Qasja joparimore e BE-së ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian, ndonëse praktikisht një strukturë, nuk vepron si e tillë. Më konkretisht, duket se Bashkimi Evropian vepron si një shumësi shtetesh të cilat në shumicën e rasteve hasin në shumë vështirësi në arritjen e ndonjë konsensusi mbi çështje që janë të rëndësishme. Kjo në fakt ka qenë veçanërisht e dëmshme për Kosovën.

0
250

Lajmi i hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në mënyrë të pashmangshme kthen vëmendjen te çështja e vizave për Kosovën dhe në përgjithësi te qasja joparimore e Bashkimit Evropian për këtë shtet. Pra, ndonëse gjer më tani jemi mësuar me një retorikë (ndonëse jo gjithmonë përmbajtësore) për vlerat e Bashkimit Evropian dhe për pritjet mbi sjelljen konstruktive të shteteve, vetë Bashkimi Evropian duket se në fakt nuk zbaton atë që predikon. Për të qenë më specifik në këtë drejtim, mund të vijmë në një lloj konkludimi se BE vazhdon të ketë një qasje diskriminuese ndaj shtetit të Kosovës.

Së pari, BE vazhdon të mos u qaset proceseve në një mënyrë që mund të konsiderohet si institucionaliste. Sipas William Scott, profesor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Stanfordit, institucionet “përbëhen nga elemente kulturoro-njohës, normative dhe rregullative, të cilat, së bashku me aktivitetet dhe burimet e lidhura, i japin stabilitet dhe kuptim jetës shoqërore.” Në këtë drejtim, kur Bashkimi Evropian si një institucion nuk ndjek premtimet dhe direktivat e lëshuara sa i përket rrugëtimit për anëtarësim të shteteve siç është rasti me Kosovën, që i ka plotësuar kushtet por ende nuk ka viza, ose me përpjekjet për anëtarësim të shpejtuar të disa shteteve tjera, atëherë këtij institucioni i mungojnë elementet normative dhe rregullative pasi në këto raste nuk bëhet fjalë as për elemente normative (ku respektohen vlerat morale) dhe as ato rregullative sepse del që vetë procesi i anëtarësimit në BE nuk ndjek as elemente të qarta të natyrës ligjore.

Një tjetër problem i Bashkimit Evropian është që Bashkimi Evropian, ndonëse praktikisht një strukturë, nuk vepron si e tillë. Më konkretisht duket se Bashkimi Evropian vepron si një shumësi shtetesh të cilat në shumicën e rasteve hasin në shumë vështirësi në arritjen e ndonjë konsensusi mbi çështje që janë të rëndësishme. Kjo në fakt ka qenë veçanërisht e dëmshme për Kosovën kur dihet se pa marrë parasysh retorikën tejet pozitive mbi progresin e bërë të Kosovës dhe plotësimit të kushteve për viza, shtete si Franca dhe Holanda (ndonëse më pak) kanë vijuar të bllokojnë një gjë të tillë. Së fundi, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, pati deklaruar që “Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në.” Ai më pas shtoi se unioni nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin.  Pra, kjo deklaratë është në një masë kundërthënëse për faktin se shteti i Kosovës ende nuk e ka zgjedhur as të paktën çështjen e vizave si një fazë e hershme drejt rrugës për integrim.

Bashkimi Evropian po ashtu ka shfaqur një tendencë për një lloj qasje bilaterale që është më tipike për shtete se për insititucione. Në lidhshmëri me argumentin e mëhershëm për vështirësitë e këtij institucioni për të arritur konsensus mund të vërejmë se si përfaqësuesë të shteteve të ndryshme kanë tendencë të intepretojnë raportin me Kosovën por edhe me Serbinë në mënyrë të atillë që nuk dëshmon qasje institucionale por më shumë sentimentin ose qëndrimin e shtetit të caktuar. Megjithatë, deri më tani, kjo nuk del të jetë vetëm retorikë pasi që është evidente se Kosova vazhdon të ketë një relacion problematik me Bashkimin Evropian që më së miri dëshmohet me mungesën e progresit të arritur në dialog dhe në rrugën e integrimit në përgjithësi.

Në fund, mund të themi se nuk është befasi kur teoricienët e realizmit në marrëdhënie ndërkombëtare kanë një prirje për të minuar rolin e institucioneve në politikë dhe për të theksuar rolin e shtetit. Shembulli i Bashkimit Evropian dëshmon se pa marrë parasysh historinë e konsolidimit të deritanishëm, institucionet janë në fund një bashkësi shtetesh që megjithatë janë të vetëdijshëm për sovranitetin e tyre dhe rrjedhmisht për fuqinë e tyre për të shtyrë ose penguar agjenda të caktuara.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.