjshme t’i sfidojmë këto narracione në çdo mundësi që jepet.

NP: Një pyetje jashtë listës që e kemi përgatitur – a mendoni që qeveria Kurti ka prirje të bëjë këtë?

Maliqi: Unë mendoj që qeveria Kurti ka një armë shumë të fortë mbrapa vetes, e ai është besimi që e ka në opinion publik, personalisht te mbështetësit e vet, Albin Kurti por edhe presidentja Osmani.  Unë mendoj që ajo çka e dallon lidershipin e vërtetë prej lidershipit të kalueshëm, transaksional, janë liderët që e përdorin atë kapital politik, mbështetjen dhe besimin që e kanë te njerëzit, për t’i drejtuar në një drejtim të caktuar dhe jo për t’i mbajtur aty ku janë. Dhe unë mendoj që, deri tani së paku, edhe kryeministri edhe presidentja më duket se edhe më shumë po ngujohen ndonjëherë në pozicionet që i kanë pasur kur kanë qenë në opozitë, të cilat ndoshta iu janë dashur politikisht në atë kohë, se sa që po e shfrytëzojnë kapitalin politik që e kanë për të ndryshuar diskutimin mbi dialogun. Pra, vazhdon të shihet dialogu si kërcënim, si diçka që po i imponohet Kosovës dhe jo si mjet që na është ofruar, neve edhe Serbisë, për t’i tejkaluar problemet. Dmth po shpresoj shumë që në të ardhmen kanë për të shfrytëzuar atë besim që e kanë në opinion publik për t’i ndryshuar gjërat pozitivisht, dmth edhe për të drejtuar opinionin publik, për të formësuar opinionin publik më shumë se sa për të qenë reflektim i opinionit ekzistues publik.

NP: Në artikullin tuaj flisni edhe për të drejtat e njeriut dhe mosrespektimin e tyre në Kosovë. A mendoni që ka vetëdijësim të mjaftueshëm për nevojën dhe rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë? A i dinë njerëzit të drejtat e tyre?

Maliqi: Koncepti i të drejtave të njeriut është diçka me të cilin Kosova po akomodohet, po mësohet, dmth është një koncept që ne kemi pasë vetëm koncept të të drejtave komunitare, grupore, është diçka që vjen me evolucion shoqnor, me të kuptuarit e lirisë si diçka që i takon individit dhe jo komunitetit, etnik apo çfarëdo bashkësie tjetër grupore. Mendoj që ka pasë një përparim në njëzet vjetët e fundit. Kosova ka qenë nën njëfarë lloj, ndoshta jo presioni, por nën hegjemoninë normative të perëndimit, ku të drejtat e njeriut dhe liria e kuptuar si individuale kanë qenë vazhdimisht në njëfarë forme duke u importuar, në të njëjtën kohë janë bërë të brendshme; ne po shohim me lëvizjet që kanë fillu për të drejtat e grave, për komunitetin LGBT, për mbrojtjen e pakicave etnike të romëve, dmth ka aktivizëm i cili është i përqëndruar në të drejtat e njeriut dhe që tani është bërë edhe organik në njëfarë forme. Ka përparim padyshim por mbetemi, jo veç si Kosovë, por edhe si Ballkan, apo edhe – do ta zgjeroja edhe më shumë – si Evropë lindore, një hapësirë ku akoma liria konceptohet më shumë në terma komunitarë, dmth akoma nuk e kemi arritur atë nivelin e të kuptuarit të lirisë si diçka që është individuale, dmth në atë kuptimin e lirisë negative, që e quaj në atë shkrimin për Kosovo 2.0, që Isaiah Berlin e klasifikon si ‘liri negative’ pra si ‘liri nga…’ dhe jo ‘liri për të…’, që është liria pozitive. Mendoj që ky është një proces normal shoqëror që zhvillohet bashkarisht me industrializimin, me lëvizjen e njerëzve ta zëmë nga jetesa në komunitete të vogla rurale në qytete më të mëdha, dmth urbanizim, me industrializim, dhe është një betejë që ndoshta edhe nuk ka fund, pra ideja e të drejtave të njeriut vazhdon dhe evoluon, zhvillohet gjithnjë e më shumë edhe në perëndim.

NP: Shumica e asaj që jo thoni edhe në artikullin për Kosovo 2.0 është rreth paaftësisë së më shumë qytetarëve për të ndikuar ose për të sfiduar, apo për të luftuar politikën e elitave që udhëheqin me procese. A mendoni që mund të bëjë më shumë shoqëria civile në Kosovë në këtë drejtim, e sidomos në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës edhe Serbisë?

