Gjatë disa viteve të fundit po vërehet një fuqizim i sërishëm i faktorëve të caktuar në skenën politike të shteteve ballkanike të cilët përmes zmadhimit, apo thënë më mirë, stërmadhimit të fakteve historike përpiqen që të bëjnë për vete numër sa më të madh të itharëve.
Mirëpo, historia si shkencë sa është e bukur dhe me orientim humanist, aq është edhe e rrezikshme nëse interpretohet në mënyrë të gabueshme dhe të shtrembëruar. Synimet moderne të të gjitha shteteve drejt arritjes së mirëqenies janë diçka që vetvetiu kërkojnë shfrytëzimin e të gjitha mjeteve që janë në dispozicion e kështu edhe në një masë të caktuar edhe të historisë si shkencë. E tëra do të ishte e mirë dhe ideale sikur historia në disa segmente nuk do të interpretohej në mënyrë të gabueshme, të shtrembëruar dhe jashtëzakonisht të pasaktë, gjë që me vete sjell një mori problemesh, të cilat ne në Ballkan i kemi përjetuar shumë herë në lëkurën tonë.
Në këtë shembull konkret, do të merremi shkurtimisht me historinë e dy popujve që janë më të rëndësishmit për neve që jetojmë, punojmë dhe mbijetojmë në Kosovë.
Historia e shqiptarëve dhe serbëve është në shumë raste një tërësi sepse popujt e përmendur shumë shekuj më parë kanë jetuar pranë njëri-tjetrit, apo madje edhe me njëri-tjetrin. Kjo gjithsesi vetvetiu do të duhej të nënkuptonte që në të gjitha tekstet e historisë do të duhej të shkruhej një histori e përgjithshme e një regjioni e ky është në këtë rast Ballkani e në një kuptim më të ngushtë historia e dy popujve të cilët e kanë ndarë kohën, hapësirën dhe fatin në të njëjtën mënyrë.
Mirëpo, a është kjo kështu? Për fat të keq nuk është. Kohëve të fundit jemi dëshmitarë që historia e këtyre dy popujve po shfrytëzohet në atë mënyrë që të fajësohet njëri apo populli tjetër apo të paraqiten si kriminelë a okupatorë, duke i fshehur me mjeshtëri gabimet e veta dhe krimet e veta. As njëri e as populli tjetër nuk kanë qenë imun nga kjo. Edhepse duhet të pranojmë që historianët shqiptarë kanë epërsi më të madhe në këtë praktikë, i pëlqeu kjo dikujt apo jo. Detyra ime është që të vë këtë në dukje sepse historia është përcaktim dhe profesion i imi.
Historia e popullit shqiptar dhe atij serb është, siç e thamë, e ndërthurur dhe në pjesë të caktuara përbën një tërësi, e deshëm ne këtë apo jo, por nëse do të lidheshim ngushtë për tekstet e historisë do të mendonim se këta dy popuj nuk kanë asgjë të përbashkët dhe se janë larg njëri-tjetrit me mijëra kilometra e jo që jetojnë njëri pranë tjetrit, apo njëri me tjetrin, njëri afër tjetrit apo…..
Derisa në tekstet serbe përmendet shumë pak historia e popullit shqiptar në pjesën e tekstit i cili merret me historinë e përgjithshme, në anën tjetër, në tekstet shqiptare historia e popullit serb gjithmonë përmendet si histori e okupimit, terrorit dhe histori e kohërave të liga. Lidhja me mite nga historia është praktikë që me të madhe përdoret edhe tek njëri edhe tek populli tjetër kështu që i ashtuquajturi Miti i Kosovës tek populli serb gjithmonë dhe në mënyrë të pashmangshme e përjashton faktin që gjatë zhvillimeve në Kosovë kah fundi i shekullit të 14-të, d.m.th. gjatë betejave në Maricë dhe në Fushë Kosovë kanë marrë pjesë edhe shqiptarët dhe, besoni ose jo, në anën e serbëve. Edhepse në atë kohë nuk kanë qenë popull shtetformues, shqiptarët kanë pasur një ndikim tejet të madh në zhvillimet në regjionin e Kosovës dhe Shqipërisë së sotme. Privilegje nga sundimtarët serbë u janë dhënë edhe udhëheqësve të disa fiseve shqiptare, por për këtë sigurisht nuk do të lexoni në tekstet shqiptare sepse në kohën e sotme është e paimagjinueshme dhe tejet jopopullore të thuhet që serbët dhe shqiptarët dikur, shumë kohë më parë, kanë bashkëpunuaar dhe kanë jetuar në paqe dhe harmoni.
