Përgjegjësitë e ngathëta

BE-ja është indiferente ndaj aspekteve ligjore dhe implikimeve të dialogut. Kështu shkruan Bodo Weber, autori i një raporti të publikuar së fundmi nga Big Deal, që merret me çështjet e pasigurisë kushtetuese, paqëndrueshmërisë politike dhe sundimit të ligjit në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo është një kritikë e qartë e Bashkimit Evropian duke lënë mëkatet e të tjerëve në hije.

0
1034

BE-ja është indiferente ndaj aspekteve ligjore dhe implikimeve të dialogut. Kështu shkruan Bodo Weber, autori i një raporti të publikuar së fundmi nga Big Deal, që merret me çështjet e pasigurisë kushtetuese, paqëndrueshmërisë politike dhe sundimit të ligjit në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo është një kritikë e qartë e Bashkimit Evropian duke lënë mëkatet e të tjerëve në hije.

Të martën me 19 prill, në përvjetorin e tretë të nënshkrimit të marrëveshjes së parë të Brukselit mbi normalizimin, Big Deal ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët mbi këtë temë të publikimit të ri të quajtur, Truku i ngathët: pasiguria Kushtetuese, paqëndrueshmëria politike dhe sundimi i ligjit në rrezik në dialogun Kosovë-Serbi.*

Truku i ngathët analizon aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të dhjetorit të vitit të kaluar për marrëveshjen e 25 gushtit 2015 në lidhje me AKS, të sigluar në Bruksel nga kryeministri i Serbisë dhe ai i Kosovës. Kjo marrëveshje formalisht është quajtur: Asociacioni/Bashkësia e Komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore. Autori i raportit, Bodo Weber i Këshillit i Politikës së Demokratizimit, me seli në Berlin, ka pranuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte konfuz dhe i vështirë për lexim. Ai thotë se kjo ishte pjesërisht si rezultat i gjykatësve që iu nënshtruan presionit politik nga të dyja anët, elitës qeverisëse të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ai i përshkruan gjyqtarët, të cilët duhet të jenë krejtësisht të paanshëm, si të ulur në gardh, duke balancuar këto dy qendra presioni, një “neksus i të drejtës kushtetuese-politikës”. Prandaj fjala truk (juggling) përdoret në titull. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare duket se është në fokus për kritikat kryesore.

Janë BE së bashku me SHBA të cilat ky raport i sheh si bartësit e përgjegjësisë kryesore për këtë vendim konfuz të Gjykatës. Atyre u drejtohen rekomandimet e autorit. Do të pajtohesha me kritikat e raportit ndaj BE-së, në veçanti me vërejtjen në raport se ende mbetet e paqartë se cila është qasja e EEAS ndaj këtij vendimi dhe si mendon (nëse mendon) ta trajtojë atë. Siç është përmendur në këto faqe më parë, BE-ja deri më sot ka arritur vetëm ta bëjë një deklaratë me gjysëm zëri. Zyra e BE-së në Kosovë, në prag të Krishtlindjeve ka deklaruar thjesht se e ka parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pret që të gjitha palët ta respektojnë atë.

BE-ja po e lehtëson dialogun dhe po lejon marrëveshje që janë jo vetëm në kundërshtim me kushtetutën e dy palëve nënshkruese, por edhe në kundërshtim me ligjet e veta dhe konventat evropiane. Askush nuk e përmendi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë diskutim të Big Deal. Pse jo? Po t’i kishte respektuar EEAS-i këto, nuk do të ishte shkuar aq larg në këtë rrugë të frymës-jo-kushtetuese, edhe pse Konventa nuk merret me çështje të tilla si “vështrimi i plotë” (“full overview”), një tjetër pikë në vendimin e Gjykatës.

