Qytetarë të rendit të dytë

Tashmë disa vite me radhë, serbët e Kosovës janë të diskriminuar dhe të trajtuar si qytetarë të rendit të dytë nga ana e shtetit i cili deklaron se ata janë shtetas të tij me të drejta të plota dhe, për më tepër, sipas Kushtetutës jetojnë në territorin e tij. Përveç kësaj, Serbia dhe liderët e saj tashmë me vite po thonë që po bëjnë gjithçka për mirëqenien e jetës së serbëve të Kosovës.

0
1483

Është e ditur kaherë që serbët që jetojnë në Kosovë posedojnë dokumente të lëshuara si nga Serbia po ashtu edhe nga Kosova. Jeta pa njërën ose tjetrën palë të dokumenteve, nëse jeni serb në Kosovë, është thjesht e pamundur sepse nëse doni të kryeni punë të ndryshme administrative në institucionet që janë nën administrim si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës, ju keni nevojë për të dy letërnjoftimet.   

Do të thuhej gjithashtu se dihet prej kohësh që serbët nga Kosova nuk trajtohen si qytetarë të barabartë të Serbisë. Megjithkëtë, duket se kjo është e ditur vetëm për serbët nga Kosova, sepse të tjerët thjesht nuk i kanë ato probleme. Në fakt, me Rregulloren e vitit 2009, Qeveria e Serbisë, në mënyrë që të sigurojë një regjim pa viza për BE-në për banorët që jetojnë në territorin e Serbisë, pezulloi lëshimin e pasaportave biometrike dhe dokumenteve të tjera për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë. Prandaj, nëse jeni një serb apo serbe nga Kosova dhe keni një pasaportë serbe, ajo absolutisht nuk vlen aq sa pasaporta e dikujt që, për shembull, jeton në Rashkë. Me të njëjtën pasaportë, që të mund të shkoni kudo përveç Maqedonisë Veriore, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi, duhet të shkoni për vizë në Prishtinë, me të gjitha dokumentet e nevojshme. Për dallim nga dikush që jeton në territorin e Serbisë, me këtë pasaportë, të lëshuar posaçërisht për serbët në Kosovë, ju nuk mund të udhëtoni në vendet e Bashkimit Evropian për tre muaj pa vizë. Me këtë pasaportë, ju jeni një qytetar i rendit të dytë që vetëm në dukje dhe vetëm në letër llogariteni si shtetas i Serbisë.

Një gjë tjetër që gjithnjë e më shumë po u krijon probleme serbëve nga Kosova është edhe pamundësia e ndryshimit të adresës së vendbanimit. Në të vërtetë, në të njëjtën mënyrë si me pasaportat, Republika e Serbisë i kufizoi banorët e saj në Kosovë me një ndryshim thuajse të pamundur të adresës. Edhe pse procesi i ndryshimit të adresës për serbët “e rregullt” zgjat disa minuta, për serbët në Kosovë ky është një mision i pamundur. Proceset zgjasin disa muaj, kërkojnë kontrolle policore dhe dokumente që marrin tepër shumë kohë. Edhe nëse punoni në Serbi, keni pasuri të patundshme ose diçka të ngjashme, as kjo nuk e përshpejton procesin, sepse ju jeni akoma një “Serb nga Kosova” dhe kontrollet janë të mëdha. 

Tashmë disa vite me radhë, serbët e Kosovës janë të diskriminuar dhe të trajtuar si qytetarë të rendit të dytë nga ana e shtetit i cili deklaron se ata janë shtetas të tij me të drejta të plota dhe, për më tepër, sipas Kushtetutës jetojnë në territorin e tij. Përveç kësaj, Serbia dhe liderët e saj tashmë me vite po thonë që po bëjnë gjithçka për mirëqenien e jetës së serbëve të Kosovës. Duket që edhe mungesa e lirisë së lëvizjes llogaritet si më e mira për serbët e Kosovës sepse që nga viti 2009 e deri më tani askush nuk ka bërë asgjë që kjo politikë të ndryshohet dhe që ky diskriminim të ndërpritet.   

Në fund të fundit, nëse dëshironi të udhëtoni diku me të njëjtën pasaportë për qytetarët e rendit të dytë, ashtu siç u përmend tashmë, vizën duhet marrë në Prishtinë. Për këtë proces janë të nevojshme të gjitha dokumentet e Kosovës, edhe pse pasaporta është serbe, e lëshuar nga “Administrata Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë”.

Derisa serbët nga Kosova me vite të tëra dëgjojnë se si Serbia kujdeset vetëm për ta, ajo që marrim dëshmon gjithçka tjetër vetëm këtë jo. Derisa na dërgojnë trena me freska, hyjnë ilegalisht në Kosovë dhe në shumë mënyra të tjera përpiqen të prishin atë pak paqe të përditshme, nëse ajo ekziston fare, mbase do të ishte më mirë të pyesnin veten se për çfarë kemi ne nevojë në të vërtetë. E serbëve nga Kosova ka vite që u mungon një minimum, në këtë rast respektimi i të drejtave të njeriut duke siguruar lirinë e lëvizjes dhe jo dokumentet që u janë imponuar atyre, të cilat ata kurrë nuk i zgjodhën dhe nuk i kërkuan dhe për të cilat as nuk u pyetën fare.

Ndërsa kjo temë qarkullon në mënyrë të rastësishme në media prej vitesh, deri më tani, pra për 12 vjet që nga hyrja në fuqi e Rregullores, askush nuk ka bërë asgjë për të zgjidhur këtë çështje. Edhe nëse vjen ndonjëherë ndonjë situatë që të flitet në lidhje me këtë, ka të ngjarë të pasojë ndonjë krizë e re politike që është me prioritet. Ose ndoshta Qeveria e Serbisë do të na e dërgojë edhe një tren tjetër deri në Mitrovicë, thjesht që ne të brengosemi për prishjen e sigurisë, para se të mendojmë për atë se dikush po na i shkel të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.