Parimet për AKS-në nuk janë në përputhje me kushtetuten, thotë Gjykata

Nga Gjykata është kërkuar që të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar "Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore" me frymën e Kushtetutës. Gjykata ka vendosur se këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse.

0
930

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO130/15.

Nga Gjykata është kërkuar që të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore” [Parimet], me frymën e Kushtetutës, gjegjësisht me nenin 3, paragrafi 1 [Barazia Para Ligjit], me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata konkludoi se është Marrëveshja e Parë, e ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 qershor 2013 dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, ajo e cila parasheh themelimin e Asociacionit/Bashkësisë të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Parimet janë një dokument i ndërmjetëm, në bazë të të cilit akti ligjor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti do të elaborohen në zbatimin e tyre.

Gjykata ka vendosur se këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje veçanërisht me nenet 3, 7 dhe 12 të Kapitullit II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44 të Kapitullit III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], me nenet 57, 59, 60, 61 dhe 62, si dhe me nenet 79, 81, 93, 101, 113, 123, 124 dhe 137 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës siç është arsyetuar në Aktgjykim.

Gjykata nënvizon se është përgjegjësi kushtetuese e autoriteteve përkatëse që të përfshijnë këto konkluzione në aktet ligjore që do të pasojnë.

Aktgjykimi është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës dhe mund të lexohet duke klikuar në këtë vegëz: http://www.gjk-ks.org/repository/docs/gjk_ko_130_15_shq.pdf

(Gjykata Kushtetuese e Kosovës, 23/12/2015)