Maliqi: Unë mendoj që shoqëria civile në Kosovë – nuk  po flas për dialogun Kosovë-Serbi por për shumë çështje tjera  – është një prej faktorëve pozitiv për ndryshim, sidomos në dekadën e fundit. Pra shumë prej ndryshimeve që i kemi parë kanë qenë rezultat i njëfarë lloj angazhimi organik që ka ardhur prej poshtë, prej shoqërisë. Kjo ka të bëjë pak me strukturën demografike, me rininë që e kemi shumë, e cila gjithmonë është më aktive dhe dinamike për t’i sfiduar normat ekzistuese. Por ka ardhur edhe prej grave, p.sh. ndoshta pikërisht prej faktit se janë jashtëzakonisht të shtypura. Edhe prej mediave, ku e kemi një hapësirë shumë dinamike dhe shumë plurale, ndoshta më shumë se kudo në rajon. E kemi ngujuar njëfarë lloj nocioni dhe ideje të aktivizmit dhe idenë se nëse flet dhe angazhohesh diçka do të ndryshojë. Edhe pse ka vazhdimisht zhgënjime, me ndryshimet që prodhohen, sidoqoftë unë mendoj se gjërat kanë ecur përpara dhe këtë e ka arritur në masë të madhe edhe një pjesë e shoqërisë civile. Është diçka që duhet të shihet pak me krenari të veprimit kolektiv, që na është forcuar vitet e fundit. Nuk kisha thënë që shoqëria civile ka luajtur të njëjtin rol edhe në marrëdhëniet ndëretnike. Vazhdon të jetë shumë e lartë distanca etnike, dmth nuk është ndoshta vetëm faji i shoqërisë shqiptare kosovare të Kosovës, nevojitet edhe një palë tjetër, në anën tjetër për çfardo lloj bashkëveprimi ose ndërveprimi. Ne atë nuk e kemi ose e kemi shumë të kufizuar për shkak se edhe shoqëria civile edhe Serbia mbetet shumë e ngurtë në ato pozicionet e veta. Distanca etnike mbetet shumë e madhe; nuk kemi pika reference të përbashkëta; as gjuhën nuk e kemi të njëjtë. Por në të njëjtën kohë mendoj që aty ku ka shoqëria civile një pjesë të fajit dhe përgjegjësisë (flas gjithmonë për pjesën tonë e jo atë të Serbisë se ne do të merremi me atë që na takon dhe shoqërinë ku jemi pjesë), mendoj që aty ku kemi dështuar është se shumë shpesh i kemi fryrë frymës populiste dhe agjendave reaksionare, nacionalizmit, në momentet vendimtare dhe nuk jemi munduar shumë ndoshta të shohim pak perspektivën, sidomos të serbëve të Kosovës, edhe të shtrijmë dorën. Unë mendoj që gjithmonë kur e kam thënë këtë gjë ose më kanë akuzuar, më kanë sulmuar, ‘pse ne të shtrijmë dorën e të mundohemi kur nga ana tjetër nuk ka ardhur kurrfarë procesi i reflektimit mbi të kaluaren?’ Kjo është e vërtetë por mendoj që ne na takon se jemi shumicë kurdo, në çfarëdo konteksti, pavarësisht historinë, përgjegjësia i takon shumicës dhe palës më të fortë, në këtë rast neve, që të mundohemi të krijojmë njëfarë lloj hapësire për diskutim dhe për përfshirje të perspektivës së serbëve të Kosovës p.sh. në Kosovë, në hapësirën tonë publike. Mendoj që këtu kemi dështuar. Pa dyshim që nuk është gjë e lehtë; siç thashë, ka nevojë edhe të përballemi me një palë tjetër që është e hapur. Beogradi vazhdon ta mbajë shumë nën kontroll gjithë shoqërinë serbe, përfshirë edhe shoqërinë civile, t’i bëjë presion të jashtëzakonshëm. Por kjo nuk do të thotë që duhet të dështojmë dhe nuk do të thotë që kjo është diçka jopatriotike. Duhet ta ndryshojmë mendimin. Unë mendoj që nuk ka asgjë më patriotike, për dikë që e do shtetësinë e Kosovës, që mundohet që t’i bëjë të gjithë njerëzit e asaj shoqërie të ndihen se janë të dëgjuar ose të pranuar brenda asaj shoqërie. Më duket shumë hipokrite shpesh herë qasja jonë që p.sh e shohim veriun vetëm si territor i cili duhet nënshtruar me polici, me masa, por nuk i shohim njerëzit që jetojnë aty. Mendoj që shteti fiton legjitimitet dhe sovranitet vetëm në masën derisa njerëzit që jetojnë brenda atij shteti e legjitimojnë si të pranueshëm atë shtet. Dhe ne si shqiptarë që kemi qenë të diskriminuar sistematikisht dhe strukturalisht në ish-Jugosllavi, dhe veçanërisht në periudhën e Millosheviqit, ishte dashur të kuptojmë se çka prodhon qasja majorizuese ndaj pakicës. Kurrë duke mos bërë paralele politike në mes të një regjimi që ka qenë ai klero-fashist i Millosheviqit me shoqërinë tonë ku, megjithatë, të paktën formalisht, në kushtetutë dhe në norma, pakicat gëzojnë të drejta por asnjëherë nuk jemi munduar, mendoj, që të shkojmë një hap më tutje edhe të mundohemi që ato të drejta që serbët i kanë t’ua theksojmë vlerën edhe të mundohemi  të formojmë hapësirën që ata mos të kenë nevojë ndoshta që aq shumë të shikojnë drejt Beogradit. E di që tingëllon e pamundur dhe shpesh idealiste por për aq sa ka hapësirë dhe mundësi mendoj që na takon ta bëjmë.