Weber bëri shtatë rekomandime, dhe secili prej tyre fillon ose me dy shkurtesat, BE dhe SHBA, ose vetëm me EEAS. Këto përfshijnë kërkesën për përkushtimin e tyre të plotë për respektimin e themeleve kushtetuese dhe ligjore të shtetit të Kosovës në kuadër të dialogut; për të gjetur mbështetje për një amendament kushtetues sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare; të gjejnë një mënyrë për të zhvilluar një dialog me të gjitha forcat politike në lidhje me AKS; EEAS ka nevojë të angazhojë ekspertë ndërkombëtar të së drejtës kushtetuese; nevoja për të dërguar shenja të qarta se implementimi i marrëveshjeve të tjera është po aq i rëndësishëm sa AKS. Nuk ka rekomandime as për palën serbe as për atë kosovare.

Weber ka konstatuar se burokracia e Brukselit ka dëshmuar shpesh se përpjekjet e saj për të mbështetur një proces politik që ka për qëllim të çojë në një përfundim të caktuar, si rezultat mund të degjenerojë në një dinamikë në të cilën vetë procesi kthehet në qëllim në vetvete; një lloj profecie vetëpërmbushëse.

Disa nga këto rekomandime nxjerrin në shesh një injorancë, në dukje, të asaj që komuniteti ndërkombëtar ka bërë, veçanërisht në një kapacitet dypalësh duke u përpjekur të prodhojë një zbatim më të shpejtë dhe konstruktiv të dialogut. Sugjerimi i një amendamenti kushtetuese do të ishte i ngjashëm me hapjen e Kutisë së Pandorës në parlament. Është e vështirë të besohet se EEAS nuk ka përdorur ekspertë ligjorë, megjithëse disa nga të metat ligjore në këto marrëveshje mund të ishin vërejtur nga nxënës të shkollave. Propozimet e Ahtisaarit dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit në Maqedoni ofrojnë formulim të përshtatshëm për këto marrëveshje. Siç kemi thënë më parë, është edhe Komisioni i Venedikut i Këshillit të Evropës i cili gjithashtu nuk është përmendur as edhe një herë në tryezë në këtë debat të mesditës.

Le t’ia kujtojmë vetes se Serbia dhe Kosova janë ato të cilat kanë nënshkruar këto marrëveshje.
PSBE-ja (EUSR) në debat tha se EEAS së pari i dëgjon të dyja palët e pastaj harton projekt-marrëveshjet dhe më pas punohet në ato drafte. Kjo ishte hera e parë, më duket, që ai ishte aq eksplicit, por ajo që ne nuk e dimë është se sa shumë ka provuar, në qoftë se ka provuar, EEAS t’i bindë, të lehtësojë, heqjen e gjuhës etnike dhe të paqartë në tekst, p.sh. “vështrim i plotë”. EEAS do të duhej t’i formulonte ato pikëpamje në gjuhë juridike të pranueshme. Ndërkombëtarët kanë arritur të bindin palët maqedonase në 2001 që të bëjnë këtë, p.sh. neni 3.3 i cili thotë: Me qëllim që të sigurohet se policia është e vetëdijshme dhe përgjegjëse për nevojat dhe interesat e popullatës lokale, kryeshefat lokal të policisë do t’i zgjedhin këshilltarët e komunave nga lista e kandidatëve, të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të njëjtit rregullisht do të komunikojnë me këshillat.

Siç edhe e kam theksuar më parë, rekomandimet e raportit u drejtohen BE-së dhe SHBA-së. Janë ato të cilat duhet të: demonstrojnë përkushtimin e plotë ndaj respektimit të themeleve kushtetuese dhe ligjore të shtetit të Kosovës brenda kornizës së dialogut Kosovë-Serbi; ato duhet të inicojnë metoda për ta shtyrë qeverinë dhe opozitën në Kosovë që të miratojnë një amendament relevant kushtetues që kërkon që të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese para miratimit; ata duhet të dërgojnë një sinjal të fuqishëm se e mbështesin punën e Gjykatës Kushtetuese dhe plotësisht e respektojnë pavarësinë e saj; duhet të gjejnë mjete për dialog me të gjitha forcat politike në Kosovë për të diskutuar të gjitha rezervat ndaj AKS.

