Objekti i Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore ende jo në funksion

0
1149

Kosova ende nuk mundi të shtrijë sovranitetin e saj në pjesën Veriore të Mitrovicës, ashtu siç kishte deklaruar ministrja për Dialog Edita Tahiri, në përurimin e objektit të Qeverisë së Kosovës në këtë pjesë, raporton KTV.

Por, sipas saj, objekti së shpejti do të fillojë punën, pa treguar saktësisht se kur. Ndërkaq, për mosfunksionimin e këtij objekti, asamblistët e Komunës së Mitrovicës e hedhin fajin te pala serbe, me arsyetimin se nuk dëshirojnë të funksionojë asnjë institucion të Qeverisë së Kosovës në veri.

E, KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, por gjatë ditës ka qenë jo i qasshëm. Ky objekt dy herë radhazi pas përurimit ishte sulmuar me mjete shpërthyese, që kishin shkaktuar dëme të shumta materiale.

E nga Policia e Kosovës kanë bërë me dije se ende nuk ka diçka konkrete rreth identifikimit të personave. Në këtë objekt është paraparë t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë-veprimtari lokale.

(koha.net, 08/02/2017)