NP: Ju veçsa thatë që shpeshherë keni hasur në kritikë saherë që e keni shprehur mendimin që nuk është bash konformist brenda shoqëisë tonë. A mendon që ka filluar që ky farë mendimi që në fakt ne duhet të bëjmë më shumë për pakicat etnike, sidomos për serbët e Kosovës, të bëhet pak më i shpeshtë?

Maliqi: Unë mendoj që po. Në Kosovë në fakt ekziston një bindje që serbët e Kosovës janë të mbiprivilegjuar, në çështje si p.sh. mospagesa e rrymës, gjithmonë vihet theksi te këto pjesë, që mendoj se janë të vërteta dhe janë problematike por, siç thashë, mendoj se duhet ndryshuar kjo gjuhë edhe të kuptohet që është edhe interesi jonë si shumicë që pakicat të ndiejnë veten të sigurta, edhe të ndiejnë veten të përfshirë. Ne pakicën vazhdojmë ta shohim si Serbi, jo si serbë të Kosovës. Pra e shohim si dorë të zgjatur dhe instrument të Serbisë. Përgjegjësia kryesore për këtë i bjen Serbisë sepse në fakt politikisht instrumentalizimi që mundohet Beogradi t’ua bëjë serbëve të Kosovës e prodhon atë kontekst ku ata në njëfarë forme politikisht mbeten besnikë të Beogradit, por në të dy anët qëndron problemi. Mendoj që ne duhet të dyfishojmë përpjekjen, nëse e kemi seriozisht idenë se janë qytetarë të këtij shteti. Ta zëmë, shpesh herë unë jam mahnitur nga fakti që ndonjëherë serbët e veriut kanë probleme p.sh të nxjerrin dokumente ose diçka tjetër – më kanë pasë treguar disa andej – ku më është dukur se nuk ka diçka më të lehtë ose më të arsyeshme se të mundohemi t’i lehtësojmë serbët e Kosovës t’i nxjerrin ato dokumente, lejet e kerrit p.sh. E gjëra të tilla. Po flas për gjëra të tilla, që mendoj se janë shtetformuese dhe me ndikim afatgjatë e pozitiv. Mendoj që duhet sfiduar pak këtë antagonizmin që i kthen serbët e Kosovës në shënjestër të politikave hegjemoniste të Beogradit. Në diskurs publik, edhe vetë lidershipi i tanishëm është munduar ta bëjë edhe ndarjen mes Beogradit dhe serbëve lokal duke e premtuar edhe dialogun e brendshëm të famshëm, por fatkeqësisht nuk e kam parë në vepër këtë përpjekje dhe mendoj që është në njëfarë forme edhe kundërproduktive për shoqërinë po edhe për Kosovën dhe vetë procesin e shtetndërtimit, edhe për marrëdhëniet e përgjithshme rajonale.

(video) Intervista me Agon Maliqin, bashkëthemelues i Sbunkerit dhe analist politik