Nuk e di, veç po pyes

Unë jam dikush që e di dallimin midis Pasjanit dhe Parteshit, dikush që e mbështet dialogun dhe që mendon se dialogu është e vetmja mënyrë që të zgjidhet diçka. Por ajo që unë nuk po e shoh është arsyeja e shkrimit të këtij teksti? A është ky paralajmërim i njohjes së Kosovës? A është kjo një porosi subtile për ne se ka ardhur koha e fundit që Serbia të pranojë atë që Kushtetuta e saj e konsideron si pjesë të territorit të saj?

0
1335

Tashmë me ditë të tëra tema kryesore e mediave është teksti autorial i kryetarit të Republikës së Serbisë. Në fakt, ky tekst ka të bëjë me Kosovën dhe bën thirrje për hapjen e një dialogu të brendshëm për Kosovën. Kur është paralajmëruar, e pyeta veten se si ky tekst do t’i zgjidhë problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen serbët e Kosovës. Por bën që t’i jepet mundësia, të pritet, sado që kjo nganjëherë të jetë e kotë, bën të shpresojmë për ndonjë zgjidhje. Kur teksti më në fund doli në dritë, të gjitha mediat transmetuan pjesë  të cilat qartazi çonin kah poenta e vetë tekstit. Më duhet të pranoj, nuk e lexova menjëherë të tërin. Si duket i shmangesha asaj që, për të satën herë, si dikush që jeton në Kosovë, të ndihesha e mashtruar. Por në fund, nuk mund t’i ikni pa e lexuar. Kjo është diçka që ka të bëjë direkt me mua dhe popullin që jeton në këto hapësira. Pasi e lexova, mbeti pyetja se a ka poentë që të shkruhet ky tekst? Në fund, i lindin njeriut pyetje të shumta e për këtë lindën edhe këta rreshta për atë se çfarë na porositi kryetari i Republikës së Serbisë. Në këtë tekst autorial, Aleksandar Vučić, para së gjithash, bën thirrje për pranimin e realitetit. Nuk është ky cilido realitet, por ai i Kosovës. Realitet të cilin ne e jetojmë çdo ditë. Ndoshta është thirrje për serbët që jetojnë në territorin e Serbisë që të pranojnë realitetin, por më duket që serbët e Kosovës këtë realitet të njëjtë e jetojnë qe një kohë të gjatë dhe e përjetojnë atë në baza ditore. Dokumentet e Serbisë për serbët në Kosovë qe një kohë të gjatë nuk shërbejnë për asgjë, kështu që numri i serbëve me dokumente të Kosovës është gjthnjë e më i madh. Tashmë ka ditë që marrim SMS porosi që numrat tanë të Serbisë janë çkyçur. Qëmoti votojmë sipas sistemit të Kosovës, përfaqësuesit tanë politik marrin pjesë në punën e institucioneve të Kosovës derisa ne i festojmë fitoret e Serbisë në Kosovë. Nëse flisni për këtë realitet, më duket se ne e kemi pranuar atë qe një kohë të gjatë. E qëmoti edhe po e jetojmë. Dokumentet tona janë problematike, librat tanë nuk mund të vijnë në hapësirën e Kosovës, librezat tona shëndetësore janë konfiskuar. Nuk munda ta anashkaloj fjalinë e kryetarit Vučić e cila thotë “të përpiqemi t’i zgjidhim konfliktet tona, njëherë e përgjithmonë, nëse jo, atëherë asgjë.” Si e mendoni këtë, atëherë asgjë? A e dini që ka njerëz që në baza ditore luftojnë për zgjidhjen e këtij konflikti dhe atë nga të dyja palët? A ju duket ndoshta Juve, ashtu siç më duket mua, se problem këtu përbën politika e jo njerëzit e zakonshëm? A do të pajtoheshit që problem janë politikanët që na dërgojnë trena provokues dhe ndërtojnë mure apo ashtu i konsideroni njerëzit e zakonshëm që vetëm përpiqen të jetojnë një jetë normale në hapësirën e cila qëmoti e ka humbur idenë e normalitetit? Dhe prapë, si e mendoni këtë, atëherë asgjë? Si mund t’ia thoni këtë gjeneratave që janë rritur në luftë, për të cilat paqja dhe jeta stabile janë të panjohura? Nuk e di, veç po pyes. 

