Rinjohja me fqinjët

Të ndash vallen me të rinj serbë në një ambient studentësh me siguri është shumë më e thjeshtë sesa të ndash tavolinën ku diskutohen çështje “madhore” mes përfaqësuesve politik serbë e shqiptarë.

0
1532

Të ndash vallen me të rinj serbë në një ambient studentësh me siguri është shumë më e thjeshtë sesa të ndash tavolinën ku diskutohen çështje “madhore” mes përfaqësuesve politik serbë e shqiptarë.

Thirrjet se komunikimi duhet të ndodhë mes shoqërive dhe jo vetëm mes klasës politike të Kosovës dhe Serbisë janë me vend. Ndërveprimi mes të rinjëve që jetojnë në këto dy vende është shumë më i natyrshëm sesa diskutimet, deklaratat formale e shpeshherë hutuese të përfaqësuesve në bisedime në Bruksel. Krejt ndryshe është të dëgjosh çdo ditë lajme për bisedime, për tendenca për normalizim etj, që janë shndërruar në terma klishe, e diçka tjetër është të shohësh studentë serbë e shqiptarë duke ndarë të njëjtën hapësirë studimi, duke këmbyer hapat e valleve tradicionale të vendeve përkatëse. Diskutimet më të shpeshta janë për aspektet kulturore të vendeve tona. Dhe më e çuditshmja është se kemi ngjashmëri të dukshme sidomos në kulturë e mënyrë jetese. Por duke qenë fqinjë që nuk vizitohen shpesh, e të ndarë me një hije historie të gjatë, këto ngjashmëri kanë mbetur të panjohura.

Bashkëpunimi rinor do t’i ndihmonte këta fqinjë që gradualisht të shmangin përtëritjen e mendimeve dhe qëndrimeve të cilat pengojnë përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre. Por sigurisht, kjo do të ishte e mundur me ndihmën e institucioneve të shteteve përkatëse të cilat do të mund të organizonin takime me qëllime të ndryshme, qofshin ato kulturore, edukative a sociale. Kësaj çështjeje do t’i bënte mirë edhe ndonjë marrëveshje dhe përshtatje në sistemet arsimore të dy vendeve. Këmbimi i studentëve mes universitetit të Prishtinës dhe atij të Beogradit do të sillte një bashkëveprim të dobishëm. Po ashtu njerëzit nga Kosova do të mësoheshin me praninë e të rinjëve serbë në vend dhe anasjelltas.

Të përshëndetesh me shumë dashamirësi e buzëqeshje me shokë të rinj serbë, t’i përcjellësh ata me një përqafim krejt miqësor, këtë unë personalisht e konsideroj krejt të zakonshme, ndoshta edhe moshatarët e mi kosovarë. Por kjo është e vështirë të kuptohet e lëre më të pranohet nga pjestarë më në moshë të shoqërisë sonë.

“M’myt gjyshja me ditë që kam shokë serb”, tha njëra prej vajzave shqiptare të cilës i ishte vrarë babai në luftë. Në diskutimet tona për vështirësitë e ripajtimit, ajo thoshte që deri diku mund ta tejkalonte, sepse jo çdo serb kishte lënduar atë dhe familjen e saj. Por për familjen, lagjen dhe të afërmit, shoqërimi me serbë do të nënkuptonte tradhëti.

Gjithë vëmendja dhe nami i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve është përqendruar në tentimet politike (shumë politike), duke lënë anash rëndësinë e komunikimit mes njerëzve që jetojnë në këto vende. Pengesë tjetër për tejkalimin e këtij moskomunikimi është edhe mendimi i ngrirë kolektiv.

Rrëfimet e të rinjëve serbë në lidhje me atë se çfarë mendon shoqëria e tyre për shqiptarët janë të ngjashme. Ata tregojnë se si në kufi policët kufitarë habiten kur kuptojnë se ata po vizitojnë Kosovën. Dhe tek ta nxisin pak frikë. Ose se si miqtë e tyre në Serbi i këshillojnë të mos vijnë në Kosovë.

Kjo stagnon përparimin e mundshëm në këtë drejtim për të cilin vitet e fundit po diskutohet shpesh. Të paktën në Kosovë, është shumë më e lehtë të mos çash kokën për politikanët dhe deklarimet e tyre krekosëse. Por s’është aq e lehtë të mos ndikohesh nga historitë e dhimbshme të luftës që dëgjon çdo ditë, nga të dhënat për luftërat e luftëtarët në librat shkollorë, apo nga vetë fakti se sa herë përmenden këto dy shtete gjëja e parë që të bie ndërmend është raporti dikur armiqësor mes tyre. Vështirë i tejkalueshëm.