Nuk është sjellje sportive, ministër!

Mund të mos e njohim shtetin, por le ta lëmë politikën jashtë gjërave politike. I prish të gjitha ato që përfaqëson sporti.

0
1114

Mund të mos e njohim shtetin, por le ta lëmë politikën jashtë gjërave politike. I prish të gjitha ato që përfaqëson sporti.

Përfunduan edhe këto Lojëra Olimpike, të tridhjetë e njëtat me radhë. Këtë vit ato u mbajtën në Rio de Zhaneiro në periudhën prej 5 deri më 21 gusht. Ashtu si edhe çdo katër vite, edhe këtë vit jemi gëzuar, kemi pritur me padurim, kemi mbetur zgjuar tërë natën, nganjëherë “kemi vdekur” nga euforia. Mirëpo, kjo Olimpiadë dalloi nga ato të mëhershmet. Kësaj here në të morën pjesë 206 shtete. Një nga ato ishte Republika e Kosovës.

Më duhet të pranoj që kjo nuk ishte e lehtë për askend në Serbi. Në disa çaste të caktuara as që kemi besuar. Por, megjithatë ndodhi. Gjatë hapjes u paraqitën sportistë të një shteti të cilin nuk e njohim dhe askush nuk ishte indiferent. Në heshtje kemi lënë që të parakalojnë dhe kemi vazhduar të bëjmë tifo më fuqishëm se kurrë më parë. E pastaj, pastaj erdhi rekomandimi nga Serbia.

Në fakt, Ministri i Rinisë dhe Sportit, Vanja Udovičić dhe Qeveria e Republikës së Serbisë i dhanë një rekomandim sportistëve serbë që mos të dalin në podium në qoftë se ndodhë që të fitojnë ndonjë medalje me të ashtuquajturin shtet të Kosovës. Isha e kapur në befasi, si serbët e tjerë, me daljen e përfaqësuesve kosovar, por kjo deklaratë më vrau veshin. Diçka ishte gabim. Diçka nuk shkonte siç duhej.

Ditët kalonin, e Serbia asnjëherë nuk kishte qenë më e dobët. Në atë moment, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë për Kosovën. Festohej në rrjetet sociale, ishin krenar të gjithë ata që i njoh nga Kosova. Duke shikuar inçizimin e asaj vajze, ishte e qartë se sa e lumtur ishte edhe ajo vetë. Kjo ishte sportive, ishte më e mira! Nuk ishte vështirë në momente të tilla të kuptosh se çka nuk shkonte me deklaratën e ministrit tonë. Shumë politikë është përzier në sport. Është e qartë se sot çdo gjë është shndërruar në politikë, por le t’i ikim kësaj, bile për një moment.

Atëherë edhe Serbia filloi të fitojë medalje. Ditët sa shkonin e bëheshin më interesante derisa i ndiqnim Lojërat Olimpike. Sa herë që ishim në podium, nuk më hiqej nga mendja ai rekomandim. Çka do të ndodhte nëse me të vërtetë do të ishim në të njëjtin podium? A do të zbrisnim me të vërtetë nga ai vend për shkak të politikës? Unë nuk do të zbrisja. Sepse, megjithatë, nuk është gjithçka politikë as politika nuk është gjithçka. Ka diçka edhe në sport. Ka diçka edhe në luftën e ndershme.

Nuk mund ta kujtoja se si janë ndierë sportistët serbë (atëherë jugosllav) kur në kampionatin evropian para më shumë se njëzet viteve basketbollistët kroat zbritën nga podiumi. Kjo është poshtëruese. Ekzistonte qëllimi që dikujt t’i bëhej e njëjta gjë të cilën ne e kishim përjetuar dhe e dinim se sa e pakëndshme ka qenë ajo. E pashije. Nuk është kjo sjellje sportive, ministër! Nuk është fer!

Përveç kësaj, nëse veç flasim për politikën edhe këtu, a është kjo mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve? Nuk do të thosha. Mua kjo më dukej si një përpjekje më tepër për ftohjen e marrëdhënieve dhe imponimit të ndonjë trazire midis dy palëve. Nuk ishte rasti për këtë. Jo edhe Lojërat Olimpike.

Mund të mos e njohim shtetin, por le ta lëmë politikën jashtë gjërave politike. I prish të gjitha ato që përfaqëson sporti. Po e prish tërë atë që quhet shpirt olimpik. Mendoj që ministri serb, si fitues i medaljeve dhe sportist i madh, gjithsesi e di se çka do të thotë kjo. Prandaj, të udhëhequr me atë frymë dhe fat që mund të na e sjell sporti, pa marrë parasysh të gjitha telashet që po na ndodhin, pa marrë parasysh politikën dhe bindjet, le t’i festojmë fitoret dhe medaljet. Në mënyrë sportive, secili për vete. Me fituesit në podium, pa marrë parasysh se nga cili shtet janë ata.