Qëndrim i përbashkët apo një shëtitje deri në Bruksel

Derisa për disa vende procedurat po lihen mënjanë, prej vendeve tona po kërkohet edhe ajo që nuk i është kërkuar asnjë vendi anëtar, kështu që kjo kaherë në vetvete po ka ndikim në euroskepticizmin gjithnjë e më të theksuar të popujve tanë.

0
48

Shumë vetë u befasuan nga lajmi se në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, tri vende, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të paraqiteshin së bashku me një qëndrim të përbashkët dhe të dakorduar në lidhje me integrimin e vendeve të përmendura si dhe të gjithë rajonit në BE. Gjithashtu, u paralajmërua se delegacioni i përbashkët do të përcjellë qëndrimin se nisma Open Balkan nuk ka për qëllim të zëvendësojë integrimin në BE por që është vetëm dhe ekskluzivisht iniciativë rajonale të cilën BE e mbështet në parim por që ajo në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë zëvendësim për anëtarësimin në BE. Si në deklarata të përbashkëta ashtu edhe ndaras, liderët e 3 vendeve shprehën qëndrimin e tyre që BE-ja duhet të riafirmojë qëndrimin e saj në lidhje me hyrjen e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE dhe se përndryshe besueshmëria e BE-së në Ballkan do të lëkundej rëndë.

Kur i hedhim një sy të gjitha deklaratave, qëndrimeve dhe iniciativave, mund të krijohet përshtypja se rajoni po fillon dalëngadalë të duket si një vend ku marrëveshja është e mundur  vetëm me vullnetin e fortë të të gjithë aktorëve dhe se një marrëveshje e tillë mund të sjellë rezultate në fund të procesit, sepse kaherë është bërë e qartë se veprimet e veçanta të secilit shtet individualisht nuk kanë asnjë përfitim për qytetarët e tyre – si për shkak të fuqisë  politike ashtu edhe për shkak të faktorit ekonomik që nuk është aspak i papërfillshëm. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, nismat e përbashkëta po bëhen ngadalë por sigurt e vetmja mënyrë që vendet e përmendura të arrijnë në një nivel ku do të mund të dëgjohej zëri i tyre. Do ta shohim në të ardhmen se sa ka sinqeritet aty, por deri tani gjithçka ka shkuar me një rrjedhë më normale se ajo me të cilën jemi mësuar, kurse është e qartë se pa mbështetjen e Brukselit nuk është e mundur të arrihet asgjë, kështu që qëndrimi i përbashkët në Bruksel po interpretohet si një lëvizje e shkëlqyer politike.  

E tërë kjo u shkaktua nga kriza në Ukrainë, e cila shkurtoi ose la mënjanë disa procedura në BE në mënyrë që në situatën e re të krijuar sa më shumë vende të lidheshin politikisht me Brukselin. Këtë e konfirmon edhe qëndrimi se dy vende kanë marrë statusin e kandidatëve për hyrje në BE pas procedurave të shkurtuara dhe atë pikërisht Ukraina dhe Moldavia fqinje. Me këtë, sipas disa deklaratave, BE-ja ka shkelur procedurat e saj, por për këtë do të diskutojmë ndonjëherë tjetër. Dhe derisa për disa vende procedurat po lihen mënjanë, prej vendeve tona po kërkohet edhe ajo që nuk i është kërkuar asnjë vendi anëtar, kështu që kjo kaherë në vetvete po ka ndikim në euroskepticizmin gjithnjë e më të theksuar të popujve tanë.

Është e qartë se udhëheqësit e vendeve të iniciativës Open Balkan e kishin pasur parasysh këtë në takimin në Ohër, kështu që nga e gjithë kjo erdhi një qëndrim i përbashkët që BE-ja më në fund duhet t’i kushtojë pak më shumë vëmendje edhe kësaj pjese të Evropës, në të njëjtën mënyrë siç po e bën tani në lindje të kontinentit. Natyrisht, situata politike dhe e sigurisë nuk është identike si atje, por nevojat e qytetarëve sigurisht që janë, dhe kjo është ajo që është më e rëndësishmja në kohën e krizës në rritje. Mbetet për t’u parë se sa do të na sjellë dobi të gjithëve ky qëndrim i përbashkët dhe sa më i lartë do të jetë ky zë se zërat individual, por, sido që të jetë, tani topi është në anën e BE-së dhe na mbetet të shohim se çfarë lojtarë janë tani ata në Bruksel. Thënë me fjalorin e futbollit, ne shënuam një gol si mysafir, na mbetet të shohim rezultatin në fund të ndeshjes.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.