Roli lehtësues i BE-së në procesin e normalizimit

0
1410

Zeri

“BE-ja është vetëm lehtësuese e dialogut dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Serbisë dhe Kosovës”, kështu raportohet se ka thënë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini në një paraqitje kur erdhi në Prishtinë në mars të vitit 2015. BE-ja e quan dialogun e normalizimit proces të lehtësuar. Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë tha qartë këtë javë se Kosova dhe Serbia janë të zotët e procesit. Roli i BE-së është gjithashtu të ndërmjetësojë dhe të mbikëqyrë implementimin e marrëveshjeve, duke e shtyrë atë përpara përmes proceseve të BE-së.

Çështja e rolit të BE-së në lehtësimin e dialogut Kosovë – Serbi ishte temë e “Sallonit të së Martës” ku u ngrenë shumë çështje që lidhen me dialogun por këtu nuk mund të pasqyrohen që të gjitha. Fjala lehtësim në anglisht është disi enigmatike, pak e mjegullt. Ajo do të thotë të thjeshtësosh, të mundësosh, të përshpejtosh një proces. Është një fjalë që ka nisur të përdoret më shpesh gjatë 25 viteve të fundit në skenën diplomatike. Nuk është e lehtë të dihet saktësisht se çfarë bën një lehtësues, ku janë kufizimet e tij ose saj, sa i përket ndërhyrjes dhe korrigjimit.

Ishte BE-ja ajo që u paraqit vetë për ta lehtësuar procesin e normalizimit dhe kjo gatishmëri u përfshi në një rezolutë të KB-së në vitin 2010. Procesi ka tri palë, BE-në, Serbinë dhe Kosovën. Dy të fundit janë deri në një shkallë palë hezituese por për arsye të ndryshme. Një nga folësit e përshkroi atë si obligim të imponuar për Kosovën. Nuk ka dyshim se motivimi është normalizimi i marrëdhënieve si të tilla, por pikë së pari është për të lehtësuar anëtarësimin në BE. Kosova dëshiron të shohë zbatimin e ligjeve të saj në tërë territorin e saj por është duke zhvilluar negociata me fqinjin e saj verior, i cili me ngulm refuzon ta njohë shtetin e ri ose ta pranojë si anëtar të OKB-së – fakt të cilin një panelist e theksoi qartë si rraskapitës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ky është një pozicion statik.

Mogherini thotë se BE-ja nuk do të ndërhyjë në çështje të brendshme por i gjithë procesi ka të bëjë me një ndryshim historik në çështjet e brendshme, si dhe në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve. Është proces i vështirë dhe do të jetë i gjatë edhe i ngadalshëm e me pengesa për të mundësuar ecje përpara që nuk ka dyshim se ka pasur. Për shkak të kohëzgjatjes dhe për shkak se synimi i procesit është normalizimi i jetës së qytetarëve të të dyja shteteve, kufizimet që ka lehtësimi duhet të kuptohen më mirë. Vetë Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë e pranoi se kishte opinione të ndryshme se si është udhëhequr ky proces.

Thelbi i rolit të BE-së minohet nga cilësia e marrëveshjeve që ajo ka lehtësuar si nga këndvështrimi ligjor ashtu edhe nga ai i të drejtave të njeriut. Këto çështje janë sidomos me rëndësi kur të kihet parasysh që Serbia dhe Kosova janë në faza të ndryshme të rrugëtimit të tyre drejt Evropës, ku një nga kërkesat është respektimi i sundimit të ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe i konventave ndërkombëtare. E megjithatë EEAS (European External Action Service/Shërbimi i Jashtëm Evropian) duket se ka lejuar arritjen e marrëveshjeve të cilat konsiderohen se e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës (ose frymën e saj, siç është thënë zyrtarisht) si dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi mbi këtë çështje. Ishte brengosës reagimi i BE-së. Nuk pati kërkim-falje as të zbehtë e as ndonjë indikacion se ajo kishte provuar t’i bartë këtë informacion Kosovës dhe Serbisë asokohe. Zyra e BE-së në Kosovë në natën e Krishtlindjeve vetëm deklaroi se e kishte parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pret që të gjitha palët ta respektojnë atë. Pesë ditë më vonë Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të EEAS-së i bëri jehonë asaj deklarate në një intervistë në KTV pa shtuar diçka më shumë.