Po ashtu edhe në tekstet serbe nuk do të lexoni që shqiptarët në mënyrë të barabartë kanë luftuar kundër armiqve të përbashkët siç ishte Perandoria Osmane gjatë historisë së tyre dhe që fitoret e Skënderbeut mbi turqit kanë pasur rëndësi edhe për popullin serb që ka jetuar në të njëjtat zona me atë shqiptar dhe që po ato fitore në një masë të caktuar kanë ndihmuar që ushtria osmane të dobësohet dhe të zvogëlojë terrorin ndaj popullatës së cilido besim të ketë qenë ajo. Në tekstet serbe nuk do të gjeni as që në ushtrinë e Skënderbeut ka pasur edhe maqedonë dhe malazezë të sotëm. Po ashtu tek populli shqiptar është tejet e palejueshme të thuhet që edhe vetë Skënderbeu ka qenë me origjinë nga një familje aristokrate e krishterë e cila ka edhe rrënjë serbe. Përmendja e këtyre fakteve do t’i shkaktonte autorit më shumë dëm se sa dobi kështu që në dritën e situatës së tanishme politike këto fakte neglizhohen dhe nuk përmenden. E këtu është çelësi i tërë asaj që po na ndodh neve.
Që të mos e zgjasim tepër këtë blog, ne morëm këtë shembull nga periudha mesjetare e zhvillimit historik të këtyre dy popujve, por i njëjti rast është edhe në periudhat e mëvonshme të historisë. A do thotë që të parët tanë kanë pasur fatin e ndërlidhur me njëri-tjetrin apo që kanë qenë shumë më të mençur se ne sot, këtë po ia lë lexuesit ta konkludojë, por është evidente që historia sot është shndërruar në një armë dhe që po bëhet gjithçka tjetër vetëm jo shkencë mbi të kaluarën.
Kudo në botë historia mësohet në mënyrë që gabimet të mos përsëriten e vetëm tek shqiptarët dhe serbët historia mësohet për t’u gjetë fajtori për gjendjen momentale. Fajtorë natyrisht nuk ka, kurse historia e shtrembëruar mbetet dhe atë atje ku është më e rrezikshmja e kjo është në vetëdijen e gjeneratave të reja të cilët ashtu të indoktrinuar do të ndërtojnë një lloj të ardhme e pasojat e tërë kësaj do t’i ndjejnë vetë ata në lëkurën e tyre, duke i përsëritur gabimet të cilat ne po i bëjmë tani. Ai cikël i shtrembërimit të historisë, e ç’është edhe më keq, i fshehjes së fakteve historike nuk ka fund dhe përbën pikërisht këtë rreth në të cilin gjendemi vetëm ne dhe askush tjetër.
Ky blog nuk ka për qëllim që të fajësoj dikë apo që historinë e dikujt ta bëj objekt talljeje, porse të vë në dukje atë se historia po shfrytëzohet për qëllime të gabueshme dhe që si e tillë mund të jetë e rrezikshme, nëse jo edhe arma më e rrezikshme në duart e individëve. Të gjithë ata duhet çarmatosur, nëse jo nga armët atëherë bile nga historia sepse nuk janë të denjë për të.
Derisa popujt tjerë e ndajnë historinë, neve historia na ndan. Kush po gabon këtu nga e tërë kjo që po na rrethon po e shohim edhe vetë. Puer mendimin tim, është koha e fundit që të nis ndryshimi i kësaj praktike. Jemi të vetëdijshëm që nuk jemi një popull, por po ashtu duhet të jemi të vetëdijshëm që historia është vetëm një.