Pse koronavirusi u bë kaq i parëndësishëm në Kosovë?

Nga e gjithë kjo që po ndodhte në skenën politike, koronavirusi – edhe pse mori vëmendjen globale – mbeti disi në plan të dytë. Dukej sikur qëllimi i njëmendtë kur këta politikanë na kërkonin të rrinim në shtëpi nuk ishte që ne të rrinim në shtëpi për të mbrojtur të tjerët dhe veten nga koronavirusi, por që të përcjellnim dramat e tyre politike në televizorët tanë. Dukej sikur lëngonin për vëmendjen tonë dhe po i bënin reklamë shfaqjeve të tyre që nuk ndaleshin asnjëherë, në emisione lajmesh e në debate të panumërta politike.

0
546

Kosova është në krizë institucionale, politike, kushtetuese, ekonomike, në krizë sovraniteti dhe më së fundi, edhe në krizë shëndetësore shkaku i koronavirusit të ri, Covid-19.

Deri në momentin që po shkruaj janë konfirmuar 362 raste personash të infektuar me virus. Dhe 7 prej tyre kanë vdekur. Pavarësisht rrezikut të qartë e të dukshëm për secilin prej nesh, lojërat politike në Kosovë shpërthyen si asnjëherë tjetër nga papërgjegjësia e klasës politike.

Kryeministri Kurti shkarkoi ministrin e LDK-së, Agim Veliun. LDK-ja më pas, me ndihmën e partive opozitare, shkarkoi Albin Kurtin dhe gjithë qeverinë. Presidenti kërkonte shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme që ta merrte situatën me koronavirusin në dorë. Kryeministri mori vendim që të ndalohej qarkullimi i qytetarëve – një vendim që u shpall jo-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Po kryeministri deklaronte se ekzistonte një marrëveshje sekrete për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë dhe e akuzonte presidentin për këtë gjë. Më pas, SHBA-të reaguan me një komunikatë të lëshuar nga Grenell, Palmer e Kosnett që thoshte se kjo nuk ishte e vërtetë. Kurti ishte rreshtuar me BE-në sa i përket dialogut, Thaçi e të tjerët me SHBA-në. BE dhe SHBA po ‘luftonin’ njëra-tjetrën në këtë vend të vogël ballkanik. E gjithë kjo përgjatë kësaj periudhe të krizës shëndetësore me koronavirusin.

Nga e gjithë kjo që po ndodhte në skenën politike, koronavirusi – edhe pse mori vëmendjen globale – mbeti disi në plan të dytë. Dukej sikur qëllimi i njëmendtë kur këta politikanë na kërkonin të rrinim në shtëpi nuk ishte që ne të rrinim në shtëpi për të mbrojtur të tjerët dhe veten nga koronavirusi, por që të përcjellnim dramat e tyre politike në televizorët tanë. Dukej sikur lëngonin për vëmendjen tonë dhe po i bënin reklamë shfaqjeve të tyre që nuk ndaleshin asnjëherë, në emisione lajmesh e në debate të panumërta politike.

Koronavirusi edhe një herë e zbardhi përmasën tonë të parëndësishme si qytetarë të vendit. Ne nuk vlenim as kur rrezikoheshim me jetë. Ajo që vlente ishte drama politike. Shumë prej nesh, përfshirë mua, mbetëm me rroga të përgjysmuara, shumë të tjerë u larguan krejtësisht nga puna – por kjo po e merrte një vëmendje tepër të vogël publike.

Dhe, për t’i fryer edhe më shumë zjarrit ndodhi edhe e ashtuquajtura “krizë e sovranitetit” në veri të vendit, pas vetëvendosjes në karantinë të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. PDK-ja, merreni me mend PDK-ja, e akuzonte Qeverinë se ishte dorëzuar para Beogradit dhe i kërkonte të dërgonte mjekë – ashtu siç kishte dërguar edhe Serbia në veri – për në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. VV-ja, merreni me mend VV-ja, po e akuzonte opozitën se po nxiste konflikt. Këto parti i kemi parë në pozicione të kundërta përgjatë dhjetë viteve të fundit. Tash, po i shihnim të vendosura në pozicionet e njëra-tjetrës derisa e polarizonin skajshëm shoqërinë, dhe e ulnin në mënyrë rapide rëndësinë e tyre si qytetarë.

Për fat të mirë, qytetarët serbë po ndihmohen nga Republika e Serbisë. Do të doja që ky shtet fqinj të ndihmonte edhe qytetarët shqiptarë – për shkak se posedon kapacitete më të larta shëndetësore. Por, a do të kapitalizohet kjo ndihmë shëndetësore më vonë në një rritje të ndikimit politik? Natyrisht, pa asnjë fije dyshimi. Dhe njësoj si Serbia, përpjekjet janë bërë enorme nga të gjitha partitë në Kosovë që të vjelin sa më shumë përfitime nga kjo krizë e Covid-19shit.

Asgjë nuk mund të ndodh në Kosovë e të mos infektohet nga politika. Edhe koronavirusi, fare natyrshëm, u politizua përkundër përmasës së tij globale. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të gjejnë një vaksinë lokale për t’u shëruar e mbrojtur prej saj sepse ekzistenca e tyre nuk kufizohet në këto drama të vogla tragji-komike të politikanëve tanë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.