Rrëfime referendumi dhe të tjera

Që çështja të jetë edhe më keq, tani për tani në heshtje, por dita-ditës po dëgjohen gjithnjë e më zëshëm paralajmërimet se edhe në zgjedhjet e ardhshme, për President të Serbisë dhe për Kuvendin e Serbisë, në Kosovë nuk do të organizohet votim.

0
105

Kah mesi i muajit janar patëm rastin të shohim në terren edhe në praktikë se si duket sherri politik mes dy palëve, të cilat duhet të marrin pjesë në diçka që quhet dialog. Natyrisht, moti kemi konstatuar që dialog nuk ka dhe që vështirë se do të ketë në të ardhmen sepse qëndrimet janë të tilla që nuk ka afrim e as shenja për këtë. Nuk është hera e parë që i shohim të gjitha këto por duhet nganjëherë t’ia kujtojmë vetes se ku jetojmë sepse për shkak të euforisë së vitit të ri, kemi krijuar përshtypjen se gjithçka është normale. Mirëpo, normaliteti zgjat vetëm derisa zgjasin pushimet vjetore të zyrtarëve apo ndonjë ditë pushimi për shkak të festave, ditëve të tjera gjithçka që është normale duhet të largohet anash dhe që opinioni publik të bindet se asgjë nuk ka ndryshuar, që edhe më tej jemi në fund të çfarëdo shkalle, madje edhe të asaj që e kemi promovuar vetë si masë për matje. 
 
Referendumi për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë është mbajtur më 16 janar në Nju Jork, Uashington, Paris, Berlin dhe kudo ku ka pasur të tillë me të drejtë vote, por në Leposaviq, Mitrovicë, Zveçan, Graçanicë dhe Shtërpcë, për çudi, apo me vullnet të dikujt, nuk ka pasur kushte që po i njëjti referendum të mbahet. Gjithsesi është e qartë se këtu nuk ka kurrfarë çudie, e edhe dihet se vullnet i kujt është. Dihet prej kohësh se vullnet i kujt është kur këtu ndodhin gjëra të ndryshme të pamenduara sepse populli kaherë është mësuar me to. Perde e tymit për rastet e humbura, mossukseset e mëdha, largim të popullatës dhe shumë gjëra të tjera negative që po ndodhin para syve të të gjithë neve. Disa serbë, të organizuar nga subjektet e tyre politike, shkuan të votojnë në zonat kufitare të Serbisë qendrore, por kjo sigurisht nuk është zgjidhje. Ndërsa e drejta ndërkombëtare thotë një gjë, dikush këtu mendon se kutia e votimit është një armë. Gjithsesi do të mund të thuhej që ajo edhe është por në një botë demokratike ku vetëm përmes zgjedhjeve, fletëvotimit dhe kutisë arrihen ndryshimet dhe fitohen të drejtat; dikush këtu është mësuar me një armë tjetër kështu që kjo arma demokratike nuk i jep përshtypjen e sigurisë, sepse ky nuk është uji ku di të notojë, është tepër i qetë dhe pa valë. 

Që çështja të jetë edhe më keq, tani për tani në heshtje, por dita-ditës po dëgjohen gjithnjë e më zëshëm paralajmërimet se edhe në zgjedhjet e ardhshme, për President të Serbisë dhe për Kuvendin e Serbisë, në Kosovë nuk do të organizohet votim. Kjo është ajo që na brengos neve që jetojmë këtu, por para së gjithash do të duhej t’i brengosë ata që duhet ta organizojnë këtë në terren, para të gjithëve OSBE-në, e cila e ka bërë këtë me vite të tëra, por ata as që shihen as dëgjohen gjëkundi. Sipas të gjitha gjasave nuk ka pasur rrymë që të botojnë komunikatë që të dyja palët të përmbahen nga provokimet dhe kështu gjërat silleshin në rreth. Ambasadorët kanë qenë të zënë, apo me vonesë kanë dhënë deklarata të cilat në masën më të vogël e kanë hutuar edhe më shumë opinionin publik. 

Ndoshta 16 janari ishte parashikuar që demokracia këtu të varroset, sepse qartazi nuk kemi nevojë për këtë; ne mundemi edhe pa të, ajo është për disa popuj më të mirë të cilët përmbahen nga provokimet, të cilët janë të përkushtuar ndaj dialogut, të cilët para së gjithash dinë se çka duan, ne këtë qartazi nuk e dimë, ose së paku jo të gjithë. Problemi qëndron në atë se ata që e dijnë dhe ata që nuk e dijnë gjenden në vendet e gabuara. Vetëm se ata që gjenden aty ku nuk e kanë vendin, qartazi kanë harruar se aty i ka vendosur dikush që e di se çka do dhe e sheh që ajo nuk i është dhënë. E kjo është demokracia, si të thuash, e shpjeguar shkurtimisht. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.