Projekti

Sikur edhe tek ne të zhvillohej fushatë parazgjedhore siç është rasti me disa demokraci të zhvilluara, atëherë do të ishte kënaqësi e vërtetë ta pëcjellësh atë ose madje edhe të marrësh pjesë në të nëse dikush e konsideron veten që është politikisht mjaft i pjekur për një gjë të tillë. Mirëpo, për fat të keq të të gjithë neve, ky nuk është rasti tek ne, e siç po rrjedhin gjërat, sipas të gjitha gjasave, sigurisht as për shumë vite në vijim nuk do të ketë ndryshime në këtë drejtim.

0
1199

Në shumë nga blogjet e mia deri tani kam theksuar që, të gjithë ne, pa marrë parasysh cilëndo përkatësi etnike, para së gjithash kemi nevojë për mirësjellje dhe ndjenjë përgjegjësie për çdo gjë që themi apo shkruajmë. Kjo që u përmend më lartë, para së gjithash, i duhet aktorëve politik të cilët në fillim të muajit luftonin për të fituar mbështetjen e votuesve për opsionin dhe idenë e tyre politike, nëse fare mund të thuhet që ekziston ideja tek disa politikanë. Të gjithë e kanë të qartë kaherë se fushata zgjedhore mund të konsiderohet e suksesshme vetëm nëse keni thënë sa më shumë fyerje në llogari të kundërshtarëve politikë dhe me këtë e keni prezantuar veten në sytë e popullit si dikë që nuk ka asnjë të metë dhe si dikë që është përfaqësues i sinqertë i të gjithë asaj që populli e dëshiron qëmoti. Që çështja të jetë edhe më keq, ne në Kosovë ende nuk kemi hequr dorë nga disa ide nacionaliste apo thënë më mirë projekte të së kaluarës.

Se është kështu të gjithë e kanë të qartë, sepse gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se disa politikanë shqiptarë përsëri po e përdorin terminologjinë që nuk është aspak pajtuese dhe tolerante ndaj pjesëtarëve të komuniteteve joshqiptare në Kosovë; natyrisht nuk ka nevojë të thuhet se drojën më të madhe nga një retorikë e tillë e ka populli serb. Dhe se tërë këtë kohë po flasim për terminologjinë që pas ardhjes nga Franca po e përdorë kandidati për kryeministër zoti Ramush Haradinaj, i cili më sa po shohim për çdo ditë po përpiqet që popullit të Kosovës t’ia kujtoj meritat e tij në luftë, por edhe atë se i tërë projekti i cili nënkupton rrumbullakësimin e pavarësisë së plotë të Kosovës në aspektin teritorial dhe juridik nuk është përmbushur deri në fund. Natyrisht, ky projekt përfshihet në idenë e gjithmbarshme e të a.q. Shqipëri e Madhe. Disa herë kam folur për këtë sepse këtë në një mënyrë e kam profesion dhe jam lodhur nga kjo, por konsideroj që edhe vetë ideja e përmendur bartë me vete një rrezik shumë të madh për sigurinë regjionale. Por zoti Haradinaj duket se nuk mendon për këtë sepse kjo ide për të është gjithmonë një metodë e sigurtë për të fituar popullaritet; mes tjerash, të gjithë e dimë që bile ai kurrë nuk është brengosur për sigurinë e qytetarëve, si të nacionalitetit serb ashtu edhe të atyre shqiptarëve që kanë refuzuar t’i nënshtrohen. Për këtë ka shkruar edhe vetë në librin e tij të cilën si duket e ka shkruar që në mënyrë të lëmuar t’i paralajmërojë të gjithë ata që do ta kundërshtonin në çfarëdo mënyre dhe në çdo kohë.   

Në vend që të ftojë bashkëluftëtarët e tij, dikur të luftës e tani politik, që prapë t’i veshin uniformat dhe siç thoshte asokohe “që të përfundojnë atë që kanë nisur”, do të ishte shumë më e dobishme që pak më shumë të merrej me statusin material të po atyre njerëzve që dhanë gjihçka që patën që ai tani të gëzojë luksin dhe begatinë e që për vete nuk kanë fituar asgjë. Si përfaqësues të atyre strukturave që nuk janë edhe aq shumë të përkushtuara ndaj negociatave dhe zgjidhjes paqësore të problemeve, zotëriu i përmendur i dha vetes të drejtë që në një mënyrë perfide të paralajmërojë se cilat janë pasojat e mundshme nëse projektet e përmendura, edhe rrumbullakësimi i pavarësisë së Kosovës edhe projekti i a.q. Shqipërisë së Madhe, nuk jetësohen. Ndërkaq ai qartazi nuk është i vetëdijshëm se rrethanat kanë ndryshuar dhe që madje edhe ai, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, do të duhet të ulet në tryezë dhe të negociojë, edhepse nuk dyshojmë që më mirë do ta gjente veten në llogore ku edhe e ndërtoi karrierën e vet. Por për këtë unë si serb nuk do të duhej të brengosesha; brenga ime nuk është ai, unë jam bindur në aftësitë e tij intelektuale duke dëgjuar fjalimet e tij dhe ajo që mund të them është se  një njeri që flet në atë mënyrë mund të jetë kërcënim vetëm për veten e tij. Mua më shumë më brengos ajo që shumica e atyre që e mbështesin edhe 18 vite pas luftës ende nuk është vetëdijësuar puer ta kuptuar se qëllimi i vetëm i tij mund të jenë të hollat dhe pushteti dhe asgjë më shumë se këto. Kjo është ajo që populli i jep atij kur voton për të derisa po ai popull, si edhe shumë herë më parë, menjëherë më 12 qershor do ta kuptojë që e tërë kjo ka qenë një shfaqje e madhe teatrale në të cilën ka marrë pjesë edhe vetë.