Presioni ndërkombëtar lidhur me çështjen e dialogut

Ekziston një lloj vullneti i shtuar nga faktori ndërkombëtar për të punuar drejt finalizimit të procesit të dialogut. Ndonëse deri më tani një proces i tillë ka patur një progres tejet të limituar, diskursi dhe veprimet e fundit të BE-së dhe SHBA-së në raport me dialogun na japin shpresë për të menduar që ky proces do të përparojë.

0
192

Së fundmi vërehet një lloj vullneti i shtuar nga ana e faktorit ndërkombëtar për të shtyrë përpara procesin e dialogut. Në rrethanat të një progresi vërtetë të ngadaltë (dhe një procesi deri diku të çrregullt), një gjë e tillë duhet të konsiderohet si e mirëseardhur, dhe mbi të gjitha e nevojshme në këtë fazë pasi liderët politikë nuk janë duke dëshmuar një prirje për kompromis. Argumenti tjetër është që duhet shfrytëzuar momentumi i krijuar. Po ashtu, duhet mos harruar që në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndonjë skenar ideal për asnjërën nga palët dhe si i tillë ky proces nuk ka nevojë të vonohet më tej.

Ndonëse gjerë më tani ka patur një prezencë konsistente të ndërkombëtarëve në proces të dialogut dhe që një gjë e tillë nuk ka qenë veçanërisht efektive, duket se gjithsesi nuk mund të flasim për ndonjë progres real pa ndërhyrje definitive nga faktori ndërkombëtar. Liderët e dy shteteve (tani dhe më herët) kanë vepruar në mënyrë të atillë që jep përshtypjen se kompromisi nuk duhet vënë asnjëherë në pyetje përpara interesave kombëtarë por që në rastin e një procesi të dialogut realiteti është bash e kundërta: kompromisi është i pashmangshëm dhe jo gjithmonë i qartë. Këtu hyn në lojë edhe faktori ndërkombëtar pasi është në dorën e SHBA-së dhe veçanërisht të Bashkimit Evropian të përdorin më efektivisht lojën e kushtëzimeve ose nxitjeve për Serbinë dhe Kosovën. Lidhur me këtë është shprehur edhe emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin duke përcjellë fjalët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se Kosova dhe Serbia nuk mund të ëndërrojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian pa njohje reciproke. Pra, është e qartë që vetëm kushtëzimet  do të mund të jepnin ndonjë rezultat praktik kur të dy qeveritë nuk shprehin ndonjë nxitje për të shtyrë proceset përpara.

Së fundmi, në ndërlidhje me temën mbi presionin e shtuar ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë është edhe një lloj momentumi i përgjithshëm i krijuar. Së pari, sa i përket Kosovës, diskursi i shtuar mbi çëshjen e vizave ka kthyer prapë vëmendjen tek procesi i dialogut. Po ashtu, edhe në Serbi flitet për një diskurs të shtuar për çështjen e Asosiacionit të komunave. Kjo është me rëndësi pasi që përveç çështjes së njohjes reciproke ekziston edhe një lloj tendence për t’u kthyer në atë pjesë të dialogut që mund të konsiderohet si esenciale. Mbi të gjitha, është edhe vullneti i faktorit ndërkombëtar për të mbajtur procesin në këtë drejtim gjatë kësaj faze. Sarrazini vazhdon duke komentuar se “përderisa Kosova ka vëmendjen kah njohja reciproke si qendër të dialogut, në Serbi vëmendja është kah Asociacioni.” Më tej, ai thekson se “dialogu po i kthehet bërthamës së debatit” dhe kjo për shkak të “unifikimit të shteteve anëtare të BE-së, të institucioneve evropiane dhe partnerëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar”. Lidhur me rolin e Gjermanisë ai ka shtuar se ajo përkrah të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajčak dhe që shtetet pjesëmarrëse në këtë proces duhet t’i kthehen thelbësores duke bërë të qartë vullnetin e shtetit të tij (dhe faktorit ndërkombëtar) për të bërë progres.

Një argument tjetër që legjitimon presionin e tanishëm ndërkombëtar në drejtim të arritjes së një zgjidhjeje në presionin e dialogut është që pa marrë parasysh se sa ky proces vonohet asnjëherë nuk do të ketë një skenar ideal – të paktën shikuar nga perspektiva e shteteve specifike. Liderët politik te të dy shtetet janë të vetëdijshëm që kushtëzimet dhe mosarritjet në rrafshin e integrimit në Evropë vetëm se janë reale dhe që ata detyrimisht do të duhet të bëjnë një lloj kompromisi që edhe me gjasë do të jetë i dëmshëm për statusin politik. Megjithatë, sipas çdo analize dhe diskursit të përdorur ndërkombëtar, një kompromis duhet të ndodhë dhe më së miri është që kjo të mos vonohet. Largimi i bisedimeve nga elementet substanciale nënkupton regres për shtetet dhe kjo është krejtësisht e padobishme kur tashmë faktori ndërkombëtar ka një tendencë të shtuar për të punuar drejt definimit të procesit.

Ekziston një lloj vullneti i shtuar nga faktori ndërkombëtar për të punuar drejt finalizimit të procesit të dialogut. Ndonëse deri më tani një proces i tillë ka patur një progres tejet të limituar, diskursi dhe veprimet e fundit të BE-së dhe SHBA-së në raport me dialogun na japin shpresë për të menduar që ky proces do të përparojë. Kur është tashmë e qartë që një proces i tillë do të ketë një lloj përfundimi të bazuar në lëshime nga të dyja palët është e qartë që ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar në këtë fazë është jo vetëm legjitime por edhe e nevojshme.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.