Sulmi me bombë i kryer mbi shtëpinë e një çifti të përzier shqiptaro-serb në shkurt të vitit 2013, ka mbetur i pandriçuar. Prokuroria e shtetit thotë se rasti fillimisht ka qenë në duart e EULEX-it dhe pasi ka kaluar tek vendorët, Prokurori i çështjes ka kërkuar zbulimin e autorëve të kësaj vepre penale dhe se aktualisht janë në pritje të përgjigjes nga policia. Por, zyrtarë të drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicë kanë thënë se rasti në fjalë mbetet me autorë të panjohur.
Dashuria e lindur në kohë lufte ndërmjet serbit Slavoljub Mašić dhe shqiptares Nerxhivane Rrustolli pak ditë më vonë ishte kurorëzuar me martesë, e cila ishte e pazakontë në Kosovën e shkatërruar të pasluftës. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ata ishin objektiv i një sulmi me bombë në qytetin e Mitrovicës, i cili për vite ka qenë i ndarë etnikisht – veriun e populluar me shumicë serbe dhe jugun e populluar me shumicë shqiptare. Sulmi kishte ndodhur në shkurt të vitit 2013 me granatë dore në Mahallën e Boshnjakëve në Mitrovicë. Slavoljub Mašić, Nerxhivane Rrustolli dhe fëmijët e tyre nuk kishin pësuar lëndime trupore nga sulmi me granatë, por vetëm dëme materiale duke ua prishur çatinë e shtëpisë. Incidenti është raportuar me 17 shkurt 2013, në ‘’Lagjen Boshnjake” në Mitrovicë. Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë treguar për “New Perspektiva” veprimet që kanë ndërmarrë në zbardhjen e këtij incidenti.
Policia nuk ka gjetur ndonjë gjurmë
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së jugut, Avni Zahiti ka theksuar se ankuesi Slavoljub Mašić, kishte raportuar se në oborrin e tij ishte hedhur një mjet shpërthyes.“Rasti në fjalë është hetuar si vepër penale, ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Bazuar në ekzaminimin e vendit të ngjarjes të kryer nga njësia përkatëse për trajtimin e mjeteve shpërthyese, është përcaktuar se mjeti shpërthyes ishte granatë dore M-75 model Jugosllav”, ka thënë Zahiti. Sipas tij, nga hetimet e bëra nuk është gjetur ndonjë gjurmë konkrete. “Në vazhdën e hetimeve janë bërë edhe analizat e ADN-s, mostrave të mbetjeve të mjetit shpërthyes–granatës ku nuk ka rezultuar me ndonjë gjurmë konkrete. Pra nga hetimet e bëra rasti në fjalë mbetet me kryes të panjohur (NN)”, ka shtuar Zahiti. Ai ka përjashtuar mundësinë që incidenti të jetë i motivuar etnikisht. “Rasti nuk është cilësuar si i motivuar etnikisht”, ka deklaruar Zahiti.
Pas hetimeve të policisë, rasti kishte kaluar në prokurorinë e EULEX-it, por që më vonë i ka kaluar prokurorisë themelore në Mitrovicë. Zëdhënësi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ekrem Lutfiu ka thënë se rasti është regjistruar me kryes të panjohur.
“Për rastin e cekur ju njoftojmë se në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, është regjistruar kallëzimi penal me kryes të panjohur dhe rasti mban numrin PPP-I-5/2013 e që është regjistruar me datën 21.03.2013, pasi që deri me këtë datë e ka mbajt Prokuroria e EULEX-it. Prokurori i çështjes ka dhënë kërkesë për zbulimin e kryerësve të kësaj vepre penale dhe presim përgjigje nga policia”, ka potencuar Lutfiu.
Tensionet në veri
Për incidentin e ndodhur në Mitrovicë patën raportuar edhe media ndërkombëtare. Pas sulmit, “Associated Press” shkruante se si ky shpërthim ka rritur tensionet në veri të Kosovës. Ai kishte ndodhur vetëm pak ditë para takimit në Bruksel ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje të gjetjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas AP, zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë thënë se sulmet si ky në Mitrovicë kishin për qëllim shmangien dhe dështimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Slavoljub Mašić në deklaratën e tij për AP kishte thënë se nuk kishte dijeni se kush e kishte hedhur bombën mbi shtëpinë e tij. “Unë nuk e di se kush e bëri atë. Por edhe në qoftë se jam serbi i fundit këtu, unë nuk do të lëvizë”, kishte thënë Mašić. Ndërkaq Zyra për Kosovë e Qeverisë së Serbisë, përmes një deklarate për medie i kishte bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i zbulojë dhe ndëshkojë autorët e sulmit me bombë.
Sulmi nuk kishte shqetësuar vetëm serbët, pasi edhe banorët shqiptarë kishin alarmuar për sulmet të ndodhura ndaj tyre dhe komuniteteve tjera që jetojnë në Mitrovicë. Halil Hakaj, 63, një fqinj shqiptar i familjes Mašić, kishte bërë thirrje për më shumë sundim të rendit e ligjit në veriun e Mitrovicës të “paqëndrueshëm” sa i përket situatës së sigurisë. Sipas tij, dikush dëshironte t’i përçante serbët dhe shqiptarët. “Një natë është një shqiptar, natën tjetër është një serb që sulmohet. Vetëm kështu nuk duan të na lënë të qetë”.
Lagja ku jetojnë Slavoljub Mašić dhe familja e tij, e njohur edhe si Mahalla e Boshnjakëve, është zonë multi-etnike në Mitrovicë.