NP Interview: Ivan Nikolić, CSD

0
368

Kemi pasur shembuj të mrekullueshëm të vazhdimit të miqësive që qenë krijuar në trajnimet tona dhe unë jam shumë i lumtur kur shoh në rrjetet sociale se ata ende shkojnë me njëri-tjetrin apo komentojnë në postimet e njëri-tjetrit dhe bëjnë gjëra qesharake,” thotë Ivan Nikolić, i OJQ-së Komunikimi për Zhvillim Social (CSD) në Graçanicë.

Në një intervistë për
New Perspektivën, ai shton se megjithatë ky është një proces tepër i ngadaltë, dhe në vend se të shtyhet përpara, ai po ngadalësohet nga dita në ditë.


Nikolić jeton dhe punon në Graçanicë, një qendër e rëndësishme për komunitetin serb në Kosovë, e cila kufizohet me Prishtinën. Fillimisht ai i përgjigjet pyetjes se sa ka ndërveprim mes këtyre dy hapësirave urbane?

Nikolić: Do të provoj të shpjegoj se si është situata dhe është krejtësisht e ndryshme nga ç’kemi pritur. Është dashur të jetë krejt normale, jemi afër kryeqytetit dhe gjithçka funksionon mirë, por mjerisht jo. Graçanica është mjaft shumë e ndarë, në kuptimin fizik jo aq shumë si më parë; vërtet më duhet të theksoj se ato marrëdhënie janë shumë më të mira sesa para konfliktit. Pra, kanë kaluar njëzet vite, ndaj është disi normale. Komuniteti serb në Graçanicë është shumë i mbyllur për shumë arsye. Ka shumë ndërveprim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, Graçanicë-Prishtinë, fshatrat përreth etj. Por këto ndërveprime lidhen më shumë me biznesin. Mua disi më mungojnë ndërveprimet miqësore. E them këtë ngase, për fat të keq, unë i përkas grupit të rrallë të të rinjve (nuk jam i ri më), të cilët kanë shumë miq në komunitetin shqiptar sepse kam ndoshta 15 vite qe jam pjesë e shoqërisë civile, andaj kam shumë miq në Prishtinë. Kësisoj, për mua është normale të pi një kafe në qytet, të takoj ca miq shqiptarë dhe anasjelltas; shumë shpesh miqtë e mi më vijnë për vizitë në Graçanicë, etj. Kështu nuk ngjet me shumë miq të mi përreth. Ashtu është edhe me gjeneratat e vjetra që kanë ndërtuar më herët këto marrëdhënie, para luftës dhe tani këto marrëdhënie mbeten ende pozitive. Tani ende janë funksionale.

Kemi njerëz të moshuar që ende në njëfarë mënyrë shkojnë me njëri-tjetrin, por fatkeqësisht kjo ngjan më pak sesa është dashur. Fakti që Prishtina gjendet afër na ndihmon si komunitet t’u afrohemi institucioneve për të kryer punët tona. Mirëpo, pas procesit të decentralizimit, Graçanica u bë komunë, andaj edhe ato gjëra që s’janë të dukshme, nuk ndodhin aq shpesh. Kur them se si komunitet serb jemi i mbyllur, s’di si ta them por, pa dashur t’i vë fajin dikujt; por njerëzit në Graçanicë janë të rrethuar kryesisht nga media serbe. Ata vazhdojnë të jetojnë si para vitit ’99, shikojnë lajme serbe dhe, në raste shumë të rralla, mbase RTK-në. Prapë nuk pranojnë faktin në terren. Kishim një shembull shumë të marrë të një hulumtimi para ca vitesh, që pyeste anembanë njerëz të zakonshëm për emrat e përfaqësuesve në institucionet e Prishtinës, kush është presidenti i Kosovës, kush është kryeministër, ose ministër i një ministrie përkatëse, dhe rezultatet qenë të tmerrshme, ata nuk i dinin. Shumica syresh nuk i dinin. Njerëzit që janë në media, politikë, shoqëri civile, i dinë; njerëzit  e zakonshëm jo.

