Presidenti Thaçi: Personalisht do të angazhohem të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve në Kosovë

0
676

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.

Me këtë rast, Presidenti Thaçi tha se është e dhimbshme dhe e papranueshme, që tërë këto vite që nga fundi i luftës ende nuk është zbardhur fati i të gjitha viktimave.

“Çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe politika, qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare, duhet të qëndrojë larg kësaj teme”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai më tej tha se si protagonist i zhvillimeve politike në vend por edhe në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet i angazhuar që çështja e të pagjeturve të trajtohet dhe të mbyllet me urgjencë.

“Jam zotuar para jush, z. Çerkini dhe z. Trifunoviq, dhe e përsëris edhe sot, se personalisht do të angazhohem edhe më fuqishëm që të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve në Kosovë dhe të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për të gjithë ne” pohoi Thaçi.

Presidenti Thaçi, ndër tjera tha se bashkëpunimi që keni në mes vete, tejkalimi i ndasive përgjatë vijave etnike, kuptimi se kemi dëshira të njëjta, janë shembull për të gjithë ne.

“Duke parë shembullin tuaj, jam bindur për nevojën për të iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim në Kosovë. Ky mekanizëm do të ndihmojë që të realizohet e drejta e viktimave por edhe të gjithë qytetarëve që të dinë se çfarë ka ndodhur me ta dhe me të dashurit tuaj” shtoi ai.

Sipas tij,  viktimat, si edhe e tërë shoqëria, kanë nevojë të përmbushet edhe e drejta për drejtësi. ” Prandaj kam kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë, tani që kanë marrë kompetencat për të hetuar edhe krimet e luftës, që t’i japin prioritet ndjekjes së krimeve të luftës” vijoi Thaçi.

Ai më tej tha se jam i njoftuar edhe me sfidën e identifikimit të mbetjeve mortore.

“Është e kuptueshme dhimbja e familjeve që presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre për të cilët nuk dinë që gati dy dekada. Është e kuptueshme edhe dhimbja e atyre që megjithatë kanë marrë një mbyllje për fatin e familjarëve të tyre” theksoi Presidenti.

Presidenti Thaçi tha se këtë dhimbje e ndajmë të gjithë, sikur që ndajmë edhe përkushtimin që të identifikohen të gjitha viktimat, të gjitha mbetjet e gjetura, porse kjo çështje kërkon maturi, durim dhe dhembshuri nga të gjithë ne.

“Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të përkrahin çdo iniciativë, çdo familje, që përballet me dhimbjen”, vijoi Thaçi, derisa shtoi se do të ndihmojnë që të mbyllet çdo rast.

“Prandaj ne përkrahim çdo iniciativë tuajën, qoftë në nivel shtetëror, qoftë në nivel rajonal, që të ndihmohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve” shtoi ai.

Në fund, presidenti Thaçi i falënderoi organizatorët për organizimin e kësaj konference, dhe tha se ju garantoj edhe njëherë përkrahjen time të plotë për përpjekjet e juaja, duke shprehur falënderimin edhe për organizatat tjera që angazhohen për zbardhjen e fatit të pagjeturve, si : Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Komiteti Ndërkombëtar e Kryqit të Kuq, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur, shoqërinë civile, mediat.

(president-ksgov.net, 23/08/2017)