Procesi i normalizimit në fushatën zgjedhore

Fushata për zgjedhjet e 11 qershorit vuri në pah dallimet në qasjet që kanë partitë në skenën politike të Kosovës ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Megjithatë, asnjëra nga partitë që e kundërshtojnë formatin aktual të bisedimeve nuk ka dhënë hollësi për formatin e duhur sipas tyre, çka do të ishte e dobishme për të pasur një pasqyrë më të mirë për qasjen që do ta kenë ato në rast se e udhëheqin qeverinë e ardhshme.

0
1194

Dialogu në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka shërbyer shpesh si fushëbetejë ndërmjet pozitës dhe opozitës. Është polemizuar gjatë për formatin e tij dhe edhe më ashpër për marrëveshjet e arritura mes të dy palëve. Kujtojmë nëntorin e 2015, kur u hodh gaz lotsjellës kundër marrëveshjes për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, të arritur në gusht të atij viti në Bruksel. Ngjashëm, edhe në këtë fushatë zgjedhore dialogu me Serbinë është përmendur shpesh. Në këtë linjë, janë ravijëzuar prirjet e secilës parti/koalicion se si do t’i qasen dialogut në rast se vijnë në pushtet.

PAN

Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK, AAK, NISMA etj, Ramush Haradinaj, tha se mund të dialogojë vetëm duke qenë palë të barabarta, duke e respektuar reciprocitetin me Serbinë, dhe se “për hatër të askujt” nuk përkulet para Beogradit. Që në fillimet e fushatës, ai tha se marrëveshja për AKS-në kishte qenë gabim i qeverisë Mustafa dhe se ajo marrëveshje nuk vlen më për shkak se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë:

“Nuk mendojmë të vazhdojmë dialog sa për dialog, nëse dialogu është në respektim të plotë të asaj se kush jemi, po, jemi për dialog. Nëse ka pozita ose situata të tjera nuk i përfillim. Do t’i njohim vetëm ata që na njohin, do t’i respektojmë vetëm ata që na respektojnë.”

Përveç këtyre, Haradinaj ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në këtë dialog pasi, sipas tij, nuk mund të ketë dialog përmbajtjesor pa ta. Ai ka deklaruar se Evropa e vetme në këtë proces, nuk mund të bëjë gjë. Më tutje, ai e ka kushtëzuar dialogun me Serbinë në mospërfshirjen e çështjeve të brendshme të Kosovës. Në të njëjtën linjë, Haradinaj e ka shfaqur nevojën për miratimin e faktorëve të brendshëm në Kosovë si shoqëria civile e qytetarët lidhur me dialogun me Serbi: 

Unë nuk mund të vrapoj pas dikujt, vetëm pse fton në dialog, pa e ditur se cka thonë qytetarët, shoqëria civile, pra vendi në tërësi. Europa nuk mundet ta zgjidhë asnjë problem vet. Pa u përfshirë Amerika, nuk ka asnjë mundësi. Duhet të kthehet Amerika në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.”

VV

Dikur kundërshtues kategorik i bisedimeve me Serbinë, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, në këtë fushatë zgjedhore ka thënë se momentalisht bisedimet janë inekzistente dhe se në rast të rifillimit të tyre, e gjithë qasja duhet të ndërrohet dhe të kishte për bazë parime. Sipas Kurtit, do të duhej të merrej parasysh se sa është Serbia gati për t’u ballafaquar me të kaluarën e tyre. Në rast se ata vijnë në pushtet, dialogu nuk do të vazhdonte në formatin e njëjtë dhe ai do të kushtëzohej duke pasur si parim bazë reciprocitetin. Në vend të kësaj, alternativa e VV-së konsiston në prioritarizimin e dialogut të brendshëm me serbët e Kosovës që do të ndihmonte në integrimin e komunitetit serb; duke mos e parë këtë komunitet vetëm në identitetin e tyre kombëtar, por edhe rolin e tyre shoqëror dhe funksionimin ekonomik:

Me serbët lokal do të bisedojmë për zhvillim, dialog i hapur e demokratik dhe jo i mbyllur e diplomatik. Ta zëmë, në Lipjan do t’i mbledhim shqiptarët, serbët, ashkalinjtë dhe do të flasim bashkë për farën, për plehun, për tregun, për traktorin, për naftën e kështu me radhë, se unë besoj që është gabim t’i shohim serbët sikurse që është gabim t’i shohim shqiptarët, vetëm në identitetin e tyre kombëtar. Duhet t’i shohim edhe në rolin e tyre shoqëror, në funksionimin e tyre ekonomik.”

