Policia e Kosovës nis lëshimin e letrave qortuese për targat ilegale

2
54

Policia e Kosovës është duke lëshuar letra qortuese për secilin shofer makine me targa të paligjshme serbe, që hyn apo del nga territori i Kosovës drejt Serbisë, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.

Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të tilla, që i lëshon Serbia.

Llogaritet se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre me targa RKS, apo Republika e Kosovës, do të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë.

Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Vuçeviq nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhet me situatën në Kosovë.

Ministria që udhëheq ai, nuk iu përgjigj as kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Shkëlqim Hysenaj, raporton se situata në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, është e qetë dhe se ka pak qarkullim të makinave me targa të paligjshme serbe.

Sipas tij, përgjatë dy orëve, sa ka qëndruar ekipi i REL-it në këtë pikë, kufirin e kanë kaluar më pak se dhjetë makina.

Kur ka biseduar me disa qytetarë, ata kanë thënë se kanë paqartësi se si do të veprojnë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Disa prej tyre kanë thënë se do të shohin se çfarë do të bëjë shumica para se të vendosin nëse do t’i riregjistrojnë makinat me targa RKS ose jo.

Ka pasur edhe qytetarë që kanë thënë se do të vendosin varësisht prej qëndrimeve të Qeverisë së Serbisë për këtë çështje.

Sveçla bën thirrje për riregjistrim në RKS

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar në orët e hershme të së martës se Policia e Kosovës do të angazhohet nga 1 nëntori për lëshimin e letrave qortuese për pronarët e makinave me targa të paligjshme serbe.

Ai u ka bërë thirrje atyre që të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, për t’i regjistruar automjetet e tyre me targa RKS.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’, nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që t’i regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu ta përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Çfarë parasheh plani i Qeverisë?

Plani në tri faza i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme është bërë i ditur më 28 tetor.

Pas fazës qortuese që do të zgjasë deri më 21 nëntor, do të nisë faza e dytë, që parasheh gjobë prej 150 eurosh për pronarët e makinave me targa të tilla. Kjo fazë do të zgjasë deri më 21 janar.

Nga kjo datë deri më 21 prill do të zhvillohet faza e tretë me targa provuese.

Ndërsa, pas 21 prillit, në komunikacion do të lejohen vetëm automjete me targa RKS.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS deri më 30 mars.

Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa lehtësira.

Çfarë do të thotë kjo?

Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.

Shembull, nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë prej 7.000 eurosh, të vitit 2015, deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë, rritet për 2.558 euro.

Ky çmim shtesë nuk do të vlejë për ata qytetarë që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.

Përveç kësaj, ata do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Të gjitha këto shërbime kapin vlerën e rreth 57 eurove.

Pra, 2.615 euro më pak për një makinë të tillë.

Zhgënjimi i SHBA-së dhe BE-së

Çështja e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme është bërë shkas i tensioneve në veri të Kosovës, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.

Për të qetësuar situatën dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 nëntor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar sërish shtyrje, edhe për dhjetë muaj të tjerë, dhe janë shprehur të zhgënjyer me mosveprimin e Qeverisë së Kosovës sipas kërkesave të tyre.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje dhjetëmujore të vendimit për targat, ndonëse besojnë se Kosova ka të drejtë ta zbatojë vendimin.

Më 31 tetor, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të afatit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.

Price ka thënë se këtë kërkesë ua kanë bërë të qartë autoriteteve në Kosovë, edhe publikisht, edhe privatisht.

“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në, kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje të plotë në zbatimin [e vendimit të targave]. Sërish, këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian”, ka thënë, mes tjerash, Price.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të hënën se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riregjistrimin e makinave, ka qenë ”joligjor dhe i dhunshëm” dhe se qëllim i tij kryesor është “shtypja” e serbëve në Kosovë.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Bisedimet ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

(evropaelire.org, 01/11/2022)