Për anëtarësimin e Kosovës vendos Këshilli i Evropës

Procesi nuk do të jetë i shpejtë dhe nuk duhet pritur anëtarësim të shpejtë, por është në interes të shteteve të tjera evropiane që ta kenë Kosovën anëtare.

0
266

Kosova ka dorëzuar një aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Presidenti serb Aleksandar Vučić tha se kjo “ishte shkelje, jo vetëm e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, por edhe e normave të drejtpërdrejta të disa marrëveshjeve, nga Rezoluta 1244 deri te Marrëveshja e Uashingtonit.”

Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020 nuk e bllokon Kosovën të aplikojë për anëtarësim. Ajo marrëveshje theksonte se pala e Kosovës nuk do të kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit. Ai kufizim ka skaduar në shtator 2021.

E drejta ndërkombëtare po ashtu nuk duket se paraqet pengesë. I mbetet Këshillit të Evropës të vendosë se cilat shtete t’i pranojë anëtare. Kushti i saj është se shtetet anëtare duhet t’i pranojnë parimet e sundimit të ligjit dhe se të gjithë njerëzit brenda juridiksionit të tyre duhet të gëzojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Shtetet evropiane të cilat vlerësohen se janë të afta dhe të gatshme të plotësojnë këto kushte, mund të ftohen të bëhen anëtare të Këshillit të Evropës nga Komiteti i tij i Ministrave. Pikërisht ky Komitet merr vendim dhe këto janë kriteret. Dy të tretat e Ministrave duhet të pajtohen të ftojnë një anëtar të ri, që aktualisht nënkupton 31 sish nga 46.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare është një argument tjetër në dobi të anëtarësimit të Kosovës. U mbetet Ministrave që të vendosin sesi kjo është në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i paraprin atij vendimi.

Siç duket, mosmarrëveshjet që përfshijnë shtetet kandidate në të kaluarën nuk i kanë parandaluar ato të bëhen anëtare të Këshillit të Evropës. Kjo është në pajtimin me qëllimin e Këshillit që të arrijë një unitet më të madh ndërmjet anëtarëve të saj me synimin për të mbrojtur dhe realizuar idealet e parimet që janë trashëgimi e tyre e përbashkët, dhe për të lehtësuar progresin e tyre ekonomik e social. Armenia, Azerbajxhani dhe Moldavia janë pranuar anëtare. Procesi i pranimit ishte parë si ndihmë e mundshme për të zbutur tensionet politike mes shteteve fqinje. Kësisoj, pra, ekziston një precedent për situatën Kosovë-Serbi.

E dimë se një numër shtetesh aktuale e kanë përkrahur qëllimin e Kosovës. Edhe Gjermania edhe Mbretëria e Bashkuar kanë deklaruar fuqishëm se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Ambasada e SHBA-së në Kosovë gjithashtu e ka përkrahur aplikimin e Kosovës. Rusisë, pas agresionit në Ukrainë, i është hequr anëtarësimi dhe mosprania e saj do të jetë në favor të Kosovës.

Procesi nuk do të jetë i shpejtë dhe nuk duhet pritur një anëtarësim të shpejtë, por është në interes të shteteve të tjera evropiane që ta kenë Kosovën anëtare. Kjo do t’i ndihmonte asaj të përfshihej në këtë organizate kyçe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe do t’i mundësonte Këshillit të ketë ndikim më të madh përbrenda asaj sfere. Kjo është një konsideratë parësore që duhet të jetë vendimtare për cilindo shtet anëtar, duke përfshirë Serbinë, e cila ka komunitetet e veta në Kosovë, të drejat e të cilëve mëton se duhen mbrojtur.