Paefektshmëria e ‘kornizës së re’ të Dialogut

Korniza e re e dialogut si një qasje e re kundrejt këtij procesi rithekson vullnetin e shtuar të faktorit ndërkombëtar për të çuar përpara procesin e dialogut. Megjithatë, ka shumë hapësirë për skepticizëm në këtë drejtim.

0
120

Së fundmi, pjesë e diskursit në kuadër të dialogut është edhe ideja e nisjes së një kornize të re për këtë proces. Me kornizë të re kuptojmë një qasje më të unifikuar të faktorit ndërkombëtar ku në përkrahje të të dërguarit të posaçëm të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, në takime janë edhe përfaqësuesë të tjerë të faktorit ndërkombëtar. Megjithatë, historia e deritanishme bën që të mos jemi veçanërisht optimistë për këtë. Në fakt, një gjë e tillë mund të jetë joefektive për disa arsye. Diçka e tillë nuk ndryshon thelbin e procesit. Po ashtu, nuk mund të themi që ky lloj riformatimi do të jetë shkak për ndryshim të pozicioneve të palëve të përfshira. Përveç kësaj, një gjë e tillë nuk garanton aspak që procesi të mosdevijojë ose të mos vonohet më tej.

Një kornizë e re e dialogut praktikisht përbën një ndryshim në formë por jo në substancë të procesit. Pra, ky ndryshim në proces nuk do të bëjë që të evitohen temat që nuk janë evituar gjerë më tani si njohja reciproke ose edhe krijimi i Asociaconit të komunave. Së fundmi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, kishte ritheksuar që Serbia nuk do ta njohë Kosovën por që është e gatshme për një lloj kompromisi. Po ashtu, edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, kishte deklaruar që procesi duhet të kalojë nëpër pikat kritike, duke theksuar në mënyrë të veçantë krijimin e Asociaciont të komunave nga ana e Kosovës. Më saktë, ky riformatim i procesit nuk është që shmang dialogun nga këto pika kritike, dhe që – duke u bazuar në historinë e deritanishme – kanë qenë këto tema problemi i vërtetë i këtij procesi dhe jo përpjekjet e faktorit evropian për të intervenuar në mënyra të ndryshme.

Po ashtu, vetë fakti që një proces i tillë ka vazhduar për më shumë se 10 vite flet edhe për një problem që ndoshta edhe është më i rëndësishmi: mungesa e vullnetit nga ana e dy palëve për të ndryshuar qëndrimet e tyre. Më lartë u përmend që Vučić insiston në mosnjohjen e Kosovës dhe po ashtu edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dëshmuar një hezitim shumë të lartë për çështjen e Asociacionit të komunave. Pra, edhe më herët është bërë presion nga faktori ndërkombëtar dhe gjithmonë diskursi i BE-së dhe SHBA-së ka qenë i qartë por kjo nuk ka rezultuar në ndryshim të qëndrimeve. Është e vertetë se, në fjalët e analistit serb Dušan Janjić, një përpjekje e shtuar e faktorit ndërkombëtar është e dizajnuar për ta bërë dialogun “më produktiv”, por që presioni i deritanishëm i pasuksesshëm i ndërkombëtarëve ka dëshmuar që vetëm ndonjë kushtëzim real ndaj Kosovës dhe Serbisë, dhe jo ndërmjetësimi, mund të çojnë procesin përpara. 

Dialogu po ashtu është dëshmuar edhe si një proces që me kalimin e kohës ka pësuar ndryshime të shumta. Në masë të madhe, përveç përfaqësimit serb nga ana e Vučić-it dhe disa prej temave kryesore, procesi gjithmonë ka pësuar ndryshime. Korniza e re e dialogut përfaqëson një ndryshim të ri dhe si i tillë jo detyrimisht mund të ketë efekt pozitiv në procesin e dialogut. Kështu, korniza e dialogut mund të bëjë që dialogu të devijohet në mënyrë të atillë që të mos jetë produktiv dhe si rezultat edhe të vonohet më tej. Në fakt, mund të themi që inovacionet e deritanishme në proces të dialogut kanë qenë përgjithësisht joproduktive në kuptimin që nuk kanë arritur t’i tejkalojnë temat kyçe të këtij procesi. Në këtë drejtim, kjo kornizë e re vështirë që mund të kapërcejë të ashtuquajturat “pika kritike” të procesit.

Korniza e re e dialogut si një qasje e re kundrejt këtij procesi rithekson vullnetin e shtuar të faktorit ndërkombëtar për të çuar përpara procesin e dialogut. Megjithatë, ka shumë hapësirë për skepticizëm në këtë drejtim. Më saktë, historia e deritanishme jep pak shpresë që një qasje e tillë mund ta ndryshojë rrënjësisht procesin. Presioni ndërkombëtar në drejtim të përshpejtimit deri më tani ka qenë tejet joefektiv dhe me shumë gjasë vetëm veprimet konkrete (në formë të kushtëzimeve) mund të japin sadopak rezultat.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.