Ramush Haradinaj nuk është Kosova

Kjo arratisje përmes politikës, përmes Kosovës, nga drejtësia po i mundësohet tash secilit që do të përballet me Institucionet e Drejtësisë. E gjithë kjo, si një përgatitje për mashtrimet mediatike që do të ndodhin në periudhën e Gjykatës Speciale. Ajo Gjykatë bjen vendime, të cilat njëzëri, në kor, do të konsiderohen si skandaloze e të dëmshme për Kosovën. A thua pse? Sepse, jo vetëm Ramush Haradinaj është Kosova.

0
3784

Para do ditëve, Daut Haradinaj, e dha një deklaratë në lidhje me situatën e vëllait të tij, Ramushit. Duke folur për pasojat e mundshme në rast të një vendimi për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi, ai tha se “mujn me na shti në luftë” dhe shtoi “nëse e dojnë Kosovën etnikisht të pastër pa serbë, le t’bajnë hajgare me Ramushin!”

Prej kah buron i gjithë ky llastim? Padyshim, nga reagimi i gjithandejmë i shoqërisë kosovare për procesin nëpër të cilin po kalon Haradinaj. Daut Haradinaj nuk do të guxonte të shprehej në këtë mënyrë, në rast se do ta dinte se do të përballej me reagim të ashpër qytetar. Por, askush nuk reagoi. Përkundrazi, Dauti u përkrah. Përsëri, Serbia ishte problemi i vetëm me të cilin u përball shoqëria kosovare për këto 18 vjet. Harruam se për çka paragjykohet Ramushi. Harruam sa të sakta na i vërtetoi paragjykimet tona për klanin Pronto, afera Pronto. Harruan, jo harruam, sepse unë nuk vuaj nga amnezia.

Duke u thënë se ishte proces politik, askujt nuk i hëngër palla të merrej me provat e reja për të cilat flet Serbia. Veç për shkak se po flet Serbia. U shpallën njëzëri, në kor, nga të gjithë papërjashtim si “të montuara”. Ramush Haradinaj, ashtu pakuptueshëm, u identifikua me shtetin e Kosovës. “Ai është Kosova” thotë një parullë e varur në Grand e që, në fakt, shfaqet nëpër shumë e shumë billborda tjerë në Prishtinë. A është ai Kosova? Jo, ai është përgjegjës për të bëmat e tij. Si individ. Siç është, praktikisht, secili prej nesh. Në shoqëri partikulare, nuk ka vend për deklarata të tilla. Por, opinioni publik u mashtrua.

Por, pse ndodhi i gjithë ky mashtrim? Opinioni në Kosovë është krejt lehtë i mashtrueshëm, kjo është e ditur. Dhe, aparatin për mashtrim e kanë në dorë pikërisht këto parti në pushtet, që në mënyrën më të pandershme të mundshme, raportuan për Ramushin si për një hero të pafaj, që po përballej me një padrejtësi. Procesi u paragjykua si politik, Franca u quajt shtet që ndërhynte në sistemin e drejtësisë nga njerëz që i kanë institucionet më të dobëta të drejtësisë në krejt Evropën. Përnjëherë, nga të pamësueshëm e të papërmirësueshëm, e bile edhe tutësanë për të bërë drejtësi, ne u shndërruam në ligjërues të drejtësisë. Jo ne, se unë nuk bëj pjesë në atë grumbull njerëzish të mashtruar, por ju. Ju u mashtruat, dhe nuk ju interesoi më e vërteta. Institucionet e drejtësisë as nuk dëgjuan se për çfarë akuzash bëhej fjalë. Siç nuk kishin dëgjuar asnjëherë pas përfundimit të luftës. Dhe kësisoj, arratisja e Ramush Haradinajt nga drejtësia u bë e mundur falë këtij mashtrimi. Ai ishte Kosova. Po futej në burg e gjithë Kosova. Dhe kush bëri ndërhyrje në drejtësi? Sipas jush, Serbia e Franca. Por jo ju. Sipas jush, nuk ka ndërhyrje në punën e drejtësisë kur i përdorë krejt mekanizmat e mundshëm të pushtetit, për të propaganduar për pafajësinë e tij. Edhe nëse mendojmë se Ramush Haradinajn nuk duhet ta gjykojë Serbia, prapë, dikush duhet të merret me ato akuza. Por, nuk është në pyetje veç Ramush Haradinaj. Këtu, në pyetje janë të gjithë ata që i paragjykojnë si të fajshme të bëmat e tyre në luftë, e që për fat të keq, janë në pushtet. Kjo arratisje përmes politikës, përmes Kosovës, nga drejtësia po i mundësohet tash secilit që do të përballet me Institucionet e Drejtësisë.

E gjithë kjo, si një përgatitje për mashtrimet mediatike që do të ndodhin në periudhën e Gjykatës Speciale. Ajo Gjykatë bjen vendime, të cilat njëzëri, në kor, do të konsiderohen si skandaloze e të dëmshme për Kosovën. A thua pse? Sepse, jo vetëm Ramush Haradinaj është Kosova. Edhe çdonjëri prej figurave politike aktuale që përmenden si kandidatë potencial për t’u akuzuar nga Gjykata Speciale do të bëhet Kosova veç e veç, për shkak të shpëtimit të tij krejt individual.

Në fund, krejt ato paragjykime shoqërore që shpesh u vërtetuan si të sakta nga shoqëria jonë, do të zhduken. Do të thuhet se ishin të paprovuara. Dhe këta njerëz, do të quhen si të dhunuar të drejtësisë, dhe do ta mirëmbajnë pushtetin e tyre. Ne do të vazhdojmë ta shohim shfaqjen e zakontë të pluralitetit të rremë politik. Ndërkaq jashtë asaj shfaqjeje, aktorët do të paguhen të gjithë. E ju do të mbeteni me gishta në gojë, duke dashtë autografe prej tyre.