Nga mesi i muajit të kaluar pata nderin që të jem një nga folësit në një debat të llojit të vet nën patronatin e New Perspektiva-s, si dhe të disa organizatave të tjera nga sektori joqeveritar që merren me promovimin e demokracisë në praktikë dhe sendërtimin e të drejtave të njeriut në terren. Tema e debatit ishte e lidhur me njëfarë patriotizmi të llojit të vet për të cilin Kosova ka nevojë si dhe si të vihet deri tek një patriotizëm i tillë në praktikë në terren. Natyrisht, në shoqërinë e njerëzve për të cilët ky është në një mënyrë profesion i tyre, por që mbi të gjitha edhe kanë përvojë në tërë këtë, pati mundësi që të arrihet deri tek disa njohuri të reja dhe te disa konkluzione.
Duke folur për patriotizmin si dukuri shoqërore, duhet të vërejmë që në shoqëritë siç është kjo e Kosovës, një dukuri e tillë është gjithsesi e nevojshme por që mënyra klasike e shprehjes së ndjenjave patriotike në një mënyrë është e rrezikshme dhe vetvetiu mund të ketë ndikim kundërproduktiv. Kjo është ajo për të cilën janë dakorduar të gjithë pjesëmarrësit e debatit dhe që është shprehur si rreziku i vetëm në tërë këtë sepse duhet të pranojmë që shoqëria kosovare është ende e përshkuar nga ato elemente që me patriotizëm nënkuptojnë urrejtje dhe nënçmim të tërë asaj që nuk i përket shumicës në kuptim të vlerave kombëtare.
Patriotizmi sipas përkufizimit nënkupton një ndjenjë të krenarisë me vlerat kombëtare në aspektin e historisë, kulturës, gjuhës, traditës dhe një kontribut të llojit të vet për glorifikim dhe zhvillim të segmenteve të lartpërmendura të vetëdijes kombëtare. Mirëpo, në Kosovë, gjendja është pak më e ndërlikuar, dhe para së gjithash e ndryshme në vetë bazën e saj. Në Kosovë ndjenja e krenarisë me vlerat e përmendura është e përzier me një ndjenjë mosdurimi ndaj të tjerëve kështu që ky mosdurim në çdo moment mund të eskalojë në urrejtje si në nivelin verbal ashtu edhe atë fizik, gjë që, për fat të keq, e kemi parë vitet e fundit. Ajo çfarë e veçon Kosovën në këtë drejtim nga vendet dhe kombet e tjera të zhvilluara është se në këtë hapësirë është rrënjëzuar një urrejtje historike ndaj njëri-tjetrit, si e shqiptarëve ndaj serbëve dhe anasjelltas, që vetvetiu gjeneron të gjitha pasojat negative në një shoqëri të cilat e degradojnë gjithë atë që është arritur deri në atë moment. Unë nuk do të doja të merrem me analiza politike, por e tërë kjo që u tha më sipër tregon që në Kosovë po bëhet tregti me patriotizmin për qëllime politike ashtu që në krahë të ndjenjave patriotike të përfitohet në planin politik, duke mos zgjedhur as mjetet as metodat. Kjo që po përmendet ka të bëjë edhe me shqiptarët edhe me serbët sepse jemi dëshmitarë që në terren shpeshherë falsifikohen faktet historike dhe prezantohen në atë mënyrë që i konvenon qëllimit të një individi e gjithsesi jo tërë popullit të Kosovës. Derisa populli shqiptar në mënyrë konstante i shmanget fakteve që e lidhin atë me popullin serb gjatë zhvillimit historik ashtu edhe serbët hezitojnë t’ia pranojnë vetes që për suksese të caktuara në Kosovë gjatë historisë u janë mirënjohës edhe shqiptarëve me të cilët më gjatë kanë qenë në aleancë se sa në anë kundërshtare të njëra-tjetrës.
Përveç historisë, e cila padyshim përbën një nga bazat e ndjenjave patriotike, aty është edhe kultura në kuptimin më të gjerë të fjalës. Kosova është në aspektin e trashëgimisë kulturore mjedis shumë i pasur dhe në këtë kuptim ka një bazë të fortë mbi të cilën duhet të bazojë ndjenjën e saj patriotike, por vetëm nëse kjo ndjenjë do të nënkuptonte respektimin e dallimeve që janë shumë të shprehura në Kosovë, sepse çdo komunitet që jeton, apo që dikur ka jetuar në Kosovë, në këtë vend ka lënë gjurmët e veta të pashlyeshme në çdo segment të shoqërisë. Natyrisht kjo është ajo që na bën të gjithë neve krenarë për vendin në të cilin jetojmë.
Patriotizmi i cili është i nevojshëm në Kosovë është diçka krejt i ndryshëm nga ai që e kemi tani. Është e nevojshme që në parimet e tij të përmbajë të gjitha ato liri qytetare dhe botëkuptime të cilat janë të vetmet të afta që duke respektuar të huajën dhe të ndryshmen të kuptojnë se e gjithë kjo është ajo që e bën një shtet të veçantë në mënyrën e vet. Përzierja e segmenteve tjera të shoqërisë në krijimin e ndjenjave patriotike të tilla si feja vetëm mund të jetë kundërproduktive për shkak se këto janë dy gjëra që nuk duhet të përzihen, sipas mendimit tim. Ajo ndjenjë dhe ajo dukuri janë tejet të shprehura tek populli serb derisa populli shqiptar është mjaft shekullar gjë që vërehet mjaft në terren. Megjithatë, tërë kjo është pasojë e kohëve të vështira nëpër të cilat kemi kaluar ne që jetojmë këtu dhe që nëpër histori ka pasur ndikim të fortë në krijimin e vetëdijes kombëtare dhe patriotike. Do të kemi nevojë për shumë vite të qeta ashtu që edhe njëri edhe tjetri (shqiptarë dhe serbë) të lirohemi nga të gjitha këto në mënyrë sa më pak të dhimbshme.
Të gjithë pjesëmarrësit e debatit të përmendur u pajtuan me konkluzionin që situata momentale në Kosovë përkitazi me interpretimin e ndjenjave patriotike është tejet e komplikuar dhe që ka nevojë për ndryshimin e bazave mbi të cilat serbët dhe shqiptarët i ndërtojnë ndenjat e tyre patriotike. Gjithsesi është më mirë që me kohë të ndryshohen shkaqet potenciale sepse pasojat mund të jenë fatale për të gjithë ne, kurse pasojat nuk ndryshohen, me to vetëm mund të ballafaqohemi çfarëdo që të jenë ato.