Ndërkaq, kemi pasur shumë projekte multietnike, që kanë sjellë këtu të rinj të Prishtinës, apo kanë çuar të rinj të Graçanicës në Prishtinë; ndërveprimi përmes aktiviteteve specifike të projekteve dhe temave të ndryshme. Ajo që është interesante për mua është se të rinjtë nga Graçanica ende nuk ndihen shumë të sigurt të shkojnë në Prishtinë vetëm për qejf, dhe kjo ndodh për shkak të ambientit. Dhe njëra përgjigje qe shumë qesharake, një djalë tha “Po, nuk ndihem i pasigurt të vij në Graçanicë, por ç’do të bëj në Graçanicë në ato pak kafene, kam gjithçka në Prishtinë.” Andaj, ai nuk ka nevojë që të vijë e të takojë njerëz. Pse këta të rinj ende disi kanë frikë – nuk po them se kjo është arsyeja kryesore, liria e lëvizjes është shumë, shumë më e mirë se më përpara – por mjerisht, ende ndodhin shumë incidente ndëretnike. T’ju jap një shembull, pak ditë më parë, varreza në Kishnicë, pranë Graçanicës, ku është pjesa serbe, u shkatërrua gjatë natës dhe këto lloj incidentesh ngjajnë çdo ditë, jo aq shpesh në pjesën qendrore të Kosovës, por kjo pasqyrohet në media, posaçërisht në mediat e minoritetit, dhe disi na çon disa hapa mbrapa.

NP: Pyetja e radhës kishte të bënte me atë se cili është qëndrimi i bashkëqytetarëve tuaj rreth çështjes së rindërtimit të marrëdhënieve mes dy komuniteteve, por mendoj se tanimë ju e dhatë përgjigjen. 

Nikolić: Më lejoni të shtoj një fjali dhe kjo vjen nga përvoja ime. Të rinjtë shqiptarë e serbë sillen tërësisht normal nëse gjenden në ndonjë vend neutral, ku nuk ka ndikime nga jashtë. Kur jemi në Maqedoni, në Mal të Zi, në Shqipëri, ata sillen tërësisht ndryshe. Sikur kanë kujdes  që dikush të mos thotë diçka. Ne kemi pasur shembuj të mrekullueshëm të vazhdimit të miqësive që qenë krijuar në trajnimet tona dhe unë jam shumë i lumtur kur shoh në rrjetet sociale se ata ende shkojnë me njëri-tjetrin apo komentojnë në postimet e njëri-tjetrit dhe bëjnë gjëra qesharake. Por megjithatë, mendoj se ky është një proces tepër i ngadaltë, dhe në vend se të shtyhet ky proces, ai po ngadalësohet nga dita në ditë. Dhe një fakt tepër, tepër i rëndësishëm është qeveria e fundit e Kosovës dhe deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, të cilët janë goxha shumë radikalë ndaj komunitetit serb. Ata përmendin gjatë tërë kohës gjenocidet dhe gjithë ato gjëra radikale dhe unë mendoj se kjo e ngadalëson mjaft shumë procesin e pajtimit dhe vazhdimin e ndërtimit të marrëdhënieve mes komuniteteve.

NP: A ndiejnë të rinjtë në Graçanicë se kanë një zë që duhet dëgjuar?

Nikolić: Absolutisht, po, dhe një nga përfundimet kryesore nga aktivitetet tona është se shqiptarët dhe serbët, si dhe romët e komunitetet tjera, kanë tërësisht problemet e njëjta. Të gjithë ankohen për arsimimin e keq, zhvillimin ekonomik, papunësinë. Kjo pa dyshim është e vërtetë.

NP:  Cila mendoni se është rruga më e mirë përpara për të ndihmuar të ketë marrëdhënie të mira mes komuniteteve?