Sipas tij, në momentin kur Beogradi e ka fjalën kryesore për interesat e serbëve në Kosovë, kërkesa për formimin e një asociacioni “e ka qëllimin e e përsëritjes së Bosnjes.” Andaj, alternativa e tyre kërkon dialog të brendshëm me serbët e Kosovës pa ndërmjetësimin e Serbisë. Ky lloj dialogu, sipas Kurtit, e bën të panevojshëm AKS-në.

Pra, VV, ngjashëm si AAK, nuk kanë pasur lëkundje në qëndrimin e tyre për formimin e AKS-së, duke e marrë vendimin e Kushtetueses së Kosovës si dëshmi për mosvaliditetin e marrëveshjes për AKS. Në anën tjetër, që të dyja këto parti, e kanë vlerësuar sjelljen e qeverive të mëparshme ndaj Serbisë si servile dhe inferiore dhe kanë thënë se në rast të qeverisjes së tyre Kosova do të jetë palë e barabartë.

Kurti ka thënë se nën qeverisjen e tij, do të formohet një komision parlamentar që do të konstatonte se çfarë është bërë në dialogun me Serbinë prej vitit 2011.

LAA

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa, Avdullah Hoti, ka pasur qasje tjetër nga dy të tjerët. Ai nuk e ka kushtëzuar dialogun me Serbinë; as e ka përmendur reciprocitetin e barazinë. Ndonëse jo shumë i zëshëm në këtë aspekt dhe jo aq specifik në formatin që do ta kishte dialogu nën qeverisjen e tij, ai ka siguruar që në rast se koalicioni i tij vjen në pushtet, dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Sipas Hotit, dialogu do të duhet të udhëhiqet nga kryeministri i vendit dhe do të caktohet një afat kohor për kohëzgjatjen e këtij dialogu. Më tutje, ai ka shtuar që të gjitha temat do të nxirren në tavolinë dhe, ngjashëm si AAK, ka kërkuar që SHBA-ja duhet të përfshihet në këtë dialog:

Kemi plot çështje që duhet t’i zgjidhim me Serbinë deri te njohja finale, pra ajo që dëshirojmë ne është që t’i nxjerrim të gjitha temat në tavolinë të bisedave, të vendosim afate kohore kur duhet të përfundojnë ato tema dhe ta involvojmë direkt SHBA-në në këtë proces. Pa involvimin e SHBA-së procesi nuk do të lëvizë përpara sikurse nuk ka lëvizur viteve të fundit. Unë do ta marr përgjegjësinë për procesin e dialogut dhe ajo që do të sigurojë gjatë këtij procesi është transparenca maksimale karshi parlamentit të Kosovës.

Më tutje, Hoti gjatë fushatës zgjedhore ka siguruar që themelimi i AKS-së do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për më shumë, ai e ka theksuar nevojën për dialog me serbët lokalë për t’i involvuar në forcimin e institucioneve të Kosovës si dhe shtrirjen e institucioneve në veri të Kosovës.

Fushata për zgjedhjet e 11 qershorit vuri në pah dallimet në qasjet që kanë partitë në skenën politike të Kosovës ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Megjithatë, asnjëra nga partitë që e kundërshtojnë formatin aktual të bisedimeve nuk ka dhënë hollësi për formatin e duhur sipas tyre, çka do të ishte e dobishme për të pasur një pasqyrë më të mirë për qasjen që do ta kenë ato në rast se e udhëheqin qeverinë e ardhshme.