Tensioni është i madh dhe rrëfime të mëdha bëhen në Kosovë për më shumë se njëzet vjet. Gjatë gjithë kohës flitet dhe do të vazhdojë të flitet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të serbëve në Kosovë, për luftën për mbijetesë, për qëndrimin në mjediset e mbetura serbe në Kosovë. Dhe kjo me të vërtetë edhe është lufta jonë më e madhe, lufta për një jetë të dinjitetshme në shtëpi, sado që dikush të konsiderojë që nuk jemi në shtëpinë tonë.
Dikush nuk do të pajtohet me këtë dhe do të thotë se Kosova është një vend demokratik, multietnik që respekton të drejtat e pakicave dhe gjithë të tjerat që shkojnë me këtë. Po, zyrtarisht dhe deklarativisht, po. Por në thelb ka një shpërngulje të vazhdueshme të serbëve nga Kosova. Dhe kjo nuk është nga ushqimi i mirë dhe nga një jetë e mirë. Dhe sërish po, qëndron fakti që edhe shqiptarët po largohen, por mendoj se arsyet për këtë janë pak më të ndryshme.
Por si të përballemi me këtë problem? Si të luftojmë që të drejtat e garantuara të respektohen? Si të detyrohet shteti apo “shteti”, si të doni, të respektojë ligjet dhe kushtetutën e tij dhe t’i zbatojë ato për të gjithë qytetarët e vet, siç u pëlqen t’i quajnë edhe serbët që nuk e konsiderojnë veten qytetarë të Kosovës? Përmes institucioneve? Të njëjtave institucione të cilat nuk i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën? Në rrugë, në barrikada? Çfarë na solli kjo në njëzet e ca vite të fundit? Si atëherë, me konflikt të armatosur? Kjo është një rrugë drejt një anarkie edhe më të madhe dhe vuajtjeve të mëdha, këtë tashmë e kemi pasur mundësinë ta përjetojmë, disa prej nesh qysh në klasën e parë të shkollës fillore. Jo, kjo nuk na duhet përsëri!
Dhe le të kuptohemi si duhet, unë vërtet e kuptoj çdo lloj lufte për respektimin e të drejtave dhe i konsideroj legjitime. Por është një tjetër gjë që më brengos. Ajo që më brengos është se çdo ditë të re një familje largohet nga Kosova dhe zhvendoset diku në Serbinë qendrore. Fëmijët mbarojnë shkollën fillore në mjediset serbe në Kosovë, dhe pas kësaj, një numër i madh i tyre nuk duan të regjistrohen në shkollën e mesme në të njëjtin vend, porse shkojnë në Serbi. E të mos flas për fakultetet. Kur fëmijët shkojnë, prindërit edhe nuk kanë pse të qëndrojnë dhe të luftojnë për asgjë në Kosovë. Edhe ata largohen. Dhe, për fat të keq, me çdo lajm të ri nga Kosova në televizion, çdo barrikadë të re, raund negociatash, gjithnjë e më shumë njerëz fillojnë t’i bëjnë valixhet gati dhe heqin dorë nga gjithçka.
Është tepër! Jeta kaloi!
Dhe kështu vijmë deri tek paradoksi i titullit. Sa më shumë që luftojmë për të qëndruar, aq më shumë po largohemi. Një e vërtetë e trishtueshme dhe një rreth vicioz. Dhe si të dilet prej tij? Me armë? Vetëm nëse duam të përshpejtojmë procesin për të cilin po shkruaj! Me protesta? Gjithsesi! Kjo edhe është një mënyrë e të luftuarit, vetëm se njerëzit janë të lodhur edhe prej saj dhe madje heqin dorë për shkak të saj. Përmes institucioneve? U përpoqëm, nuk po shoh asnjë rezultat nga dhjetë vjet pjesëmarrje në punën e tyre!
A kam ndonjë zgjidhje? Unë nuk jam sa duhet i zoti për të sugjeruar një zgjidhje, por ajo që di është se njerëzit janë të stërlodhur nga tensionet dhe problemet e vazhdueshme. Do të dëshiroja që të na lënë të gjithëve të pushojmë. Që të mos dëgjojmë për forca speciale, kriminelë, barrikada, territore, targa e letra ngjitëse, madje edhe për vlerat evropiane që është bërë fjala më e shtrenjtë boshe në historinë e këtyre hapësirave.
Na leni të pushojmë! Na leni të jetojmë.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.