Nikolić: Kemi pasur shumë projekte multietnike me synimin e ngjashëm, një nga projektet tona të fundit këtyre viteve ishte “Ne kemi mundur, ju duhet,” ishte një libër me qindra fotografi të shqiptarëve dhe serbëve së bashku para konfliktit, miq, fqinj, kolegë. Patëm arritur të gjenim plot syresh dhe ata na patën dhënë komentet e tyre. Andaj, në fund krijuam një libër me fotografi dhe një video-dokumentar me njerëz që flisnin për marrëdhëniet e tyre pozitive në jetën multietnike dhe të përbashkët para konfliktit. Kishim një deklaratë shumë të mirë kur një djalosh serb tha “apartamenti ynë asnjëherë s’ka qenë i mbyllur për fqinjët tanë shqiptarë për të hyrë madje pa trokitur, vetëm për të marrë sheqer.” Kështu, po tentonim të shtynim përpara këtë lloj historish pozitive vetëm për t’i afruar këto komunitete. Por prapë, janë hapa tepër të vegjël dhe ne si shoqëri civile nuk jemi mjaftueshëm të fortë të luftojmë me këto probleme serioze kur, në anën tjetër, kemi këta politikanë. Nuk po them vetëm për palën shqiptare, por për gjithë politikanët, të cilët rregullisht na bombardojnë me fjalime urrejtëse, etj. Duhet që më shpesh të imponojmë këso lloj gjërash dhe e gjithë kjo është proces shumë i ngadalshëm. Duket sikur presim që koha do t’i shëroj plagët, por nuk është e lehtë.

Do t’ju jap një shembull. Unë kam miq të mirë shqiptarë, pijmë dhe dalim bashkë, asnjëherë nuk prekim tema të ndjeshme ngase e dimë se nuk pajtohemi në ato gjëra, duket sikur ato janë kufiri ynë. Edhe kur dehemi bashkë, thjesht bëjmë shaka, mirë, gjithçka është në rregull, por nuk flasim për luftën ose politikën, ngase kemi qëndrime shumë të kundërta.

NP: Po sa i përket gjuhës, çështje shumë e ndjeshme në një mjedis multietnik…

Nikolić: Gjuha nuk është çështje e ndjeshme; ne kemi organizuar dy seri të kurseve të gjuhës shqipe në Graçanicë, kemi pasur më shumë se 50 pjesëmarrës. Edhe unë madje mora pjesë në njërin nga këto kurse, nuk isha nxënës i mirë, andaj shqipen e kam tepër elementare. Në kuptimin që e di se si të porosis drekë në disa restorante të mrekullueshme në Prishtinë. Njerëzit janë shumë të vetëdijshëm për faktin se ashtu do të gjejnë më lehtë punë, që njerëzit në turizëm do të tërheqin më shumë mysafirë. Kemi një shembull shumë të mirë në një restorant në Graçanicë, “Etno shtëpia,” ku pronari këmbëngul në faktin që kamerierët e tij të flasin shqip ngase shumë prej mysafirëve janë shqiptarë. Andaj, gjuha paraqet një çështje, të gjithë ne flasim anglisht, mendoj se kam vetëm një mik shqiptar që flet serbisht, me gjithë të tjerët unë flas anglisht, për fat të keq. Bëjmë shaka i përziejmë ca fjali, por nuk ecën si kjo biseda që po bëjmë tani. Mësimi i shqipes në komunitetin serb nuk është më tabu, mund t’ju garantoj, ngase kur patëm organizuar ato kurse – ishin falas – dhe patëm tërhequr më shumë njerëz nga ç’mund të pranonim.

Ka një shembull shumë pozitiv të komunës së Graçanicës, që organizojnë trajnime të rregullta të gjuhës shqipe për stafin e tyre. Në Graçanicë është një program i mrekullueshëm  për praktikantë në njërën prej OJQ-ve, i cili funksionon tash e sa vite dhe komponenta kryesore e ndërtimit të kapaciteteve të pjesëmarrësve të tyre është mësimi i gjuhëve shqipe dhe angleze. Këta janë shembuj shumë të mirë.

(Video) NP Interview: Ivan Nikolić, CSD