PE-ja miraton rezolutën që bën thirrje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

0
30

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.

Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve. Po ashtu, në rezolutën e PE-së u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

Raportuesi për Serbinë në PE, Vladimir Biliçek, ka konfirmuar se ai nuk ishte në favor që në rezolutë të përfshihej thirrja për njohjen e ndërsjellë.

“Siç kam thënë unë nuk isha i lumtur për këtë. Sidoqoftë, ekziston realiteti politik dhe shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Dialogu tashmë është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e të dy palëve”.

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.

Me përjashtim të disa deputetëve nga radhët e të djathtës ekstreme, shumica e ligjvënësve evropianë kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në raportin për Kosovën po ashtu përsëriten thirrjet që Kosova të vazhdojë procesin e reformave si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Von Cramon tha se PE-ja mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ajo ka shprehur rezerva për mundësinë për aplikim për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për shkak të pesë shteteve mosnjohëse.

“Kjo do të krijonte shumë pritje në Kosovë të cilat do të duhej më pas t’i menaxhonim”, u shpreh von Cramon.

Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente.

Serbisë i kërkohet të sanksionojë Rusinë

Me rezolutën e miratuar, përfaqësuesit evropianë u bëjnë thirrje autoriteteve në Serbi “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Autoriteteve të Beogradit u kujtohet se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim.

Ndërkaq, përsëritet mbështetja për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe rëndësia e angazhimit konstruktiv të autoriteteve serbe dhe të Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është thelbësore për të dy vendet që të avancojnë në rrugët e tyre evropiane. Raporti gjithashtu bën thirrje për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Von Cramon dhe Biliçek janë shprehur optimistë që të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe thanë se presin gjatë këtij muaji të mbahet një takim i nivelit të lartë.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut që nga korriku i vitit të kaluar.

Në kuadër të dialogut, Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Parlamenti Evropian përmes rezolutës u bën thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë kundër madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe kërcënon stabilitetin dhe pajtimin rajonal. Aty po ashtu shprehet keqardhje për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të vendimeve ndërkombëtare për krime lufte dhe i bëhet thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit si prioritet.

Thirrje për moscenimin e institucioneve shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës

Sa i përket Bosnjë e Hercegovinës, në rezolutën e miratuar të PE-së dënohet fuqishëm retorika e urrejtjes dhe aktivitetet përçarëse, përfshirë edhe tërheqjen nga institucionet shtetërore dhe pengimin e punës së institucioneve nga udhëheqja e Republikës Sërpska. PE-ja u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë të kthehen në institucionet shtetërore dhe të shtyjnë përpara reformat që lidhen me BE-në, veçmas ato që lidhen me sundimin e ligjit.

Rezoluta dënoi të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve paralele, parashtetërore, pasi theksohet se ato cenojnë institucionet shtetërore, rendin juridik, pavarësinë dhe sovranitetin e gjyqësorit. U bë thirrje që institucionet vendore, BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar të përdorin të gjitha instrumentet në dispozicion, për të ndëshkuar me sanksione aktorët destabilizues në Bosnjë e Hercegovinë.

(evropaelire.org, 06/07/2022)