‘Proxy war’ mes Kosovës dhe Serbisë

Ajo që duket se ka bërë Serbia është hapja e një horizonti tjetër të luftës politike, tjetër horizont nëntokësor, për të gllabëruar edhe më shumë pushtet në mënyrë që ta pengojë së brendshmi procesin e ri-integrimit të pakicave në institucionet e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës mund të hakmerren.

0
644

Në një shkrim pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 në New Perspektiva, të titulluar “Loja e Kosovës me pakicat”, shkruaja për hapësirën që i jepte ligji i zgjedhjeve komunitetit shumicë që ta tjetërsonte vullnetin e pakicave etnike për përfaqësim politik. 

Për ironi, është një pakicë tjetër etnike, serbët e Kosovës, që duket se në zgjedhjet e 14 shkurtit e kanë tjetërsuar vullnetin politik të pakicës boshnjake dhe të pakicës rome. 

Duket sikur shkrimin tim e ka përdorur Aleksandar Vučić, presidenti i Serbisë, si një manual ose thjesht frymëzim për ta fituar një tjetër betejë politike kundër Kosovës duke shtënë në dorë më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës, e kësisoj, më shumë pushtet. 

Përtej kësaj ironie, e vërteta është edhe më e trishtë. Derisa partitë shqiptare të Kosovës i turren Gjykatës Kushtetuese për gati çdo veprim madhor që bëjnë duke manifestuar mosnjohje të Kushtetutës, Serbia e njeh më mirë këtë Kushtetutë që politikisht s’e njeh. 

Nuk ka asgjë të keqe në parim që komuniteti serb të votojë një politikan boshnjak apo rom. Nuk do të kishte asgjë të keqe në parim që as komuniteti shqiptar të votonte një politikan serb në të ardhmen. Përkundrazi, kështu do të përmbajtësohej multi-etniciteti i shtetit të Kosovës. Dhe në anën tjetër, është e rrezikshme politikisht qoftë edhe të kundërshtohet shkujdesshëm votimi i bërë në këto zgjedhje nga serbët e Kosovës ta zëmë, për boshnjaken Adrijana Hodžić. Kjo është sikur t’ju thuash se duhet të votoni medoemos politikanë serbë. Pra, kjo është të bësh thirrje që të etnicizohen edhe në parim zgjedhjet në Kosovë. I gjithë ky diskutim është qartazi shkelës i frymës së Kushtetutës së Kosovës – që mëton të respektojë pakicat, por njëkohshëm edhe liritë individuale. 

Edhe në zgjedhjet e nëntorit 2019, Nenad Rašić, politikani serb që njeh Pavarësinë e Kosovës i bënte thirrje shqiptarëve që ta votonin. Shqiptarët nuk ia varën duke qenë tepër të preokupuar në ndasitë e tyre partiake. 

Pra, kjo është një tjetër betejë e fituar nga Serbia dhe që cenon kushtet e mundësisë së protestës duke qenë se cenon rregullsinë e ligjërimit tonë mbi multi-etnicitetin. Çështja nuk është aq bardh-e-zi sa mund të duket prej reagimeve që kanë bërë shumë figura të njohura publike. 

Ajo që duket se ka bërë Serbia është hapja e një horizonti tjetër të luftës politike, tjetër horizont nëntokësor, për të gllabëruar edhe më shumë pushtet në mënyrë që ta pengojë së brendshmi procesin e ri-integrimit të pakicave në institucionet e Kosovës. 

Shqiptarët e Kosovës mund të hakmerren. Me disa mijëra vota – në bazë të ligjit të zgjedhjeve për pakicat – ata mund ta sigurojnë një deputet serb në kuadër të ulëseve të siguruara për pakicat. Por kjo do të ishte në thelb kundër frymës që e kushtetuton Kosovën si shtet, dhe prandaj, do të ishte edhe më e rrezikshme. 

Ajo që duhet bërë është shfuqizimi i nenit 111 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme sepse ai bie ndesh në mënyrë flagrante me frymën e Kushtetutës së vendit duke i pamundësuar haptazi demokracinë drejtësisht reprezentative komuniteteve të pakicave. 

Ky nen specifikonte që partia shumicë e komunitetit pakicë duhet të përpjesëtojë numrin e përgjithshëm të votave me 1 [deputeti i parë], 3 [deputeti i dytë], 5 [deputeti i tretë], 7 [deputeti i katërt] e kështu me radhë, ndërsa partia pakicë e po asaj pakice fiton koeficientin në bazë të përpjesëtimit me 1 për deputetin e parë që e kërkon. 

Pra, është e qartë se përmes këtij neni i lirohet hapësirë e madhe shqiptarëve dhe serbëve që të luftojnë me njëra-tjetrën përmes përfaqësimit të pakicave, dhe shtron rrugën që të gjitha pakicat etnike në Kosovë të mbeten përmbajtësisht të papërfaqësuara politikisht, dhe qytetarët e pakicave tjera etnike realisht të mos kenë para vetes mundësinë e votimit.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.