Prapë, po i përmendni ata që janë kundër dialogut, qoftë për shkak që kanë hequr dorë nga Kosova, apo nuk duan dialog se me këtë po heqim dorë nga Kosova. Unë jam dikush që e di dallimin midis Pasjanit dhe Parteshit, dikush që e mbështet dialogun dhe që mendon se dialogu është e vetmja mënyrë që të zgjidhet diçka. Por ajo që unë nuk po e shoh është arsyeja e shkrimit të këtij teksti? A është ky paralajmërim i njohjes së Kosovës? A është kjo një porosi subtile për ne se ka ardhur koha e fundit që Serbia të pranojë atë që Kushtetuta e saj e konsideron si pjesë të territorit të saj? Nuk e di, veç po pyes. E kështu po më duket. Po më duket si një uvertyrë për atë që do të pasojë. Nuk është që nuk e kemi pritur. Bile ne, serbët e Kosovës. E kemi të qartë qe një kohë të gjatë se ku shpie kjo dhe se si do të përfundojë. Por nuk është aspak korrekte, disi nuk është e drejtë të na e paraqitni këtë përmes një teksti autorial në mediat e shkruara. Nuk është e drejtë të na mashtroni me vite se të gjitha po bëhen për neve e të marrim diçka krejt të kundërt. Nuk di as çfarë tjetër është poenta e këtij teksti përveç paralajmërimit të njohjes, por e di që nuk është fer. Nuk është fer ndaj njerëzve që shpresojnë, të cilët presin. Nuk është fer ndaj njerëzve që për 18 vite, përkundër të gjithave, mbijetojnë në Kosovë dhe që besojnë se Serbia po bën diçka në dobi të tyre. Kaq di, për të tjerat po e pyes veten. 

Në fund presidenti bën thirrje për paqe dhe zgjidhje të konfliktit. Nëse unë angazhohem për diçka, atëherë angazhohem për këtë. Është e vërtetë që me luftëra nuk kemi fituar asgjë sa kemi humbur me humbjen e paqes. Është e vërtetë. Por këtu bën të shtrojmë pyetjen, a ju kujtohet president kush na bënte thirrje për luftëra? Mua ndoshta nuk më kujtohet, por jetojmë në kohën e internetit e kështu që kemi qasje në shumë gjëra. Lehtë informohemi. E kemi dëgjuar edhe nga më të moshuarit. E prapë më kujtohet edhe mua që ish-presidenti Nikolić e përmendte luftën pikërisht rreth tërë asaj zhurme që u krijua rreth trenit famoz. Prapëseprapë, e mbështes unë çfarëdo lloj ndryshimi, në veçanti nëse ai ndryshim është për hir të paqes dhe nëse është për të mirë. Por është pa shije. Nuk është e këndshme. As që është fer. Kanë mbetur shumë pyetje pas këtij teksti dhe pasoi edhe deklarata e presidentit që Kosova po na ndalon të gjithëve. Mendoj se që nga ai moment na u bë e qartë çdo gjë, nëse nuk ishte deri atëherë. Jemi të vetëdijshëm ne për realitetin, të vetëdijshëm sepse po e jetojmë atë, e kemi pritur ne këtë, por jo në këtë mënyrë. Që të mos kuptohem gabimisht, unë jam absolutisht dikush që angazhohet për pajtim midis serbëve dhe shqiptarëve e dialogun e konsideroj zgjidhje. Por po ashtu jam kundër gënjimit dhe mashtrimit të popullit. Nuk mund të na flisni për fitoret e Serbisë në Bruksel, të betoheni në ruajtjen e Kushtetutës e në të njëjtën kohë ta bëni nyjen gordiane të Kosovës edhe më të vështirë për t’u zgjidhur. E pas kësaj, në mënyrë subtile apo jo, të na paralajmëroni njohjen. Nuk e di, veç po pyes. A është kjo fer? Nuk e di, veç po pyes.