Gjithashtu nuk e kemi të qartë nëse gjatë bisedimeve që çuan në marrëveshjen e gushtit të vitit të kaluar EEAS i ka këshilluar ekipet negociuese të Serbisë dhe Kosovës se duhet të riverifikojnë tekstin duke e krahasuar me ligjet e Kosovës pasi që nuk ishte në përputhje të paktën me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të jetë përgjegjësi e tyre nëse gjeneron probleme. A u sugjeruan atyre që t’i dërgonin marrëveshjet te juristët apo te Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës?

Ngjashëm, edhe çështja e të ashtuquajturave struktura paralele ngre çështje rreth konceptit të lehtësimit. Ato nuk janë të emëruara si të tilla në marrëveshje por është njohuri e përgjithshme se heqja e tyre ishte thelbësore për dialogun. Mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri, që ishte sugjerim i qartë i kryeministrave të atëhershëm Daçiq dhe Thaçi, është dashur të jetë fazë kyçe në heqjen e këtyre strukturave ashtu siç ishte edhe integrimi i të gjitha strukturave serbe të sigurisë në Policinë e Kosovës, heqja e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” dhe integrimi i autoriteteve gjyqësore në sistemin ligjor të Kosovës. Shumica nga këto tashmë janë bërë, por ato që quhen struktura të përkohshme administrative ende mbeten. Kjo thjesht është qeverisje paralele lokale e kontrolluar dhe e financuar nga Beogradi. Shpërbërja e tyre verbalisht lidhet me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe por nuk ka bazë zyrtare për këtë. Këto janë struktura të jashtëligjshme në kundërshtim me Marrëveshjen e Parë që Serbia e nënshkroi me Kosovën në prill të vitit 2013.

Si është përgjigjur BE-ja? Ajo po përpiqet të ndikojë në implementimin e saj përmes procesit të hyrjes në BE për Serbinë. Në qëndrimin e përbashkët evropian të Komisionit në nëntor 2015, që është lidhja e Drejtorisë për Zgjerim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së (EUHR) dhe procesin e normalizimit, EEAS paraqet një kriter që i kërkon Beogradit të ndërpresë financimin dhe mbështetjen e strukturave serbe (d.m.th. këshillat e përkohshëm komunalë, personelin komunal) në mënyrë që të finalizohen dhe konsolidohen administratat komunale në përputhje me ligjet e Kosovës. Nuk ka një kornizë kohore të fiksuar. Gjuha nuk tregon qasje vërtetë të fortë. Kjo përfaqëson, siç u theksua, një lidhje të veprimeve mes EEAS-së dhe Drejtorisë për Zgjerim, qasja e përbashkët e të cilëve është vështirë të vlerësohet. Lehtësimi këtu mbetet disi i padukshëm dhe mbase përkundër qëllimeve të tjera dhe fuqisë së perceptuar të ndikimit ekziston një nivel i papajtueshmërisë në këto dy procese.

BE-ja është ajo që bën kushtëzimin për shkak të lidhjes në mes të këtyre dy departamenteve dhe për shkak se procesi është i lidhur me hyrjen në BE. Rrjedhimisht, është e vështirë të pranohet se vetëm dy shtetet pjesëmarrëse në dialog janë të zotët e procesit e jo edhe lehtësuesi institucional evropian. Pavarësisht nga arritjet, procesit duket se i mungon zotërimi me përkushtim dhe transparencë nga të gjitha palët, dhe është BE-ja ajo e cila, duke pasur përvojë më të gjatë, sigurisht se duhet të paraqitet me një rol më konciz dhe më të dukshëm. Qytetarët evropianë si dhe ata të cilët po i presin këto përmirësime në jetën e tyre që u janë premtuar, kanë të drejtë ta presin këtë. Vetë Mogherini e përsëriti këtë më 27 janar. Edhe ata duhet të jenë në tryezë.

http://zeri.info/zerat/75575/roli-lehtesues-i-be-se-ne-procesin-e-normalizimit/