Pse na duhen flamujt?

Pse na duhen flamujt? Javën e kaluar isha në Mitrovicë dhe flamujt që pashë aty ma kujtuan këtë pyetje përsëri. Më duhet ta pranoj, kurrë nuk më kanë pëlqyer flamujt.

0
1179

Pse na duhen flamujt? Javën e kaluar isha në Mitrovicë dhe flamujt që pashë aty ma kujtuan këtë pyetje përsëri. Më duhet ta pranoj, kurrë nuk më kanë pëlqyer flamujt.

Para disa ditësh shkova në zyrat e EULEX-it në Prishtinë. Shkallët kryesore ishin të mbushura me flamuj sa që nuk mund të mbahesha për parmaku; më të rëndësishëm flamujt sesa shëndeti dhe siguria? Më herët gjatë asaj jave pata qenë në një pritje diplomatike në Prishtinë. Të gjithë kamarierët kishin të veshur jelekë me flamurin e nikoqirit të vendosur në ta. Pse? Në Ukrainë në muajin maj qëndrova në një hotel të ri, të bukur në pjesën perëndimore të vendit. Para hotelit valëviteshin me krenari tre flamuj, i Ukraines, i BE-së, dhe ai nacionalist i Banderas. Si mund të vendoset flamuri i Banderas pranë atij të BE-së? Pse duhej të kishte flamuj aty?

Shumë kisha në Angli kanë flamuj në kambanoret e tyre. Në rregull, ato mund të mbajnë kryqin e Shën Gjergjit, por nuk ma merr mendja që shenjtori dragua-vrasës do të dëshironte që flamuri i tij, si simbol kombëtar, të dekoronte një vend për shërbesa fetare. Bile edhe në Skandinavi, më kujtohet kur isha atje për herë të parë para shumë vitesh, pashë shumë kopshte të mbajtura mirë, me shtylla të gjata me flamuj që dominonin mbi pemët dhe lulet e mrekullueshme. Pse? Pemët dhe lulet nuk kanë identitet kombëtar! Çuditërisht, kur kalova kufirin franko-gjerman mbi lumin Rajnë, nuk pashë flamuj. Si duket ata e kanë kuptuar nevojën për t’u bashkuar.

Sigurisht flamujt janë simbole, dhe simbolet janë të rëndësishme në momente të caktuara. Ata ishin fillimisht shenja dalluese në beteja dhe simbole detare. Lëvizjet nacionaliste të shekullit të nëntëmbëdhjetë u dhanë atyre ngjyrë dhe rol të ri. Por ne jemi në shekullin 21 dhe duhet të pyesim veten se a na duhen me të vërtetë gjithë këta flamuj.

Po kthehem prapë te Mitrovica ku flamujt shqiptar në njërën anë dhe ata serbë në anën tjeter të lumit Ibër më bënë të mendoj për gjithë këtë. Jam në Kosovë, në një vend ku populli ka kaluar një rrugë të përgjakshme drejt pavarësisë, ka miratuar flamurin e vet por që ende e përdorin flamurin e shtetit fqinj, Shqipërisë. Unë gjithashtu e kuptoj historikisht se pse flamuri në anën veriore të lumit është serb, e kuptoj pse ai qëndron aty. Megjithëkëtë, unë prapë mendoj që këta flamuj, këto simbole, duke i bërtitur njëri tjetrit përtej lumit nuk arrijnë asgjë. Janë përçarës dhe jo përfshirës. A nuk do të ishte më mirë që të hiqen, të palohen dhe të futen diku në sirtar?

Unë gjithmonë kam refuzuar të kem flamuj kombëtar në tavolina kur kam moderuar takime me përfaqësuesë të nacionaliteteve të ndryshme. Zakonisht e organizoja që në tavolinë të ketë vetëm lule. Për më shumë, ndësa po udhëtoj nëpër Kosovë po shoh flamuj që janë shqyer, grirë, zbehur, ose përlyer. Ndoshta edhe një arsye më tepër për t’i hequr ata.

Prandaj po pyes përsëri, pse na duhen flamujt? Pse, në vend të tyre, të mos mbjellim lule për t’i ndarë me njëri-tjetrin?