Weber ka absolutisht të drejtë kur thekson rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese duke mos lejuar që puna e saj të ndikohet politikisht. I ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar ka theksuar shpesh këtë, veçanërisht në nivel dypalësh, dhe ka dhënë mjete për zhvillimin e gjykatës si një institucion i respektuar dhe i pavarur. Janë elitat politike vendore dhe qeveria e Kosovës të cilat me të vërtetë duhet ta kuptojnë rëndësinë e mbajtjes së këtij institucioni si të pavarur dhe të sigurojnë që zyrat e saj përdoren në përputhje me rregulloret e saj.

BE-ja, EEAS-i si palë e tretë në procesin e dialogut, palë që ka ofruar shërbimet e saj për ta lehtësuar dialogun është dashur të jetë qenë më direkt në përgjigjen e saj ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe duhet publikisht të informojë qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e shteteve anëtare pse lejoi dakordimin e një teksti që nuk pajtohej me ligjin e brendshëm, si dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane. PSBE-ja shpjegoi në debat se BE-ja është një lehtësues i procesit, në të cilin ata nuk i shtyjnë me forcë dhe as nuk kanë fuqi dhe kompetenca vendimmarrëse. Edhe Kosova edhe Serbia aspirojnë për anëtarësim në BE dhe një nga kriteret kryesore për anëtarësim është respektimi i sundimit të ligjit e megjithatë BE-ja ka treguar vetë se ka dështuar në atë parim themelor evropian. Weber e përshkroi këtë si procesi i ambiguitetit konstruktiv i BE-së që ka hasur në mur, por përdorimi i formulimeve etnike nuk është ambiguitet konstruktiv, krejtësisht e kundërta. Unë pajtohem, megjithatë, se koncepti “vështrim i plotë” është edhe i paqartë edhe i dobët. BE-ja ka fuqinë për të siguruar se ligji respektohet dhe nuk mund të ritheksohet në mënyrë të paqartë.

Dhe çfarë duhet të bëjnë qeveritë e Kosovës dhe Serbisë? Ato duhet të kenë qeshur kur e kanë lexuar këtë raport. Atyre nuk u është dhënë asnjë rekomandim. Procesi i dialogut ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes këtyre dy vendeve, përmirësimin e jetës së njerëzve në to dhe hapjen e rrugës evropiane. Pika e dytë thuajse nuk u përmend në debat. Pika e tretë u citua nga Zëvendës Ministri i Kosovës i pranishëm, si arsyeja përse qeveria e tij është në dialog. Asgjë për njerëzit ose integrimin e qytetarëve të ndryshëm të Kosovës.

Beogradi dhe Prishtina e dinë shumë mirë se kanë tejkaluar kushtetutën dhe konventat, ata kanë këshilltarët e tyre ligjor, e dinë që ka pasur formulime në marrëveshje të cilat nuk kanë qenë në përputhje me ligjin vendor dhe ndërkombëtar. Çdokush që ka kryer shkollën fillore mund ta shohë atë. Pikërisht ata duhet të luajnë rolin kyç në korrigjimin e këtyre gabimeve dhe duhet të jenë më të hapur me publikun e tyre se përse ata nuk i përgjigjen kritikave të publikut rreth këtyre aspekteve të marrëveshjes, kritika të cilat shkojnë mbrapa deri në prill 2013.

Duhet të ketë angazhim dhe pronësi nga të gjitha palët e dialogut. Kjo nuk është vetëm një pjerrtësi e rrëshqitshme për integrimin në BE, por ka të bëjë me përmirësimin e jetës së njerëzve. Kjo është një arsye pse Weber tha se të gjitha pjesët e marrëveshjes duhet të zbatohen dhe janë po aq të rëndësishme sa AKS. Ky është një mesazh për Beogradin dhe Prishtinën siç janë të gjitha rekomandimet në raport. Shumë keq që kjo nuk është thënë në mënyrë më të thukët.

* Raporti http://kallxo.com/wp-content/uploads/2016/04/BigDeal-Report-2016-SHQIP-WEB.pdf